TAGS-AT E JAVËS

Editorial17 Prill 2025, 10:18

Për Trumpin aleatët janë vetëm shërbëtorë të bindur

Shkruar nga Ettore Sequi

 

Për Trumpin aleatët janë vetëm shërbëtorë
Donald Trump /

Për Putinin, Kievi është një “ushtar” i sakrifikueshëm në skakierën gjeopolitike. Por e tillë është bërë edhe për Trumpin. Me ndryshimin që i pari dikton kërkesat, ndërsa i dyti duket se është gati që t’ia plotësojë ato...

Refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të nënshkruar një deklaratë të vendeve të G7-ës, që dënon sulmin u ushtrisë ruse në qytetin ukrainas Sumy, i cili shkaktoi vdekjen e 35 civilëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve nga një bombardim i qëllimshëm, nuk është vetëm një kapitullim moral.

Përkundrazi, ai është edhe shenjë e një ndryshimi të madh që po ndodh në politikën amerikane, si dhe llogaritje e gabuar strategjike. Uashingtoni beson se në këtë mënyrë mund “të mbajë hapur një dritare ​​për negociatat” me Moskën. Por një negociatë ju nuk mund të mbahet gjallë, duke u shtirur sikur dhuna nuk ekziston.

Dhe aq më pak mund të forcohen më tej pozitat e saj, duke hequr dorë nga solidariteti me aleatët. Në rast se Donald Trump mendon se mund të lehtësojë një kompromis midis Ukrainës dhe Rusisë, duke shmangur acarimin e Vladimir Putinit, atëherë ai e keqkupton logjikën mbi të cilën funksionojnë autokracitë.

Ato respektojnë sjelljen e fortë dhe jo atë pajtuese. Ato e përbuzin gatishmërinë për kompromis, kur nga njëra palë shfaqet ngurrim. Prandaj, distancimi nga deklarata e fundit e vendeve të G7-ës nuk krijon hapësirë për vazhdimin e negociatave, por përfaqëson një lëshim të njëanshëm.

Dhe për pasojë një shenjë dobësie. Pastaj ka edhe një mesazh tjetër të nënkuptuar, po aq serioz: mosinteresimin në rritje të Trump për formatet shumëpalëshe, të mëdha apo të vogla qofshin.

Të refuzosh të bëhesh pjesë e një deklaratë të përbashkët për një çështje aq të rëndësishme, nënkupton mohimin e vetë parimit të përgjegjësisë të përbashkët. Është konfirmimi i veçantisë amerikane jo më në aspektin e udhëheqjes por në dallimin nga aleatët e saj, e një Amerike që nuk kërkon partnerë por shërbëtorë të bindur.

Për Trumpin, harmonizimi i qëndrimeve me Evropën është dobësi. Edhe deklaratat shumëpalëshe refuzohen, kryesisht sepse nënkuptojnë barazi me qeveritë që konsiderohen të parëndësishme. Kjo sjellje është reflektim i një diplomacie, e cila e konsideron multilateralizmin si pengesë, dhe në këto kushte G7-a rrezikon të shndërrohet në një vend nga ku prodhohet një propagandë boshe.

Por ka edhe më shumë se sa kaq: refuzimi i dënimit të sulmit brutal të rusëve ndaj civilëve ukrainas, e lejon Donald Trumpin të mbajë të hapur një narrativë alternative, në të cilën Moska nuk është fajtore për luftën në Ukrainë. E kishte edhe më herët: përgjegjësia është e Volodymyr Zelensky-t dhe Joe Biden.

Kështu Trump arrin rezultatin e kundërt: sa më shumë të tregohet i gatshëm ta shpërfillë agresionin rus, aq më shumë nxitet Moska që ta përshkallëzojë atë. Sulmet si ai i Sumy janë mjete mizore, të cilat Putini i përdor për të treguar se paqja e synuar nga Trump është ende larg, dhe për ta detyruar atë të ushtrojë presion mbi Kievin si hallkë e dobët e zinxhirit.

Ky afrimitet i madh me Rusinë, zbulon se për Trumpin, Ukraina nuk është qendra e negociatave, por thjesht pjesë e një plani më të gjerë. Synimi i vërtetë, është rivendosja e një marrëdhënieje strategjike me Moskën, e cila shkon përtej luftës dhe që prek çështjet ekonomike, tregtare dhe energjike.

Trump synon të arrijë marrëveshje më të gjera: shfrytëzim i përbashkët i burimeve natyrore, forma të reja bashkëpunimi ekonomik, një qasje të përbashkët ndaj Iranit, dhe madje edhe mundësinë edhe pse iluzive për ta përçarë aleancën midis Rusinë dhe Kinës.

Në këtë kuadër, Kievi bëhet pengesë dhe jo një prioritet. Një problem që duhet neutralizuar, dhe jo një aleat që duhet mbrojtur. Por paralelisht, Evropa dhe NATO po përpiqen të ruajnë mbështetjen për Kievin.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Mark Rutte, i premtoi së fundmi Zelensky se “mbështetja e NATO-s do të vazhdojë”. Nga njëra anë, Uashingtoni e redukton angazhimin e tij shumëpalësh. Nga ana tjetër, Evropa po përpiqet të ruajë një kohezion strategjik që është gjithnjë e më i brishtë.

Për Trumpin, NATO dhe G7 nuk përfaqësojnë më shumë mjete të udhëheqjes së përbashkët, por kufizimet nga të cilat Amerika duhet të çlirohet për të pasur sa më shumë liri veprimi në mbrojtje të interesave të saj.  

Amerika që e hedh poshtë solidaritetin e G7-ës ndaj Ukrainës, që e shfajëson Putinin dhe akuzon Zelensky-n, ai nuk është më garantuese e ekuilibrit ndërkombëtar. Ndërkohë Rusia e ka kuptuar tashmë se presioni po funksionon, dhe nëse nuk ndesh rezistencë, do të jetë në gjendje të diktojë kushtet e një paqeje, e cila i ngjan një kapitullimi të Ukrainës.

Kësaj i shtohet edhe një keqkuptim i madh midis Trumpit dhe Putinit. I pari aspiron të arrijë një armëpushim të shpejtë dhe një ndërprerje të luftimeve, që pastaj mund t’ia tregojë botës si një trofe personal, edhe me çmimin e sakrifikimit të elementëve thelbësorë strategjikë.

I dyti do paqe por me kushtet e tij, të cilat i lidh me negociatat për një armëpushim: njohjen e pushtimeve territoriale ruse 3 vitet e fundit, dhe neutralitet i pjesës së mbetur të Ukrainës, kufizimi i garancive të sigurisë perëndimore ndaj Kievit, fundi i sanksioneve kundër Rusisë.

Moska nuk po nxiton. Çdo javë rritet presioni ndaj Kievit dhe Perëndimit. Për Putinin, Kievi është një “ushtar” i sakrifikueshëm në skakierën gjeopolitike. Por e tillë është bërë edhe për Trumpin. Me ndryshimi që i pari dikton kërkesat, ndërsa i dyti duket se është gati që t’ia plotësojë ato./Pamfleti nga “La Stampa”

Shënim: Ettore Sequi, ish-ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

trumpi aleatë shërbëtorë

Lini një Përgjigje

Editorial