
Shqipëria është varur në një fije të hollë, aq sa mund të tjerrë një merimangë dhe askush nuk mund të vërë bast për të...
Dy fatkeqësitë më të mëdha të Shqipërisë parakaluan ditët e fundit duke shuar çdo shpresë që një shqiptar i thjeshte (se i mesmi nuk ekziston më), mund të ketë pasur edhe në ëndrrat e veta më të guximshme: Sali Berisha dhe Edi Rama.
Për të parin nuk ka nevojë për shumë komente sepse u shfaq ashtu siç është: i vetëm me Florjana Garon në krah, që çfarëdo që të bëjë, thjeshtë është një vendin e gabuar.
Ndërsa i dyti, Edi Rama, ka tronditur dhe shuar edhe shpresat me të thella të vetë socialistëve si fillim e pastaj të gjithë shqiptarëve.
Nuk po flasim për protagonistët e hapjes së fushatës së tij. Për Blendi Gonxhen me shokë e shoqe që pasi futën mikun e tyre të fundit në burg, po shijojnë si hijenat gjakun e një çifti të zënë rob, por për atë që u pa ditën për diell dhe që është thjeshtë e pabesueshme. Është tepër makabre për të qenë e vertetë.
Ajo që u organizua me justifikimin zyrtar të hapjes së fushatës elektorale të PS nuk ishte tjetër veçse, përshfaqja në publik e një kulti diabolik, të dalë nga rrethet më të thella të ferrit që kërcente e këndonte. Kurrë nuk ishte parë një gjë e tillë më parë. Kurrë nuk ishte parë një vallëzim mbi vdekjen si ai i 12 Prillit në Tiranë.
Asnjë fjalë për politikën, për llogaridhënien e këtij 4-vjeçari (çfarë do të thonë edhe sikur), asnjë ndjenjë përgjegjësie për pushtetarët që sot janë në burg, për të paktën një premtim që disa gjëra do të ndryshojnë në të ardhmen. Asgjë! Veç tallava dhe formula e prishur e një kryeministri që çfarë nuk ka shpikur deri më sot për të mos folur për ato çfarë janë vërtet jetike në këtë vend.
Dhe qershia mbi tortë: asnjë shenjë e Partisë Socialiste në mitingun e hapjes së fushatës. Një flamur ose ndoshta një simbol. Asgjë! Lideri foli, djajtë e vet të vegjël e dëgjuan dhe duartrokitën, ndër ta edhe njerëz që burgun e kanë çështje dite dhe u shpërndanë.
Doktrina e anëtarësimit në BE, në të cilën nuk beson as Rama vetë është lajtmotivi më i bobët që një parti ka kënduar deri më sot. Ndërsa nga nesër do të fillojë kënga e bufit të kënetës.
Ky është fundi politik i një klase dhe fundi i çdo shprese për përmirësim i një shqiptari. Përfundimisht Shqipëria është varur në një fije të hollë, aq sa mund të tjerrë një merimangë dhe askush nuk mund të vërë bast për të.
Ka edhe disa zëra ndryshe në këtë fushatë, Qorri a Llapaj, por ata janë aq të dobët sa edhe sikur të fitojnë ndonjë mandat, djajtë që të mëdhenjtë kanë pjellë, në mos do ti tjetërsojnë edhe këta, do tu heqin çdo fije totalitarizmi zëri.
Mjerë ne!/Pamfleti
Lini një Përgjigje