A do të munden negociatat apo veprimi ushtarak ta pengojnë Iranin të pajiset me armë bërthamore?
Ekipet amerikane dhe iraniane, takohen sot në Oman për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi në programin bërthamor të Teheranit. Në vitin 2015 u arrit një marrëveshje pas disa negociatave të gjata dhe të mundimshme të udhëhequra nga administrata Obama, dhe të mbështetura nga evropianët, rusët dhe kinezët.
Ai u quajt Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA). Irani ra dakord të reduktonte programin e tij të pasurimit të uraniumit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por Trump e braktisi marrëveshjen në vitin 2018 pas pretendimit se marrëveshja e Obamës nuk ishte shumë e mirë, dhe se ai do të arrinte një marrëveshje më të mirë përmes “presionit maksimal”.
Siç dhe u parashikua, përgjigja e Iranit ndaj fushatës së presionit nuk ishte afrimi me amerikanët, por vazhdimi i pasurimit t uraniumit deri në pikën ku tani ata janë shumë afër ndërtimit të disa armëve bërthamore, nëse vendosin ta bëjnë këtë. Prandaj nuk ka edhe shumë kohë për të arritur një marrëveshje.
Në shkurt, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), raportoi se Irani kishte grumbulluar pothuajse 275 kg uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind, i cili nuk do të kërkonte shumë pasurim shtesë për të arritur në nivelin 90 për qind, nga ku mund të nisë prodhimi i armës.
Ajo sasi do të mjaftonte për 6 bombat e para. JCPOA synonte që Irani të ishte gjithmonë të paktën një vit larg nga të qenit në gjendje të përdorte uraniumin e tij shumë të pasuruar (HEU) për të prodhuar armë. Ndryshojnë vlerësimet se për sa kohë do të zgjaste kjo, por në përgjithësi janë më pak se një vit.
Bisedimet për ringjalljen e JCPOA, vazhduan gjatë administratës Biden, por kushtet nuk ishin të përshtatshme, pasi Izraeli luftoi ndaj “boshtit të rezistencës” të udhëhequr nga Irani. Prandaj ka pasur shumë pak përparim.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump u ofrua të bisedonte me Teheranin, duke i shtuar sanksionet ekonomike ndaj tij dhe kërcënuar me veprime ushtarake. Më 30 mars, Trump tha se nëse Irani nuk bie dakord për një marrëveshje “do të ketë bombardime, të cilat iranianët nuk i kanë parë kurrë më parë”.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, reagoi shpejt duke thënë se nuk mund të ketë bisedime të drejtpërdrejta me amerikanët. Ai u zotua, se Irani nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve amerikane. Në bazë të përvojës së kaluar, ai nuk mund të besojë se Trump mund ta respektojë një marrëveshjeje.
Por Irani nuk është në një gjendje të mirë për t’i rezistuar. Ekonomia e saj është në krizë, pjesërisht për shkak të sanksioneve, por edhe për shkak të viteve të keq-menaxhimit kronik dhe korrupsionit. Regjimi teokratik është shumë jopopullor, dhe po qëndron në pushtet kryesisht përmes masave shtypëse.
“Boshti i rezistencës”, i bazuar në një koalicion milicish të sponsorizuara me një urrejtje të përbashkët ndaj Izraelit - përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban - është shkatërruar nga aksionet e ushtrisë izraelite.
Rebelët Huthi në Jemen janë ende aktivë, dhe pse së fundmi janë bombarduar rregullisht nga amerikanët. Regjimi i Assadit në Siri i mbështetur nga Irani, u shemb në dhjetor të vitit të kaluar. Disa javë më herët, sulmet izraelite e kishin dobësuar mbrojtjen ajrore iraniane, dhe thuhet se kishin goditur edhe një objekt bërthamor, duke u kujtuar iranianëve dobësinë e tyre.
Javët e fundit, në rajon ka pasur një grumbullim të forcave amerikane, duke përfshirë dhjetëra avionë bombardues B-2 të transferuar në bazën “Diego Garcia” në Oqeanin Indian. Dy aeroplanmbajtëse - USS Harry Truman dhe USS Carl Vinson -qarkullojnë aty pranë.
Bateritë e mbrojtjes ajrore janë zhvendosur në shtetet aleate të Gjirit. Një pjesë e këtyre lëvizjeve mund të lidhet me luftën e vazhdueshme ndaj Huthi-ve, por mund të jenë dhe pjesë e një luftë të afërt me Iranin. E gjitha kjo mund ta ketë bindur Khamenein se për momentin moderimi është qasja më e mirë.
Ka ende paqartësi rreth natyrës së propozuar të bisedimeve. Trump tha se do të kishte një “samit shumë të gjerë”, dhe se bisedimet do të jenë “të drejtpërdrejta”. Iranianët kanë thënë se ato do jenë “të tërthorta” edhe pse “të nivelit të lartë”.
Dy protagonistët janë Steve Witkoff, i dërguari special i Trump dhe Ministri i jashtëm i Iranit Abbas Araghchi. Ky i fundit, ka deklaruar se dakordësia e parë duhet të jetë se s’mund të ketë një “opsion ushtarak” apo një “zgjidhje ushtarake”.
Por Trump nuk do ta pranojë këtë. Pozicioni i tij është se “Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, dhe nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, ajo do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin”. Pra, qëndrimi i Trump është se ajo që nuk mund të arrihet me diplomaci, mund të arrihet ende me veprim ushtarak.
Po cilat do të ishin objektivat në rastin e një sulmi, qoftë nga vetëm SHBA-ja apo në bashkëpunim me Izraelin? Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm, Irani i ka kushtuar shumë vëmendje cenueshmërisë së objekteve kryesore.
Shumë prej tyre janë të shpërndara dhe disa gjenden brenda maleve ose të fshehura nën tokë. Objektivat janë të shumtë. Një nga listat, përmban 42 baza të lidhura drejtpërdrejt me ciklin e karburantit bërthamor, nga nxjerrja e mineralit të uraniumit tek kërkimet dhe reaktorët bërthamorë. Ato njihen nga IAEA.
Pastaj janë edhe 8 baza të tjera të padeklaruara, më shumë të lidhura me prodhimin e armëve, duke përfshirë materialet e ruajtura bërthamore dhe kërkimin mbi eksplozivët. Mund të ketë edhe të tjera që kanë mbetur sekrete.
Shkatërrimi i vendeve më të mbrojtura nuk do të ishte i thjeshtë, siç e shpjegojnë Darya Dolzikova dhe Justin Bronk në një studim të fundit për Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Sepse shumica e objekteve iraniane ka të ngjarë të mbulohen nga shtresa betoni të përforcuara me densitet të lartë, shkëmbinj dhe materiale të tjera, të cilat mund të jenë 80-100 metra të trasha. Duke supozuar se armët amerikane mund të depërtojnë në këto shtresa dhe të shkaktojnë një shpërthim, efektet do të varen nga fakti nëse objekti ka hyrje të ngushtë dhe dyer të trasha, elementë që do të kufizonin pasojat.
Mund të duhet që disa armë të shpërthejnë në të njëjtin vend, deri në momentin që ai të shkatërrohet. Por para se të arrihen objektivat, forca sulmuese duhet të jetë në gjendje të përballen me mbrojtjen ajrore.
Kjo e fundit nuk dukej se e shqetësoi shumë Izraelin në sulmet e tetorit 2024, dhe kanë akoma më pak gjasa të shqetësojë Forcën Ajrore të SHBA-së. Por rreth bazave më kyçe do të ketë shumë mbrojtje, dhe jo të gjitha mund të jenë të njohura për inteligjencën amerikane, veçanërisht pasi disa sisteme do të jenë të lëvizshme.
Dhe ka raporte se kohët e fundit Irani e ka forcuar mbrojtjen ajrore, duke ndërtuar radarë të rinj dhe kryer stërvitje të mbrojtjes ajrore rreth objekteve bërthamore. Ndaj një fushatë serioze kundër programit bërthamor iranian, do të duhej të ishte e gjerë dhe e vazhdueshme.
Një sulm i konsiderueshëm, ka të ngjarë të pengojë jo pak aftësinë e Iranit për të ndërtuar një bombë, por ndoshta jo përgjithmonë. Shumëçka do të varet nga shkalla e çdo dëmi të shkaktuar. Iranianët do të përpiqen ta rinisin programin sa më shpejt që do të jetë e mundur.
Po cilat do të ishte përgjigja e Iranit? Burimet kanë sugjeruar se baza amerikane “Diego Garcia” mund të goditet me një kombinim të raketave lundruese dhe balistike. Kjo bazë mund të jetë një nga pikat e lëshimit për çdo sulm të SHBA-së.
Evropianët nuk kanë reshtur së foluri me Iranin, por edhe ata po shkojnë drejt përplasjes. Britania, Franca dhe Gjermania, e kanë paralajmëruar Teheranin se në mungesë të një marrëveshjeje të re bërthamore deri në verë, do të rinovojnë sanksionet kundër më shumë se 300 subjekteve iraniane.
Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të JCPOA të vitit 2015, rikthimi i tyre është automatik nëse kërkohet nga ndonjë prej këtyre 3 shteteve përpara datës 18 tetor, kur skadon edhe marrëveshja origjinale. Nuk mund të ketë veto kineze apo ruse.
Bisedimet SHBA-Iran mund të bazohen në ato bisedime. Por nëse synohet të arrihet përparim, duhet të merret një vendim për objektivat që duhen goditur./Pamfleti nga “Newstatsman”
Lini një Përgjigje