TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Prill 2025, 10:03

Sllogani, shantazhi që Edi Rama u bën Europianëve

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Sllogani, shantazhi që Edi Rama u bën Europianëve
Edi Rama /

“Vetëm me Edin!”: Një mesazh i qartë shantazhi drejtuar Europës dhe SHBA-së, duke ua bërë të qartë se nuk do të tolerojë asnjë skenar tjetër pa të në pushtet...

Parulla zyrtare e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit është ndoshta anomalia më e rëndë politike që ka parë Shqipëria në këto 34 vite.

Ky sllogan është manifestimi më i pastër i egoizmit dhe narcizizmit politik, ku personaliteti i liderit dominon plotësisht mbi vetë forcën politike. Në këtë rast, Partia Socialiste është reduktuar në një mekanizëm që ekziston vetëm për të realizuar ëndrrën personale të kryeministrit për një mandat të katërt.

“Shqipëria në BE, në vitin 2030, vetëm me EDIN dhe PS”. Në këtë sllogan, emri i Ramës, i shkruar me gërma kapitale, zë vend qendror, jo për arsye estetike, por për shkak të obsesionit personal të tij për pushtetin absolut dhe protagonizmin mediatik.

Në të vërtetë, ky sllogan nuk synon kryesisht votuesit shqiptarë. Ai është hartuar me mjeshtëri nga Rama, si një mesazh i qartë dhe provokues drejtuar kancelarive europiane dhe ndërkombëtare.

Mesazhi që del nga ky formulim është i drejtpërdrejtë: “Pa Edi Ramën nuk ka integrim, nuk ka progres drejt BE-së”. Rama i thotë hapur Perëndimit se vetëm ai mund të sigurojë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Por, a është kjo vetëm një tekë megalomane e Ramës apo një manovër politike e studiuar mirë? Të gjitha indiciet sugjerojnë se nuk kemi të bëjmë me thjesht narcizizëm. Ka diçka tjetër, më të errët dhe më të ndërlikuar në këtë strategji.

Prej kohësh, në ambientet diplomatike të Tiranës është formuar bindja se Rama ka qëndruar shumë gjatë në pushtet, dhe se vendi ka nevojë për një alternativë tjetër qeverisëse. Kjo alternativë, sipas burimeve diplomatike, mund të jetë një koalicion i gjerë pro-europian, i cili do të garantojë vazhdimësinë e reformave në drejtësi dhe integrimin europian.

Nuk përjashtohet mundësia e formimit të një kabineti teknik me ekspertë dhe akademikë që të ketë përkrahjen e gjerë të forcave politike dhe ndërkombëtare.

I informuar për këto lëvizje, Edi Rama nisi të veprojë duke faktorizuar sërish Sali Berishën dhe duke mbajtur peng opozitën përmes kontrollit mbi drejtësinë dhe institucioneve kyçe. Plani i tij shtrihet edhe te goditja ndaj SPAK-ut dhe figurave politike rivale në PS.

Arrestimi i Erion Veliajt, që nisi me denoncimin e famshëm të Nesti Angonit, është pjesë e këtij skenari të Ramës për të ruajtur kontrollin absolut mbi PS-në dhe për të parandaluar çdo tentativë për zëvendësimin e tij.

Vendosja në slloganin e fushatës e frazës “Vetëm me EDIN” nuk është aspak rastësi. Ky është një mesazh i qartë shantazhi drejtuar Europës dhe SHBA-së, duke ua bërë të qartë se nuk do të tolerojë asnjë skenar tjetër pa të në pushtet.

Në një formë të drejtpërdrejtë, Rama po u tregon ndërkombëtarëve se do të rezistojë deri në fund, duke e vënë integrimin europian si peng personal. Ndaj përsërit në mënyrë kërcënuese se “nuk ka plan tjetër veç planit A”.

Por, a është vërtet Rama aq i fortë sa pretendon? Ndonëse ka mbështetje financiare dhe politike nga Erdogan dhe vendet e Gjirit, ai është ende vulnerabël. Duke kuptuar këtë dobësi, Rama po negocion fshehtazi me Greqinë, duke u ofruar koncesione politike, ekonomike dhe kulturore, për të siguruar mbështetjen e heshtur nga Athina.

Në këtë kontekst të komplikuar gjeopolitik, sllogani zgjedhor i Ramës nuk është thjesht propagandë politike, por një akt shantazhi i hapur dhe cinik ndaj Europës dhe Perëndimit./Pamfleti

edi rama slogani i fushatës shantazhi evropa

Lini një Përgjigje

Editorial