Kjo është mafia e salmonelës politike që e bën Shqipërinë jo një shtet me institucione, por një vend horrash që bëjnë çfarë duan me jetën e qytetarëve...
Brenda tre javësh kanë ndodhur aq shumë zhvillime që kanë tronditur tregun dhe çmimet e mallrave kryesore ushqimore në vend.
Nga gripi i pulave te salmonela e filetos së ardhur nga Brazili, janë ngjarje që kanë tronditur jetën e njerëzve për të cilat nuk po flet askush. Çmimi i vezëve është rritur me 200 përqind dhe i mishit të pulës me 100%.
Një bikerinë vezësh që nuk e kapte 200 lekëshin para dy javësh sot kushton më shumë se 450 lekë. Ndërkohë çdo njësi e pulës është 100 për qind më e shtrenjtë. Bëhet fjalë për prodhime që janë pjesë e shportës ushqimore bazike të popullsisë dhe për të cilat askush nuk e ‘çan kokën’. Mirë qeveria, por as opozitat që bëjnë sikur vdesin për hallet e njerëzve. Asnjë fjalë, asnjë protestë, madje asnjë analizë në redaksitë e televizioneve të mëdha.
I gjithë ky zhvillim duket u mbulua me zhurmën e salmonelës, që u kap në një ngarkesë të ardhur nga Brazili, që në të vërtetë ishte një skandal më vete.
Skandal që u menaxhua me kujdes nga qeveria për të mbajtur në një “kaos të kontrolluar” një zhvillim nën tavolinë, që duket se ka krijuar ‘operacionin’ e vezëve.
Në kulmin e zhurmës mbi salmonelën, Edi Rama poston në rrjetin e tij social një takim me organizatën socialiste të njësisë numër 7. Takim që në krye të tryezës ka drejtuesin e AKU-së, i akuzuar për skandalin e salmonelës.
Personazhi në fjalë, Fatjon Pasholli, ka 4 vjet që i është bashkuar PS nga radhët e grupit elektral të LSI, përkatësisht lobit të ministrisë së Mjedisit, që në mandatin e parë të Edi Ramës, drejtohej nga Lefter Koka.
Përkatësisht, Pasholli e ka nisur karrierën e tij si pjesëtar i grupit të inspektorëve.
Në takimin e Ramës, edhe pse ishte aktual skandali i salmonelës e kishte përballë njeriun që ishte përgjegjës për të, nuk u tha asnjë fjalë. Pas një menaxhimi në heshtje të kësaj situate, ndodhi dorëheqja e Pashollit.
Në mes të kësaj zhurme, ishte edhe çështja e gripit të pulave në disa stabilimente, por që nuk pati një sqarim të detajuar. Dukej më shumë një zhurmë sesa një situatë reale.
Por çfarë kishte ndodhur në këtë kohë?
SHBA nëpërmjet përfaqësive diplomatike i ka bërë kërkesë vendeve europiane, si dhe atyre ballkanike, pra edhe Shqipërisë, që të sigurohej një sasi vezësh për Pashkë, meqë Amerika ka mungesë të madhe.
Rolin e distributorit në këtë megaoperacion vezësh e ka marrë rajoni i Venetos në Itali, që është edhe një nga prodhuesit më të mdhenj të vezëve në Europë.
Pikërisht në këtë kohë, kemi një porosi nga Italia që Shqipëria të furnizojë me vezë nga prodhimi i saj, e për tre javë në doganat shqiptare nuk mbërrin asnjë kokërr vezë nga importi, përkatësisht nga Veneto, nga e cila furnizohen disa rrjete supermarketesh.
Shqipëria hyn kështu në një krizë magazinale vezësh, por që është krizë artificiale dhe e pa gjurmuar në adresat doganore. Madje thuhet se ka një kërkesë nga lart, që të çojnë vezë në Veneto sepse presidenti i rajonit ka telefonuar Edi Ramën.
Një barsaletë që qarkullon prej dy javësh tashmë, e si rezultat kemi një çmim ‘ala amerikan’ të produktit që është kthyer në një anektodë në SHBA.
E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një panoramë e institucioneve tona që nuk ekzistojnë. Pasi ekzistojnë vetëm telefonatat e shefave, që kanalizojnë për interesat e tyre një çështje që në këtë rast është e xhepave të qytetarëve. Të cilët shqyhen vetëm për tekat e një problemi që nuk e vendos tregu i lirë, por Babloku i Imer Lalës.
Ky nuk është thjesht një skandal, por një mafie e vërtetë që vë gjoba sipas interesave, që fshihet pas salmonelës për një lëvizje në kohën e duhur. Kjo është mafia e salmonelës politike që e bën Shqipërinë jo një shtet me institucione, por një vend horrash që bëjnë çfarë duan me jetën e qytetarëve. Ky është problemi i madh, jo hyrja në BE. AKU, Doganat, Industria nuk janë institucione por mekanizma të një personazhi që e konsideron shtetin pronë të tijën./Pamfleti
Lini një Përgjigje