TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Prill 2025, 17:40

Përgjimet e Veliajt dhe grotesku i SPAK!

Shkruar nga Pamfleti
Përgjimet e Veliajt dhe grotesku i SPAK!
Blofi i SPAK me përgjimet

SPAK nuk ka nevojë për shou, për spektakle, për të ‘fryrë’ opinionin publik përmes të tilla skemave. Mjafton të na tregojë provat si për Veliajn dhe shumë të tjerë, se X politikan ka vjedhur kaq dhe tjetri aq dhe e ka fituar besimin...

Përgjimi në qeli i Erion Veliajt duket se po përfundon një mufkë e madhe për Prokurorinë e Posaçme.

Në ditën e seancës gjyqësore në Apel, Ols Dado dhe Altin Dumani u paraqitën me një dosje ‘voluminoze’, duke pretenduar se kishin prova të reja që dëshmonin se sa i ‘rrezikshëm’ ishte kryebashkiaku nëse dilte nga qelia.

Në fakt ishin përgjime që SPAK i kishte bërë në qeli Erion Veliajt dhe mesa kemi parë ditët e fundit, kanë qenë bisedë me të vëllanë dhe gruan. Pas seancës në Apel, disa gazetarë që i shohim përditë banaqeve televizive dhe media pranë opozitës, nisën të ‘tregonin’ se çfarë kishte thënë Veliaj. Një fliste për kërcënime, një për pazare për kokën e tij deri në 2 mln euro, etj.

Por pas tymnajës, këto biseda u servirën në publik dhe faktet e fundit tregojnë se e gjitha ka qenë e qëllimtë.

Nuk ka më asnjë dyshim se beteja mes Ols Dados dhe Erion Veliajt ka përfunduar në personale. Edhe duke parë audion që doli nga seanca duket se ka shumë mllef mes tyre. Mirëpo SPAK duket se bëri autogol duke nxjerr në publik dosjen.

Prej ditësh po publikohen materiale në media nga “përgjimi” i Veliajt dhe në fakt kuptuam se Erion Veliajt më shumë i kanë rënë në qafë sesa kanë zbuluar prova kundër tij.

Së pari, nuk kemi përgjime. Deri më tani kemi parë pasazhe, në shumë raste dhe shumë të çuditshme, ku flitet në vetën e tretë. Madje dhe vetë SPAK përdor terma si Erjoni, KM-ja, ‘X’ apo ‘Y’ edhe kur janë parashtrime të saj.

Nëse SPAK do të implikojë dikë, duhej të kishte vepruar si me dosjet 184 apo 339, ku dilnin jo vetëm me tekst, por dhe me zë emrat që komunikonin. Ai ishte përgjim. Kjo e SPAK nuk mund të quhet dosje. Prokurorët nëse fshihen pas faktit se nuk ka qenë provë, duhej ta kyçnin në sirtar dhe nuk kishin pse e përdornin si shashkë mediatike.

E dyta, nuk ka asnjë verifikim nga SPAK të përgjimeve. Aty dalin shumë emra dhe SPAK nuk ka marrë mundimin të pyesë një prej tyre. Përgjimet nuk janë kurrë prova, por për të shkuar te kjo e fundit. Atëherë pse SPAK e përgjoi Veliajn dhe nuk shkoi te provat? Apo përgjimi u bë për ta servirur në media?

E treta, deri më tani nuk ka ndonjë gjë të madhe që implikon Veliajn, krahasuar me atë që na trumbetonte SPAK. Mediat që i kanë nxjerr mundohen të bëjnë interpretime mbi atë që diskutohet aty, por në fakt janë biseda të cilat do t’i bënte kushdo nga ne nëse do të ishte në atë situatë.

Si mund të kërkohet llogari se pse ai ka dhënë sugjerime vjehrrës se si duhet të sillet pra prokurorëve? Akuzohet se manipuloi audion e seancës, kur në fakt thuhet e zeza mbi të bardhë që ai kërkon të pastrohet audio sepse ka shumë zhurmë.

Po ashtu ai këshillon bashkëshorten të mos dalë në media dhe në disa raste e pranon vetë se ata janë nën përgjim. Me pak fjalë të gjitha ato udhëzime që ka dhënë Veliaj, ne i kemi parë përmes statuseve të tij në Facebook dhe nuk ka qenë ndonjë sekret i madh. Pra ku është “bomba” që zbuloi SPAK?

Nga këto përgjime ne kuptuam vetëm një gjë, që çdo status i Veliajt ka qenë i koordinuar me PS. Ai asnjëherë nuk ka vepruar me kokën e tij dhe madje edhe Kryeministri me të tjerët kanë pasur dijeni.

Por nëse SPAK ka pasur këtë qëllim, të na tregojë se si janë koordinuar punët, duket se ka ngatërruar qëllim. Qëllimi i saj është të bëjë drejtësi dhe jo politikë.

Ne presim fakte, ndërsa SPAK po krijon një makineri manipulimi në publik. Dosja që doli po keqpërdoret në mënyrën më të keqe të mundshme. Fjalët po dalin nga konteksti dhe po bëhen makinacione shumë të ulëta.

SPAK nuk ka nevojë për shou, për spektakle, për të ‘fryrë’ opinionin publik përmes të tilla skemave. Mjafton të na tregojë provat si për Veliajn dhe shumë të tjerë se ky ka vjedhur kaq dhe tjetri aq dhe e ka fituar besimin.

Reforma në drejtësi u bë për të goditur politikën dhe jo për të qenë njësoj si ajo. Nëse SPAK nuk e ka kuptuar këtë gjë, atëherë nga drejtësi do përfundojmë në anarki. /Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial