TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Prill 2025, 10:06

Zhvilluesi i pronave, spiuni dhe fatet e botës

Shkruar nga Marco Follini

 

Zhvilluesi i pronave, spiuni dhe fatet e botës
Vladimir Putin dhe Donald Trump /

Nëse politika reduktohet në një ndërtesë që blihet dhe shitet, apo në një dosje që studiohet në fshehtësi të madhe, është fare e dukshme se do të lindin pasoja negative, të cilat i çojnë gjërat përtej mundësisë për t’i mbajtur nën kontroll...

Sot fati i botës i është besuar kryesisht dy zotërinjve, karakteri dhe sjellja e të cilëve, është shumë e ndikuar nga gjurmët e jetës së tyre të mëparshme. Njëri është një zhvillues pronash, që e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës dhe e ka ndërtuar pjesën më të madhe të pasurisë së tij duke blerë dhe shitur ndërtesa.

Tjetri është një agjent sekret, ose siç njihet në gjuhën popullore një spiun, që duke i ngjitur shkallët e karrierës në radhët e shërbimeve sekrete të perandorisë sovjetike, ka mësuar si të sillet përballë rrjeteve sekrete, komploteve, dyshimeve dhe maskimeve nën identitete të rreme.

Dhe nuk mendoj se nuk po i respektojmë ata, duke vënë në dukje se e kaluara e tyre, ndoshta jo gjithnjë aq e qartë, duhet t’i ketë mësuar se si të ecin nëpër shkallaren e pushtetit. Sot politika nuk mund të jetë një profesion, dhe as një nga ato urdhra profesionale, ku pretendohet të ndreqet një mënyrë veprimi në emër të logjikës korporative.

Janë votuesit ata që zgjedhin, dhe prej kohësh zgjedhjet e tyre, janë karakterizuar gjithmonë nga ankthi, dëshira për ndryshim, nga mosbesimi ndaj atyre që janë caktuar të merren me atë punë. Dhe që shpesh dhe me dëshirë kanë qenë radhët e shoqërisë civile, ato që i kanë ofruar jetës publike njerëz dhe talente, të cilët më pas kanë fituar mirënjohjen e pasardhësve.

Pra, në këtë fushë nuk ka dhe s’duhet të ketë asnjë ekskluzivitet. E megjithatë ka një vlerë që politika ua transmeton atyre që e kultivojnë si një çështje kryesore të ekzistencës së tyre. Dhe është vetëdija që edhe ta gjesh veten në opozitë, të pësosh disfata, të zbresësh nga kali, të luftosh për të fituar vëmendjen - me pak fjalë, të hash dhe - është tek e fundit një nga ato momente në jetë që të ndihmojnë të rritesh.

Profesionisti në këto gjëra, djali që fillon t’i bluajë ato në mendje që kur vishet ende me pantallona të shkurtra shumicën e kohës, duke hipur dhe zbritur shkallët e pushtetit, na mëson se edhe momentet më të vështira vlejnë diçka. Edhe sepse ato e kalitin karakterin tonë.

Por mbi të gjitha, sepse ato na mësojnë atë që ndonjëherë suksesi na bën ta harrojmë. Pra që njeriu nuk ia del kurrë i vetëm që të ketë sukses, dhe as vetëm falë talentit të vet personal.

Udhëheqësit e mëdhenj politikë e pranojnë humbjen e tyre, madje edhe zhdukjen e tyre nga skena publike, si një haraç të detyrueshëm ndaj pasionit të tyre qytetar. Dhe shumë herë ata kënaqen duke u përfshirë në betejat e pakicave, madje edhe në ato të dëshmive.

Sepse aty, në ato qoshe të errëta të përvojës së tyre, ata mësojnë që ta përmirësojnë veten.

Fitorja nuk është kushti për të qenë në fushën e lojës. Përkundrazi, është shija e lojës, e mosmarrëveshjes, e polemikave, ajo që i ndriçon ditët e tyre.

E di shumë mirë që profesionisti i jetës publike, shfaqet pothuajse gjithmonë si një figurë e pakëndshme, ndonjëherë edhe e urryer. Por nëse pasioni i tij është origjinal, këmbëngulja e tij bart edhe diçka të virtytshme. Ndërkohë, ajo që duket se del nga kancelaritë me më peshë sot në botë - Uashington, Moskë, Pekin - është se rëndësi ka vetëm vetë-konfirmimi, ndërsa dialektika është shndërruar në një barrë e rëndë dhe të bezdisshme.

Kështu ndodh që ata që marrin përsipër levat e pushtetit, janë pikërisht ata që kanë mësuar të ngjiten në majat më të larta, pa e menduar ndonjëherë mundësinë që mund të mposhten apo edhe të rikthehen tek rregulla pak më të rrepta të vendimeve të përbashkëta, pra me të tjerët.

Por nëse politika reduktohet në një ndërtesë që blihet dhe shitet, apo në një dosje që studiohet në fshehtësi të madhe, është fare e dukshme se do të lindin pasoja negative, të cilat i çojnë gjërat përtej mundësisë për t’i mbajtur nën kontroll.

Pra karakteri gjithnjë e më vertikal i politikës, përfundon duke mos i lënë vend asaj dialektike të lashtë që përpiqet të kërkojë arsyet tek merita e gjërave, dhe jo tek forca brutale dhe e vetmuar që i shtyn politikanët drejt vijës së finishit./Pamfleti nga “La Stampa”

zhvilluesi i pronave spiuni fatet e botës trump putin

Lini një Përgjigje

Editorial