Sot, kur jemi në mesin e lufte të hapur ekonomike si ndaj aleatëve ashtu edhe kundërshtarëve përmes tarifave, së bashku me një luftë kundër punës së emigrantëve, teknologjia e informacionit dhe oligarkët e komunikimit po e dominojnë administratën Trump.Këtyre oligarkëve, u është dhënë liria për të masakruar institucionet shtetërore në emër të efiçencës financiare, duke çuar në eliminimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës.
Kur u pyet se “Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u dërgonit brezave të ardhshëm arabë?”, një artiste e zgjuar arabe u përgjigj me ironi: “Do t’u thosha që të mos vijnë fare!”. Kjo deklaratë, pasqyron gjendjen e rënduar të botës arabe, që vazhdon të vuajë pasojat e vendimeve të marra nga të tjerët.
Fuqia për të ndikuar dhe nxitur ndryshimin, është e përqendruar në duart e pak fuqive botërore por edhe pak individëve. Kudo, jo vetëm në botën arabe apo të ashtuquajturën Bota e Tretë, rëndësia e individit po zvogëlohet çdo orë që kalon, përballë përparimeve teknologjike alarmante të shkaktuara nga “revolucioni i informacionit” dhe teknologjitë e komunikimit.
Edhe në SHBA, urdhrat ekzekutivë të firmosur nga presidenti Donald Trump, të miratuara dhe të promovuara nga figura si Elon Musk, po e dobësojnë rolin e individit, në kuadër të një përkeqësimi të shpejtë të sistemit të vlerave mbi të cilin u themelua ky vend.
Dhe mendoj se ky erozion vetëm sa do të përshpejtohet, pasi të hyjmë plotësisht në epokën e Inteligjencës Artificiale, e cila do të vazhdojë të jetë objekt i shumë debateve. Çështja thelbësore është e njëjtë në çdo vend. E kemi të vështirë të gjejmë ekuilibrin midis “përthithjes” së ritmit të përparimit teknologjik nga njëra anë dhe ruajtjes së kohezionin social, stabilitetit politik dhe dinjitetin njerëzor nga ana tjetër.
Kjo sfidë është e dukshme në çdo vend, sidomos në Evropë, e cila po përballet me një krizë demografike të rëndë. Megjithatë, dallimi qëndron tek mënyra se si vendet i qasen kësaj çështje. Thelbësore janë 2 pika: së pari, si e menaxhojnë dhe kontrollojnë sfidën dhe së dyti si i ndajmë përgjegjësitë.
Shpejtësia e ndryshimeve teknologjike, i ka çuar disa vende të mëdha perëndimore në përfundimin se punësimi i plotë i përket tashmë së kaluarës. Ata e kanë njohur nevojën për t’u përshtatur me normat e larta të papunësisë, që do vazhdojnë të rriten teksa teknologjitë e reja dhe më vonë AI do të zhdukin shumë vende pune.
Të parat do të goditen punët e pakualifikuara, dhe brenda pak vitesh kriza do të shtrihet në sektorët e punës së kualifikuar. Disa dekada më parë, vetëdijësimi në rritje se punësimi i plotë kishte qenë një iluzion, çoi në rënien e rolit të sindikatave dhe për rrjedhojë në rrëzimin e teorisë së luftës së klasave, e cila tradicionalisht i kishte ndarë shoqëritë horizontalisht.
Interesat u kundërshtuan nga grupime të ndara vertikalisht, midis fuqisë punëtore lokale dhe punëtorëve emigrantë të ardhur në vend. Në disa vende, si Britania e Madhe, ky ndryshim u manifestua në rritjen e nacionalizmit izolues, që u bë forca shtytëse e largimit të saj nga BE.
Sindikatat kishin marrë tatëpjetën që në kohën e Margaret Thatcher, pasi forcat e tregut e detyruan Britaninë të adoptonte teknologji të reja. Industritë tradicionale, përfshirë sektorin e minierave, zunë vendin e dytë duke ia lënë të parin shërbimeve, financave dhe teknologjive në zhvillim.
Ky ndryshim, u përforcua kur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, BE eliminoi barrierat midis tregut britanik të punës dhe punëtorëve me paga të ulëta nga vendet e Evropës Lindore ku ishte shembur komunizmi. Fluksi i madh i emigrantëve, nxiti pakënaqësinë e klasës punëtore vendase ndaj konkurrentëve të tyre të huaj.
Kështu, u shfaqën dy konflikte të gjera interesash: njëri midis punëtorëve vendas dhe atyre emigrantë me paga më të ulëta, dhe i dyti mbi taksat, pasi kapitalistët e shquar të Britanisë u dëmtuan shumë nga rregulloret evropiane që forconin rrjetat e sigurisë për klasën punëtore. Interesat kundërshtare midis së majtës (lëvizja punëtore) dhe të djathtës (kapitalistët) u bashkuan në kundërshtimin e unitetit evropian, duke çuar në fitoren e atyre që mbështetën Brexit, daljen nga blloku.
Franca, Gjermania, Holanda, Italia dhe vende të tjera pësuan ndryshime të ngjashme. Partitë tradicionale të majta, të bazuara në ideologjinë e luftës së klasave u rrudhën shumë, teksa nisën të rriteshin partitë dhe lëvizjet nacionaliste, në disa raste edhe raciste. Këto forca ndërtuan strategjitë e tyre rreth kundërshtimit të migracionit, qoftë nga Afrika e Veriut (si në Francë, Holandë dhe Spanjë), Turqia, Bosnja dhe Evropa Qendrore, apo nga Iraku dhe Siria në rastet e Gjermanisë dhe Suedisë.
Ndërkohë, edhe SHBA-ja, një vend i ndërtuar nga emigrantët, po kalonte një metamorfozë. Prioritetet e Luftës së Ftohtë dhe konfliktet e saj të zgjatura globale, kishin lënë në hije shumë nga të çarat në strukturën e kapitalizmit amerikan. Këto shqetësime gjeopolitike, i lejuan udhëheqësit si në Partinë Republikane ashtu edhe në atë Demokratike që të shmangnin adresimin serioz të çështjeve sistematike si borxhi, deficitet e vazhdueshme buxhetore dhe rënia e konkurrencës.
Probleme, që në fund çuan në zvogëlimin e shumë industrive. Më pas, me triumfin e SHBA-së në kulmin e saj pas viteve të unipolaritetit, filluan të dalin në sipërfaqe problemet dhe pasojat, veçanërisht kriza financiare e vitit 2008. Kjo krizë, tregoi se si kombi që kishte zotëruar artin e luftës kishte dështuar të fitonte betejën e paqes.
Por edhe zbrazëtinë e parullave mbi lirinë ekonomike, duke shkatërruar vetë parimet që SHBA-ja promovoi në mënyrë agresive në mbarë botën, ndër të cilat kryesori ishte hapja ekonomike, përqafimi i investimeve të lira dhe refuzimi i tarifave dhe proteksionizmit.
Sot, kur jemi në mesin e lufte të hapur ekonomike si ndaj aleatëve ashtu edhe kundërshtarëve përmes tarifave, së bashku me një luftë kundër punës së emigrantëve, teknologjia e informacionit dhe oligarkët e komunikimit po e dominojnë administratën Trump.
Këtyre oligarkëve, u është dhënë liria për të masakruar institucionet shtetërore në emër të efiçencës financiare, duke çuar në eliminimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës. Përmes një rritje të retorikës ekstreme nacionaliste të marrë drejtpërdrejt nga lëvizja “Make America Great Again”, Uashingtoni po kërcënon sovranitetin e Kanadasë, po përplaset me Danimarkën për blerjen e Grenlandës dhe po e rihap debatin mbi kontrollin e Kanalit të Panamasë.
Në këto kohë, janë me vend 2 thënie të famshme. Një e studiuesi norvegjez dhe fituesit të Nobelit, Christian Lous Lange: “Teknologjia është një shërbëtor i dobishëm, por një padron i rrezikshëm!”. Dhe një tjetër që i atribuohet gjerësisht Albert Ajnshtajnit: “Është bërë shumë e qartë se teknologjia jonë e ka tejkaluar njerëzimin!”./ Përshtati nga “Ara News”, Pamfleti
Lini një Përgjigje