TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Mars 2025, 09:30

Ëndrrat e brishta të Erdoganit!

Shkruar nga Nikos Konstandaras
Ëndrrat e brishta të Erdoganit!
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan

E përbuzur nga Trump, Evropa nuk mund t’i “falet” autokratit të radhës

Vizionet e Recep Tayyip Erdogan nuk kanë kufij. Nga “kufijtë e zemrës sonë”, që shtrihen shumë përtej kufijve të Turqisë, deri tek kërkesa për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidenti i Turqisë shpreh dëshirat e tij sikur vetëm kjo të mjaftonte për të siguruar rezultatet madhështore që ai beson se i meriton.

Dhe ai bën të njëjtën gjë brenda Turqisë, ku pasi ka vendosur nën një kontroll të rreptë çdo aspekt të jetës publike, nuk lejon askënd që t pengojë hegjemoninë e tij të gjatë. Ai mbretëron absolutisht mbi partinë dhe qeverinë e tij.

Njeriu që dëshiron të ringjallë Perandorinë Osmane, mishëron një paradoks të madh: ndërsa po shtyn përpara projektin e tij të madhështisë perandorake, ai harron se perandoritë, dinastitë, strukturat fetare bazohen në vazhdimësi, jo në marifete si “pushtimi” i dytë pompoz i katedrales Hagia Sophia në Stamboll.

Vazhdimësia kërkon përgatitjen e pasardhësve të aftë për të mbrojtur përfitimet e dikurshme dhe për të siguruar suksese të reja. Erdogan nuk ka ndonjë trashëgimtar në partinë e tij, dhe po bën gjithçka që mundet për t’u siguruar që askush nga një grupim tjetër politik të mos jetë në gjendje të marrë drejtimin e vendit në ujërat e stuhishme të shekullit XXI-të, kur herët a vonë, Erdogan do të largohet nga skena politike.

Për vite me radhë, politika e jashtme e Turqisë ka qenë një projeksion i dëshirave dhe frymëzimeve private të Erdoganit, me kriterin e vetëm sigurimin e qëndrimit të tij në pushtet. Dhe kjo e bën Turqinë të paparashikueshme, kërkuese, por edhe fleksibël.

Me fjalë të tjera, Erdogan mund të bëjë lëvizje të guximshme, mund të këmbëngulë në një politikë pa rrugëdalje, dhe më pas mund ta ndryshojë papritur veten. Askush në Turqi nuk mund të ndikojë në vendimet e tij. Të gjithë ndjekin urdhrat e tij.

Ai e ndëshkon ashpër kundërshtimin dhe sillet sikur të mos ketë kurrë ndonjë pikëpyetje ndaj mençurisë së veprimeve të tij. Kur nuk i pëlqen një rezultat zgjedhor, e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, derisa të arrijë atë që do.

Në rast se fiton me një shumicë të ngushtë (siç ka ndodhur), sillet sikur kjo të ishte një fitore plebishitare, duke u imponuar të gjithëve vullnetin e tij, pa e respektuar faktin se jo të gjithë janë dakord me të.

Erdogan e ka shtypur “shoqërinë civile”. Njerëzit që përqafuan demokracinë liberale dhe që besonin se Turqia po ndryshonte, janë sot në burg ose heshtin. Shumë pak prej tyre guxojnë të protestojnë në publik.

Edhe rivali më i fortë i mundshëm i Erdogan, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, ndodhet nën një presion të vazhdueshëm gjyqësor, në një përpjekje për t’i mohuar pjesëmarrjen e tij në politikë.

Ndërsa Erdogan bën si të dojë, ai po e dëmton Turqinë: Politika dhe shoqëria nuk zhvillohen pa probleme, dhe nuk krijojnë sot udhëheqës të rinj. Ekonomia pësoi dëme të mëdha nga keq-menaxhimi i viteve të fundit, për shkak të fiksimeve të presidentit me disa politika monetare të gabuara.

Megjithatë deri më tani, Erdogan i ka shijuar frytet e sjelljeve të tij autokratike. Në fakt, së fundmi sjellja e tij duket e justifikuar me faktin se klubi i liderëve autokratë është rritur me përfshirjen edhe të presidentit aktual të SHBA-së Donald Trump.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian, i cili beson se është i kërcënuar nga Trump, duket se po kërkon mbështetje nga Erdogani, politikani që personifikon të kundërtën e parimeve të bllokut.

Në kërkimin e një zgjidhje magjike e të menjëhershme, disa udhëheqës evropianë duket se janë indiferentë se kush është Erdogan, dhe kush mund ta pasojë atë. Kjo qasje, nuk do të ndihmojë as Evropën dhe as Turqinë./Përshtati "Pamfleti", nga “Kathimerini”

Ëndrrat e brishta të erdoganit!

Lini një Përgjigje