Analistët flasin për të paktën 4 skenarë të mundshëm, ku më i keqi është ai “bullgar”, një krizë politike e gjatë, e cila do të vinte në pikëpyetje marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë...
Edhe pse zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur që më 9 shkurt, nuk janë shpallur ende rezultatet përfundimtare, për shkak të ankesave të dorëzuara në Kolegjin Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa. Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje (VV) e udhëhequr nga Albin Kurti ka fituar 42 për qind të votave dhe 48 vende në parlament.
Edhe pse zuri vendin e parë, partia e Kurtit arriti një rezultat më të dobët se në vitin 2021, kur fitoi 50 për qind të votave dhe 58 mandate. Analistët që folën për portalin tonë, theksojnë se është ende e pasigurt nëse Kurti do të mbetet në krye të qeverisë, pasi deri më tani partitë kryesore opozitare kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit të forcave me VV-në.
Formimi i qeverisë në Kosovë, kërkon më shumë se 60 vende në parlamentin prej 120 anëtarësh, 10 prej të cilave janë të rezervuara për komunitetin serb, dhe 10 për pakicat e tjera etnike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë fitoi 21 për qind të votave dhe 24 vende, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që mori 18 për qind të votave dhe 20 mandate.
Ndërkohë koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)-NISMA, ka siguruar më shumë se 7 për qind të të votave dhe 8 vende. Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos dhe anëtare e Grupit Këshillimor për Politikat në Ballkan në Evropë (BiEPAG), thotë se Vetëvendosje nuk mund të qeverisë më e vetme, teksa rikthimi i qeverisë së koalicionit ngre pikëpyetje thelbësore mbi stabilitetin e qeverisë së ardhshme.
Sipas saj, janë të mundshëm 4 skenarë: një qeveri të shumicës, një qeveri e pakicës, një koalicion i tipit “të gjithë kundër Kurtit”, dhe një krize e gjatë politike. “Një skenar i diskutuar gjerësisht, është një koalicion i mundshëm ndërmjet Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë së dytë më të madhe në vend.
Një aleancë e tillë do të siguronte 61 votat e nevojshme për të formuar një qeveri, Madje edhe 80 votat e nevojshme për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Por realitetet politike e bëjnë këtë koalicion gjithnjë e më të pamundur.
Pa një partneritet mes Vetëvendosjes dhe partisë së dytë apo të tretë më të madhe, Kosova rrezikon të formojë një qeveri të brishtë ndaj manovrave të vazhdueshme politike, sidomos kur bëhet fjalë për sigurimin e votave për marrëveshjet vendimtare ndërkombëtare”- nënvizon Emini.
Në lidhje me skenarin e dytë, ajo thekson një qeveri e pakicës do të ishte jetëshkurtër. Sipas Eminit, sfida më e madhe do të vijë vitin e ardhshëm kur Kosova duhet të zgjedhë një president të ri, që do të kërkojë 80 vota në parlament, prag të cilin një qeveri e pakicës do ta kishte të vështirë të arrinte, ndaj nuk përjashtohet mundësia e shkuarjes sërish në zgjedhje parlamentare.
Duke folur për koalicionin “të gjithë kundër Kurtit”, Emini nënvizon se do të ishte “një alternativë më dramatike”. “Megjithatë, një qeveri e tillë do të ishte në thelb e dobët, e mbajtur në këmbë më shumë nga opozita ndaj Vetëvendosjes, sesa nga një vizion i përbashkët politik. Por si për ironi, ky skenar mund t’i sjellë dobi Kurtit në planin afatgjatë, pasi do e lejojë ta cilësojë ngërçin politik si dështim të opozitës dhe të kërkojë zgjedhje të reja, duke e forcuar potencialisht pozitën e tij”-shprehet ajo.
Së fundi, Emini paralajmëron mbi rrezikun e një krize të zgjatur politike, apo të ashtuquajturit “skenari bullgar”. “Kosova është përballur edhe më parë me periudha të gjata pa një qeveri funksionale, me maksimumin 6 muaj. Por këtë herë, kriza mund të jetë edhe më e rëndë, me pasoja serioze për qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme. Mund të bllokohen marrëveshjet kryesore ndërkombëtare dhe trajektorja demokratike e Kosovës mund të përballet me sfida të rëndësishme”- shpjegon Emini.
Nga ana tjetër Adelina Hasanit, studiuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, gjykon se skenari më i mundshëm është një qeveri e udhëhequr nga partitë opozitare me përfshirjen e përfaqësuesve të pakicave etnike.
Aleksandar Šljuka, studiues në “New Social Initiative” me qendër në Mitrovicë, thotë se është ende e vështirë të parashikohet se kush do ta formojë qeverinë e re. “Asnjë nga blloqet nuk ka mjaftueshëm deputetë për të formuar shumicën në parlament. Edhe nëse VVV-ja do të mbështetej nga partitë e pakicës jo serbe, por edhe nga partia e udhëhequr nga Nenad Rashic, përsëri nuk do të mjaftonte të formohej shumica”- sqaron Šljuka.
Ai përmendet zërat për një bashkim të NISMA-s së Fatmir Limaj me VV e Kurtit, por këto janë ende spekulime. Šljuka thotë se matematikisht, opozita mund të formojë shumicën, por ekziston një pengesë e madhe: vota e partive minoritare nuk është në unison.
“Një problem shtesë, është se bashkëpunimi i partive shqiptare me Listën Serbe është politikisht i padëshirueshëm, gjë që redukton ndjeshëm jo vetëm potencialin e koalicionit të Listës Serbe, por edhe opsionet për politikanët që aspirojnë të formojnë qeverinë e re.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, ka të ngjarë që askush të mos jetë në gjendje të formojë një qeveri, gjë që mund të çojë në zgjedhje të reja”- vëren ai. Nga ana tjetër 3 analistët bien dakord se qeveria e ardhshme e Kosovës do të ballafaqohet me sfida të shumta, duke përfshirë dialogun Beograd-Prishtinë dhe marrëdhëniet me administratën e Donald Trump.
“Rindërtimi i raporteve me Brukselin dhe shtetet anëtare kyçe të BE-së duhet të jetë një prioritet kryesor, në rast se Kosova shpreson të heqë sanksionet”- thotë Donika Emini. Ndërkohë për Adelina Hasanin, një nga sfidat më të rëndësishme për qeverinë e re do të jetë dialogu Kosovë-Serbi dhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM), të cilin BE-ja dhe SHBA-ja e kanë vendosur si një kusht kyç për përparimin e negociatave.
“Peizazhi gjeopolitik po ndryshon me rikthimin e administratës Trump. Pasiguritë globale në rritje, e kanë bërë më të brishtë peizazhin e sigurisë së Kosovës, duke rritur nevojën për një qeveri të qëndrueshme, të aftë për të ndërtuar konsensus politik dhe u përballur me këto sfida”- vëren Hasani.
Sipas saj, nëse partia e Kurtit formon një qeverinë e re “ka gjasa të përballet me tensione me administratën e re amerikane”. Kjo duke pasur parasysh rolin e Richard Grenell, i dërguari i Trump për misionet speciale dhe ish i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, i cili e ka etiketuar hapur Kurtin si anti-perëndimor.
Lini një Përgjigje