TAGS-AT E JAVËS

Editorial10 Mars 2025, 14:34

Tre sfidat më të mëdha të riarmatimit të Evropës

Shkruar nga Guido Tabellini
Tre sfidat më të mëdha të riarmatimit të Evropës
Ushtria evropiane /

Garantimi i mbrojtjes së pavarur të kontinentit, nuk është vetëm çështje burimesh financiare. Duhet ndërtuar një strukturë komanduese efektive, shërbime sekrete të integruara dhe një trup diplomatik i përbashkët.

Përshpejtimi i veprimeve nga Komisioni Evropian për riarmatimin e bllokut dhe për një politikë të përbashkët të mbrojtjes, është një hap i rëndësishëm në një kurs të detyrueshëm. Por ky është vetëm një hap i parë, në një rrugë ende shumë të gjatë, që mund të çojë vetëm në një bashkim politik më të plotë dhe më të avancuar midis vendeve evropiane.

Metoda ndërqeveritare, mbi të cilën është bazuar deri tani projekti evropian, e lë përgjegjësinë politike në duart e qeverive të shteteve anëtare. Kjo metodë, gëzon avantazhin e madh të lënies së vendimeve më të rëndësishme një organi të legjitimuar nga institucionet politike kombëtare. Por nga ana tjetër, disavantazhet janë po aq të dukshme. Meqenëse çdo udhëheqës është përgjegjës ndaj zgjedhësve të tij, atëherë diskutimi përqendrohet në mbrojtjen e interesave kombëtare afatshkurtra dhe jo tek prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian.

Ne po shqetësohemi më shumë nëse burimet financiare për riarmatimin, po u hiqen përfituesve të fondeve të kohezionit, apo se cili vend do të përfitojë më shumë nga rritja e shpenzimeve për armatimet. Por në vend të kësaj, duhet të mendojmë se si të ndërtojmë një strukturë komanduese efektive, shërbime sekrete të integruara dhe një trup diplomatik evropian.

Deri më sot, mbrojtja e Evropës është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Dhe jo vetëm me armë, ushtarë dhe teknologji, por edhe me udhëheqjen e saj. Në rast se nuk mund të mbështetemi më tek SHBA-së, atëherë përveç riarmatimit, duhet të projektojmë dhe ndërtojmë edhe një strukturë komanduese të integruar dhe të krijojmë kapacitete vendimmarrëse të përshtatshme.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për burime financiare, por edhe mbi të gjitha për sovranitet politik. Kush do të vendoste nëse dhe si do të përdoret një ombrellë e mundshme bërthamore? Kush duhet të japë urdhër për të rrezikuar jetën e ushtarëve, dhe cilët do jenë ata? Me çfarë strukture komanduese? Dhe për të mbrojtur cilët kufij?

Është e vështirë të imagjinohet se për këto pyetje mund të ketë përgjigje të duhura, nëse Evropa nuk ndërton një sovranitet politik më të fortë dhe më të integruar, ku qytetarët të marrin pjesë drejtpërdrejt në zgjedhjet politike evropiane, pa ndërmjetësimin e qeverive kombëtare.

Një kundërshtim i zakonshëm ndaj idesë së një bashkimi politik evropian, është se interesat ekonomike dhe politike dhe traditat kulturore të shteteve anëtare, janë shumë të ndryshme që të funksionojë një ide e tillë. Por kushdo që e mbron këtë tezë, harron se sa larmi interesash dhe këndvështrimesh të ndryshme ka brenda çdo shteti.

Në një studim të fundit nga Universiteti Bocconi në Milano, ne krahasuam opinionet e qytetarëve evropianë mbi një gamë të gjerë temash në lidhje me qëndrimet kulturore dhe politikat publike. Dallimet e opinioneve ndërmjet qytetarëve që i përkasin shteteve të ndryshme anëtare, janë në thelb të ngjashme me ato të vërejtura brenda secilit prej tyre.

Pra ajo që e bën të vështirë bashkimin politik, nuk është dhe aq mospërputhja e interesave, por mbizotërimi më shumë i identiteteve kombëtare se sa i atyre evropiane. Por identitetet janë të lakueshme dhe ndikohen nga qëndrimet politike.

Një ndër defektet e metodës ndërqeveritare, është edhe ajo e përforcimit të identiteteve politike kombëtare, në kurriz të një identiteti të përbashkët evropian. Por kërcënimet e jashtme, janë shpesh metoda më efektive për përforcimin e identiteteve të përbashkëta.

Nga ky këndvështrim, Donald Trump po i jep Evropës një mundësi historike për të krijuar më në fund një bashkim të vërtetë politik. Kundërshtim i dytë, është se fragmentimi politik, nga një këndvështrim historik, i ka sjellë dobi Evropës. Tek e fundit, gjatë shekujve të kaluar, gara midis shteteve dhe eksperimentimi i ideve alternative politike, e bënë Evropën më të fortë dhe më të aftë për inovacione.

Tani që midis evropianëve duket se është zhdukur rreziku i luftërave vëllavrasëse, një Evropë më e integruar politikisht, do të ishte ndoshta më statike dhe më e prirur për të bërë gabime sesa një Evropë e integruar politikisht. Ky arsyetim, ka sigurisht vlefshmëri historike, por nuk merr parasysh se çfarë ka ndryshuar.

Në një botë të dominuar nga vende të mëdha, dhe ku janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme ekonomitë e shkallës të lidhura me teknologjitë e reja dixhitale, fragmentimi politik është bërë i paqëndrueshëm. Sot, avantazhi konkurrues i Evropës, nuk vjen më nga eksperimentimi me modele të ndryshme kombëtare, por nga aftësia për të shfrytëzuar plotësisht madhësinë dhe potencialin e burimeve tona kolektive.

Një kundërshtim i tretë, është ndoshta më seriozi: nuk kemi kohë. Kërcënimet janë të menjëhershme, nga lufta në Ukrainë, ndryshimet autoritare në Shtetet e Bashkuara dhe deri tek shpejtësia e transformimit teknologjik. Dhe ato kërkojnë përgjigje urgjente.

Reformimi i institucioneve politike të Evropës, do të ishte një shpërqendrim që ne nuk kemi luksin  ta përballojmë. Por a ka vërtet alternativa? Është e vërtetë se reformat institucionale kërkojnë kohë, dhe ndoshta jo të gjitha shtetet anëtare janë gati. Por nuk mjafton që të shpenzohet më shumë për mbrojtjen apo të forcohet tregu i përbashkët.

Ka ardhur koha të diskutohet edhe se si të ndërtohet një Evropë më politike, dhe si të binden qytetarët se janë evropianë, para se të jenë italianë, francezë apo gjermanë. Pikërisht për shkak se arritja e këtyre ndryshimeve kërkon kohë, sa më shpejt që të fillojmë, aq më mirë do të jetë./Pamfleti nga “Il Foglio”

riarmatimi i evropës sfidat

Lini një Përgjigje