
Ujku, Ujku, por çakalli bën kërdinë!
Largimi i amerikanëve nga SPAK duket nuk ka lënë asnjë vakum në drejtësinë e re, përkundrazi, ka rritur edhe më shumë mbështetjen dhe vemëndjen.
Siç mësohet, pas vizitës së ambasadorit britanik dhe atyre të BE-së në selinë e SPAK, që kanë shprehur mbështetjen, aksioni i aparateve të tyre ka qenë i menjëhershëm dhe efikas.
Me veprime energjike shërbimesh, por edhe me presion politik reaktiv, fuqitë europiane kanë arritur të zbythin përfundimisht aksionin për të ndryshuar apo reformuar prokurorinë speciale.
Deklaratat e njëpasnjëshme të Sali Berishës se SPAK-u nuk është nën kontrollin e Edi Ramës, apo ajo e sotmja, ku tha se dështoi bashkimi i votave në Kuvend dhe përmendi rastin e Etjen Xhafës, ishin një mesazh i qartë ndaj britanikëve dhe gjermanëve. Berisha ka vendosur të rrijë urtë e nuk do të sulmojë më SPAK dhe kreun e tij Altin Dumani.
Deklarata e sotme e Berishës, ishte mjaft e koduar, pasi përmendi vetëm Arben Krajën, një nga prokurorët e dosjes ‘Partizani’, ndërkohë që nuk e përmendi fare prokurorin tjetër, që është pikërisht kreu i prokurorisë speciale.
Berisha foli mbi rastin e Etjen Xhafës, pikërisht për të treguar se e ka kuptuar mesazhin, e për të thënë se nuk është ai, por mazhoranca që po bën agresion ndaj SPAK-ut.
Edi Rama, disa ditë pas një sulmi të pandërprerë ndaj SPAK, u pendua dhe ju kërkoi deputetëve të PS-së, të ndalojnë çdo deklarim publik. Ai mori shkas ndaj një qëndrimi të Etjen Xhafajt, i cili në të vërtetë nuk sulmoi fare SPAK, thjesht dha opinionin e tij për rastin “Veliaj”.
Ndjekur edhe nga deklarata e Edi Ramës se “ne tani nuk do të heshtim por do të themi opinionin tonë”.
Etjen Xhafaj, as nuk sulmoi njeri dhe as nuk agresoi SPAK, thjesht dha një opinion në një emision televiziv, i thirrur nga gazetarët.
Ajo që ka bërë Edi Rama është krejt tjetër gjë, pasi ai nuk është pyetur nga askush, por ka dhënë një qëndrim zyrtar, në mbledhjet e grupit parlamentar të PS, pra si shef i mazhorancs, apo edhe nga zyra e tij e kryeministrisë, si shef qeverie.
Këto qëndrime të Ramës, janë kryekëput tjetër gjë, pasi bëhen nga pozita e drejtuesit të ekzekutivit dhe mazhorancës.
Mbrëmë vonë, kuzhina propagandistike e Ramës, furnizoi mediat pranë tij, me lajmin se kryeministri ka bërë për dush të ftohtë deputetin Etjen Xhafaj, për të dhënë një ‘Ok!’ tek britanikët e gjermanët, se e ka marrë mesazhin e tyre.
E gjithë kjo zbythje ka treguar se sa i fortë, sa intensiv dhe efikas ka qenë operacioni anglo-gjerman, i cili duket se nuk ka pasur jo vetëm fuqi, por edhe argumente për të ndalur Edi Ramën e Sali Berishën nga aksioni për të squllur SPAK-un.
Mësohet se u janë bërë të ditur dosje të tmerrshme që mund të zbulohen menjëherë, të cilat mund t’i hedhin në erë të dy nëse guxojnë më të agresojnë prokurorët e gjyqtarët.
E duket se ja kanë arritur; Si i thonë fjalës: ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje