TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Mars 2025, 06:17

Poshtërimi i Amerikës nga Donald Trump dhe J.D Vance

Shkruar nga Pamfleti

Poshtërimi i Amerikës nga Donald Trump dhe J.D Vance

Jemi në një rend të ri botëror, ku Perëndimi që njohim ne nuk është më Amerika, por vetëm Europa…

E gjithë skena e përgatitur nga mjeshtrat e Trumpit në Zyrën Ovale, ishte një teatër absurd. Trump, po posaçërisht J.D. Vance që është zëvendësi i tij, më i ri dhe energjik, ishin përgatitur ta poshtëronin Volodymir Zelenskyn, por që nuk ja arritën dot.

Presidenti i Ukrainës, edhe pse i tronditur dhe i vrarë në thëllësi të shpirtit për fyerjen që i bënë live, nuk la asnjë shans për ta poshtëruar. Ua tha live dhe në mënyrë të qartë se po ‘ktheheshin në vegla qorre të Vladimir Putinit’.

I tmerruar nga humbja e betejës, Donald Trump e zboi të ftuarin e tij, duke shkelur çdo kanon e protokoll botëror që nga lindja e qytetërimit.

“Largohu dhe ktheu me paqe”. Por Zelensky ja ktheu në mënyrën më të merituar replikën ku Trump tha se duhet ta mbyllësh luftën në 3 javë: Putin thotë në 3 ditë! Çfarë në realitet është dorëzimi, kapitullimi i Ukrainës. Ndërkohë që Oksana Markarova, ambasadorja e Ukrainës në SHBA, u ‘mbyt’ në vaj nga marazi, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i ktheu përgjigje të menjëhershme Zelenskyt, duke i thënë se nuk do të jesh vetëm.

Kremlini shpërtheu në ekstazë. Dimitri Medvedev, shkroi, siç thonë mediat europiane i mbytur në vodka se “derri Zelensky mori një goditje të fortë në Zyrën Ovale”. Ndërkaq, i dërguari rus për negociatat SHBA- Rusi për Ukrainën, Kirill Dmitriev, e quajti takimin Trump- Zelensky si “historik”.

Nuk ka vonuar përgjigja e evropianëve e cila ka qenë në krah të Ukrainës.

Megjithatë ne pamë një Amerikë të shëmtuar, shumë të shëmtuar, që sulmon të dobëtin për të përfituar, por që u turpërua në sytë e ukrainasve. Të cilët kanë tre vjet që luftojnë me rusët, ndërkohë që Europa është bashkuar fort në mbrojtje të Ukrainës.

Jemi në një rend të ri botëror, ku Perëndimi që njohim ne nuk është më Amerika, por vetëm Europa. E cila është e detyruar të bashkohet edhe më shumë rreth vlerave, për të cilat ka luftuar që nga revolucioni francez: barazia, liria dhe vllazëria.

Edhe pse me probleme, Europa është jo vetëm djepi i historisë dhe qyteterimit botëror, por edhe tregu i përbashkët më i madh e më i pasur në botë. Që e kanë zili të gjithë, sidomos Trump.

E bashkuar, Europa mund t’ia dalë; dikur edhe e ndarë ka sunduar botën. Megjithatë ky është një diskutim gjeopolitik, ajo që ndodhi sot në Zyrën Ovale është një shëmti e turpshme, dhe Amerika ka rënë shumë poshtë, kurse Selensky, sado i kritikuar të jetë të jetë, mbrojti dinjitetin e popullit të tij./Pamfleti

poshtërimi i amerikës donald trump j.d vance

Lini një Përgjigje

Editorial