TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Shkurt 2025, 12:14

Njerëzit tanë vdiqën për asgjë

Shkruar nga Lydia Baratta

 Njerëzit tanë vdiqën për asgjë

Udhëtim në Ukrainë, ku askush nuk e dëshiron paqen e Trump...

“Askush nuk i di detajet dhe çfarë synon vërtet Trump. Ekziston rreziku që një paqe e keqe ta dëmtojë shumë Ukrainën dhe të nxisë shumë pakënaqësi ndaj Perëndimit”

E ardhmja e ukrainasve nuk do të vendoset as në Uashington dhe as në Bruksel. Volodymyr Zelensky, sapo ka deklaruar se është gati të japë dorëheqjen në këmbim të hyrjes së Ukrainës në NATO. Por edhe nëse ai do të pranonte kushtet e Donald Trump dhe Vladimir Putin, kjo s’do të thotë se ushtria në front do të ndalojë së luftuari.

Ky është pak a shumë toni i diskutimeve që mund të dëgjohen midis ushtarëve ukrainas që janë kthyer në Kiev, për t’u thënë lamtumirë grave dhe fëmijëve. Ata thonë se janë “të zemëruar” dhe “pesimistë” nga diskutimet që po zhvillohen në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Disa prej tyre janë vullnetarë, të cilët pas datës 24 shkurt 2022 vendosën të bëhen pjesë e ushtrisë. Kur 3 vjet më parë, forcat e armatosura ruse nisën pushtimin e Ukrainën, ata ishin profesorë, mjekë, gazetarë, shkrimtarë.

Tre vjet më vonë, një kërkim i emrave të tyre në Google zbulon gjurmë të “jetës së tyre të mëparshme”. Xhaketat janë zëvendësuar me kamuflazhin, mjekrat janë bërë më të gjata dhe të bardha, ndërsa fytyrat janë më të vrazhda.

Në këtë mes ka martesa të dështuara, familje të ndara, fëmijë që janë bërë refugjatë në vende të tjera. “E keni me gjithë mend që gjithçka që ka ndodhur në këto vite, që të gjithë njerëzit që kanë vdekur, kanë ikur nga kjo botë për asgjë?”.

 Ky është reagimi mbi idenë e një marrëveshje të mundshme me Putinin. “Ne nuk mund të dorëzohemi. Ukrainasit duan paqe, por jo çdo lloj paqeje”-thonë ata. Duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit ukrainas të mbuluar nga bora e shkurtit, dikush ndeshet me tabela që thonë “Kievi po ju pret pas fitores”- me imazhin e kryeëngjëllit Mikael duke tundur një shpatë.

Ndërsa në lindje vazhdon lufta për atë “fitore”, prej 3 vitesh netët ukrainase trazohen nga alarmet mbi sulmet ajrore ruse. Aplikacioni “Air Alert”, i lidhur me sistemin e mbrojtjes ajrore, tingëllon në telefonat inteligjentë me tingullin e një sirene, ndërsa zëri i Mark Hamill, aktorit që luan Luke Skywalker në serialin e famshëm “Star Ëars”, i fton njerëzit të shkojnë sa më shpejt në vendstrehimin më të afërt.

Në grupet WhatsApp dhe Telegram, me emoji raketash dhe bombash, tregohet nëse ato që kanë lëshuar rusët janë raketa apo dronë. Dhe sapo zgjohen nga gjumi nga zhurma e sirenave, duhet të vendosin brenda pak sekondash nëse është apo jo koha të ngrihen nga shtrati, të zgjojnë fëmijët, të veshin palltot, këpucët dhe të vrapojnë për të shpëtuar kokën.

Dhe tani kanë kaluar mbi 1 mijë net të tilla. “Unë kam kohë që nuk vrapoj më drejt vendstrehimeve. Sepse alarmi në smartfonin tim bie disa herë në ditë. Nëse do vrapoja në çdo rast, do të bëja një jetë mjerane”- thotë Yevhen Hlibovytsky, drejtor i Institutit Frontier, një institut kërkimi i sociologëve dhe ekonomistëve, që studion ndryshimet në shoqërinë ukrainase pas pushtimit në shkallë të gjerë.

“Sigurisht, jemi të lodhur, të traumatizuar dhe të rraskapitur pas 3 vitesh luftë, por kjo është mënyra e reagimit të Ukrainës. Kur zgjodhëm Zelenskyn, nuk e dinim se gjëja më e mirë e personalitetit të tij, ishte pikërisht aftësia për t’u përballur me tipa si Putin”-shton ai.

Tre vjet pas 24 shkurtit 2022, shoqëria ukrainase po përpiqet, edhe pse me vështirësi, që të mbetet e bashkuar. Pavarësisht se ka rënë nga norma prej mbi 90 për qind në ditët e para të agresionit rus, vlerësimi i presidentit është ende 57 për qind.

Dhe pavarësisht pretendimeve të Trump, 75 për qind e ukrainasve besojnë se zgjedhjet e reja nuk mund të mbahen për sa kohë që është ende në fuqi ligji ushtarak Sociologu thotë se përpara pushtimit rus, Ukraina ishte si një grupim flluskash që nuk komunikonin me njëra-tjetrën.

“Kishte njerëz që nuk ishin larguar asnjëherë nga fshati i tyre. Lufta zhvendosi një numër të jashtëzakonshëm njerëzish, ushtria u bë një vendtakim i mrekullueshëm. Rrjetet e vullnetarëve ndërthurën botë që më parë nuk kishin lidhje, dhe flamuri u bë simbol i rezistencës së përbashkët. Sa mund të zgjasë e gjithë kjo? Identiteti ukrainas është krijuar për një luftë që mund të zgjasë shumë”-thotë Hlibovytsky.

Nga ekonomia tek familjet, nga zakonet e përditshme tek institucionet demokratike, duket sikur në këto 3 vite Ukraina është rishpikur dalëngadalë, dhe ka gjetur një mënyrë për të bashkëjetuar me luftën. Që nga 24 shkurti 2022, 1 milion ukrainas kanë shkuar për të luftuar, përfshirë mbi 100.000 vullnetarë.

Gjashtë milionë e gjysmë kanë emigruar jashtë vendit, ndërsa 5 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. Vitin e kaluar, mosha e shërbimit ushtarak u ul nga 27 në 25 vjeç. Pagat e ushtarëve janë rritur dhe janë ofruar stimuj për t’u regjistruar.

Por ka mungesa të dukshme për zëvendësimin e trupave në front. Nuk po shihen më radhët e gjata të rekrutëve të rinj për të zëvendësuar ushtrinë në lindje dhe dhjetëra mijëra ushtarë kanë dezertuar nga ushtria. Edhe pse në vitin 2024 u krijuan 11 brigada të reja, rusët vazhdojnë të përparojnë.

“Gjatë vitit të kaluar, kemi humbur 3600 km2 territor, kryesisht në jug. Në vitin  2023, humbëm vetëm 2300 km2”- shpjegon Mykola Beleskov, një analist në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike.

”Është e qartë se kemi probleme të mëdha, por edhe rusët janë shumë nervozë. Pavarësisht epërsisë së tyre ushtarake, ata nuk kanë arritur ta fitojnë këtë luftë në 3 vjet. Falë administratës Biden dhe dërgesave amerikane në armë muajt e fundit, mendoj se do të jemi të sigurt për të paktën për 6 muajt e ardhshëm. Më pas, nuk e dimë”-- thekson ai.

Edhe pse lufta nuk ka përfunduar ende, vendi po mbushet me memoriale. Të tilla janë ngritur në Irpin, rreth 30 km larg kryeqytetit apo në Bucha. Tek kjo e fundit është rikthyer 80 për qind e popullsisë, teksa 10.000 të tjerë janë shpërngulur aty nga lindja, duke marrë me qira apartamentet bosh të atyre që janë ende jashtë vendit.

Flamujt verdhe-blu që përkujtojnë ushtarët e vrarë, mbulojnë pothuajse të gjithë krahun e djathtë të Sheshit Maidan në Kiev. Llogaritjet jozyrtare, flasin për rreth 80.000 të vdekur, por numri mund të jetë shumë më i lartë. Shumë njerëz, marrin pjesë në stërvitjet ushtarake çdo fundjavë.

Dhe të gjithë përpiqen të mbështesin ushtrinë sa të munden. Nga shumica tek opozita, nga punëtorët te intelektualët, nga të rinjtë te të moshuarit, ushtria është ajo për të cilën bien dakord të gjithë ukrainasit.

Disa njerëz mbledhin para online, disa në rrugë, disa kanë krijuar fondacione dhe fushata për mbledhjen e fondeve në mediat sociale, duke grumbulluar miliona dollarë. Ka restorante që ofrojnë ulje çmimi vetëm për ushtarët. Dhe nëpër dyqane mund të blihen ëmbëlsira dhe karamele, duke dhuruar një pjesë të çmimit për ushtarakët.

Një nga problemet kryesore të vendit tani është mungesa e fuqisë punëtore. Para agresionit rus, Ukraina kishte një nga popullsitë më të arsimuara në botë. Shtatëdhjetë për qind kanë arsim të mesëm ose të lartë, kryesisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Por që nga fillimi i luftës, 665.000 studentë universitarë janë shpërngulur tashmë jashtë vendit.

“Askush nuk i di detajet dhe çfarë synon vërtet Trump. Ekziston rreziku që një paqe e keqe ta dëmtojë shumë Ukrainën dhe të nxisë shumë pakënaqësi ndaj Perëndimit”- thekson Hlibovytsky./Pamfleti nga “Linkiesta”

njerzit tanë vdiqën për asgjë

Lini një Përgjigje

Editorial