
A ja ka lënë Donald Trump në patronazh Shqipërinë Rexhep Tajip Erdoganit?! Performancë që në një farë mënyre e bëri edhe në mandatin e parë
Nuk ka ndodhur asnjëherë që ambasada amerikane në Tiranë, të heshtë kaq gjatë pas një serie sulmesh dhe kritikash ndaj SPAK-ut.
Gjithë këto vite kemi parë që ambasadori amerikan në Tiranë, ka reaguar menjëherë sapo ka pasur një kritikë apo problem drejtuar Prokurorisë së Posaçme.
Si për të treguar qartësisht se SPAK dhe Altin Dumani janë “lule mos prek”, që kanë në mbrojtje qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, heshtja e vazhdueshme këto ditë, duket më shumë si qëndrim sesa si ndrojtje.
Një burim diplomaik i tha ‘Pamfleti’-t, se ka një komunikim me shkrim të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, i cili ka urdhëruar ambasadat nëpër botë, që të ndalojnë menjëherë deklaratat verbale në lidhje me politikat qeveritare amerikane.
Ambasadat, vijon urdhëri, do të duhet të bëjnë një restart të të gjitha qëndrimeve, duke i bërë jehonë politikës së re amerikane që ka nisur me administratën Trump.
Siç mësohet, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, ka vijuar që të dërgojë kabllograme të përditshme në adresë së zyrës së DASH për Ballkanin, për të gjithë zhvillimet që kanë ndodhur, përkatësisht sulmet ndaj SPAK dhe Altin Dumanit.
Diplomatja amerikane, ka sugjeruar se në mos një deklaratë, do të duhej të ketë një gjest tjetër siç mund të ishte një vizitë e saj në zyrat e SPAK apo postime në faqet zyrtare.
Përgjigja që ka marrë ka qenë e qartë; nuk do të ketë asnjë qëndrim publik deri në një urdhër të dytë. Burimi diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t se kjo performancë e Departamentit të Shtetit, tregon se do të ketë një qëndrim totalisht të ndryshëm për të gjitha politikat botërore.
Ai tha se nuk kemi të bëjmë me restart, por me një përmbysje totale.
Në mandatin e parë të Donald Trump, Departamenti i Shtetit ndoqi thuajse 60% të politikave botërore të mëparshme.
Ndërkohë, sot Trump ka vendosur që kjo politikë do të ribëhet nga e para. Të hënën në Shtëpinë e Bardhë, do të proklamohet strategjia e re nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare.
Kjo politikë fsheh diçka të rëndë, tha burimi, i cili shtoi se vetëm qëndrimi i Trump për Ukrainën tregon gjithcka. Ndërkaq, gazeta gjermane ‘Bild’, theksoi dje se do të ketë një largim të forcave amerikane nga Kosova.
Deklarata e Pete Hegseth, sekretarit të Mbrojtjes së SHBA në takimin e fundit të NATO-s ishte një këmbanë alarmi. Ai tha, se nuk do të jetë Pakti i Atlantikut ai që ka qenë këto vite. Po jetojmë kohë të reja me ndryshime të mëdha. Që J.D Vance e tha në Munih se kemi ‘një sherif të ri në qytet’, i cili po bën rregulla të reja.
Burimi diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t se ka të dhëna që Shqipërinë, Donald Trump t’ja ketë lënë si patronazh Rexhep Tajip Erdoganit. Performancë që në një farë mënyre e bëri edhe në mandatin e parë./Pamfleti
Lini një Përgjigje