
Duke humbur shumë kohë në luftë ndaj centristëve, e harroi kërcënimin real, të djathtën ekstreme. Dhe tani të gjithë po përballemi me pasojat…
Deri në 5 nëntor të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e establishmentit politik evropian, këmbëngulte se rritja e ekstremit të djathtë ishte një “stuhi kalimtare”. Ursula Von der Leyen e përdori fjalimin e saj pas zgjedhjeve evropiane të vitit të shkuar për të deklaruar se “qendra po reziston”.
Por ajo ndjenjë ndihej gjithmonë naive, ndërsa sot tingëllon si e shkëputur nga realiteti. Fillimi i mandatit të dytë të Donald Trump, shënoi momentin kur qendra ndaloi së shkërmoquri. Ajo është shembur tërësisht.
Socialdemokratët gjermanë, ende në qeveri, mund të marrin rezultatit të tyre më të keq që nga viti 1887, duke u renditur në sondazhe të tretët pas Alternativës për Gjermaninë (AfD) përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit, të cilat me siguri do të sjellin rrëzimin e kancelarit Olaf Scholz.
Mandati i dytë i rrëmujshëm i Emmanuel Macron, duket se ka gjithnjë e më shumë gjasa t’i lërë vendin një presidence të Marine Le Pen. Kujdesi i tepërt i Keir Starmer në qeverisjen e Britanisë, ka bërë që partia opozitar Reforma, të dalë mbi laburistët në disa sondazhe të kohëve të fundit.
Trump dhe aleatët e tij kanë ardhur në pushtet si një forcë anti-establishment. Fakti që ata mund ta bëjnë këtë, pavarësisht nga fakti se mbështeten nga shumë miliarderë, tregon se sa të talentuar janë propaganduesit e tyre.
Për të ndalur atë që duket si një rrëshqitje e pashmangshme drejt populizmit, të majtët kanë nevojë urgjente për një strategji për t’u përballur me narrativat e së djathtës ekstreme, së bashku me një program ekonomik që mund të sjellë rritjen e standardeve të jetesës.
Në një epokë të rritjes ekonomike modeste dhe të krizës së afërt klimatike, masat duhet të jenë radikale. Por pikënisja e pakëndshme është tek kjo e majtë aktualisht në kaos. Në Britani, institucionet janë goditur nga epoka e hegjemonisë neoliberale dhe të gjitha pasojat sociale, politike dhe ekonomike që rrjedhin prej saj.
Sot ka aq anëtarë në sindikata, sa kishte kur nisi Lufta e Dytë Botërore, kur popullsia ishte pak më shumë se gjysma e madhësisë aktuale. Me mbështetjen e tyre më të fortë në mesin e votuesve të rinj në zonat urbane, kandidatët e majtë janë shumë të disavantazhuar nga sistemet zgjedhore.
Por për t’u përballur me sfidën e këtij momenti, e majta duhet të heqë dorë nga ndjenja e saj instinktive e viktimizimit, dhe ta pranojë se me gjithë pakënaqësinë masive gjatë krizës financiare të 2008-ës, lëvizjet e saj elektorale kanë përfunduar në dështim ose stanjacion.
Korbinizmi në Britani ka mbetur vetëm një kujtesë. Ndërsa e majta amerikane ka degraduar, që kur Bernie Sanders humbi në garën për nominimin presidencial midis demokratëve. Edhe nëse Die Linke (Lidhja) rikthehet në Bundestag në zgjedhjet e 23 shkurtit në Gjermani, nuk do të ketë asnjë rol përcaktues
Në Greqi, Syriza ka qenë në pikiatë prej gati një dekade. Duke krijuar një koalicion të gjerë, e majta franceze ka dalë pak më mirë, por Jean-Luc Mélenchon nuk ka ende gjasa të mbërrijë në raundin e dytë të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Korbinizmi në Britani dështoi sepse ishte orientuar drejt zhvendosjes së qendrës, në vend se të mposhtte të djathtën nacionaliste. Përvojat formuese të aktivistëve dhe liderëve të saj, erdhën kur ata u organizuan kundër Cameron dhe Clegg për masat shtrënguese dhe kundër Tony Blair mbi Luftën në Irak.
Misioni ishte rivendosja e demokracisë sociale në rrjedhën kryesore politike pas disa dekadave, por ata nuk panë në horizont ardhjen e Brexi. Kur u shpall data e referendumit në fillim të 2016-ës, unë isha arkëtari i Momentum dhe organizator i grupit të krahut të majtë anti-Brexit “Është e mundur një Evropë tjetër”.
E kalova pjesën më të madhe të pranverës duke u përpjekur të nxisja veprimin e laburistëve. Por në përgjithësi reagimi i tyre ishte indiferenca. Për të fituar ndaj të djathtës nacionaliste, atëherë dhe tani, e majta duhet të mposhtë përmbajtjen ideologjike të projektit të Brexit, dhe të ofrojë një alternativë të fortë me bazë politikën klasore.
Mjerisht, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë Evropën, shumë segmente të së majtës po bien ende në grackën që u është ngritur. Në fillim të këtij muaj, Dan Carden, një deputet laburist i krahut të majtë, u zgjodh drejtues i një grupimi të rinovuar të “Laburistëve Blu” në Partinë Laburiste në pushtet, e cila do të bëjë fushatë për të reduktuar imigracionin.
Ai thotë se nuk e ka problem që ta etiketojnë “socialisht konservator”. Në Gjermani, Sahra Wagenknecht ka dhënë ilustrimin më të qartë të këtij modeli. E krijuar nga një fraksion e Die Linke, Bündnis Sahra Wagenknecht (Aleanca Sahra Wagenknecht, ose BSW), po garon në këto zgjedhje me një platformë shumë armiqësore ndaj emigracionit, me një mbështetje për vlerat tradicionaliste sociale, ndërprerjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, si dhe me disa reforma ekonomike socialdemokratike.
Deri pak vite më parë, ishte e zakonshme që pro-evropianët liberalë të besonin se qendra ishte shtëpia e natyrshme e progresivizmit, teksa populistët zinin të dyja skajet e spektrit politik.
Sot populizmi nacionalist i Wagenknecht, gjen një jehonë tek socialdemokratët danezë, të udhëhequr nga Mette Friedikson, të cilët po i ndalojnë që në det azilkërkuesit dhe po ushtrojnë presion ndaj BE-së që të miratojë kontrolle kufitare gjithnjë e më të ashpra.
Emmanuel Macron është mbështetur tek Tubimi Kombëtar i Le Pen për miratimin e ligjeve më të ashpra ndaj migracionit. Donald Tusk, kryeministri polak i qendrës, ka përjashtuar nga përgjegjësia penale rojet kufitare nëse ata qëllojnë me armë ndaj emigrantëve në kufi.
Ndërkaq, ata që shpërndajnë ushqime për emigrantët përballen me ndjekjen penale. Dhe tani, laburisti Starmer duket se është i vendosur të kopjojë qasjen brutale të konservatorëve ndaj migracionit, duke publikuar video të dëbimeve të tyre.
Në një shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Britanisë sipas Konventës së OKB-së për Refugjatët, qeveria Starmer synon të kriminalizojë njerëzit që hyjnë në mënyrë të parregullt dhe do t’i ndalojë ata të bëhen ndonjëherë shtetas britanikë.
Ndërsa e djathta ekstreme po merr pushtetin në Shtetet e Bashkuara dhe po përhapet në të gjithë kontinentin, zgjedhja me të cilën përballet e majta - për kufijtë, të drejtat e njeriut dhe ndërkombëtarizmin - do të vazhdojë të jetë akoma më urgjente. Dikur debate të tilla mund të shpërfilleshin. Por sot ato mund të diktojnë të ardhmen e Evropës./Pamfleti nga “The New European”
Lini një Përgjigje