Pse lëvizjet radikale të Trump nuk do të sjellin ndryshime të mëdha...
Ndërsa rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë sinjalizon një kthesë djathtas në shoqërinë amerikane, nuk duhet të teprohet me përmasat e këtij ndryshimi. Shkalla e humbjes në zgjedhje të Kamala Harris nuk ishte aq e rëndësishme.
Trump mund të ketë fituar në secilin prej shteteve të lëkundura, por Harris humbi me vetëm 1.5 për qind më pak në votën popullore. Si një populist i lindur, Trump ka arritur të ndërtojë një koalicion të “atyre që u është bërë padrejtësi dhe të dëmtuarve”. Ai u premtoi konservatorëve luftë kundër programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI). Të pakënaqurve me statusuonë ekonomike, u premtoi se do të krijojë vende pune dhe do të ulë çmimet në tregje. Paradoksalisht, programi i tij iu drejtohej njëlloj burrave të bardhë konservatorë, por edhe grave, afro-amerikanëve dhe hispanikëve.
Faktori unifikues ishte ajo që Trump e quajti në fjalimin e inaugurimit të tij si “veçantia e SHBA-së”. Dhe tani ideologjia e MAGA-s, duhet të synojë rivendosjen e statusit të Amerikës si një fuqi e madhe. Ajo që Trump po thotë është: “Le të sigurohemi që t’i diktojmë rregullat tona botës për interesat tona. Ne s’do të mbyllemi brenda kufijve tanë. Por do ta rishikojmë rendin ndërkombëtar për t’ia përshtatur vetes, ndërsa u tregojmë aleatëve tanë aktualë se çfarë të bëjnë, si ta bëjnë atë, dhe sa duhet të paguajnë për të nga xhepat e tyre”.
Kjo pjesë e axhendës së tij elektorale, joshi një grupim shumë të madh amerikanësh, edhe pse atyre u mungonte ende një ide e qartë se çfarë i priste. Në fillim të fushatës, askush nuk u premtoi Grenlandën apo Kanalin e Panamasë.
Por masat për “rikthimin e madhështisë së Amerikës”, të shpallura nga presidenti, po shoqërohen me përplasje të reja, kryesisht midis qendrës federale dhe shteteve. Trump synon t’i japë fund migracionit ilegal, por shtetet demokratike dhe administratat e qyteteve të mëdha ka të ngjarë t’i rezistojnë kësaj politike.
Nëse Trump ushtron më shumë presion mbi këtë çështje, sistemi politik amerikan mund të zhvillojë tendenca centrifugale. Sipas disa analistëve, shtetet do të marrin më shumë iniciativë, ndërsa qendra do të pengojë në çdo mënyrë përpjekjet e tyre.
Në SHBA, politika e migracionit përcaktohet nga qendra federale, por qeveritë e shteteve janë përgjegjëse për zbatimin e saj. Dhe administratat vendore, kanë nisur të bëjnë rezistencë. Për shembull, qeveritë e qytetit të Çikagos, Las Vegasit dhe Nju Jorkut, kanë refuzuar zyrtarisht të ndihmojnë Forcat e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.
Ndërkohë, duhet pasur parasysh pavarësia e gjykatave lokale dhe federale. Urdhri ekzekutiv i Trump për mosnjohjen e shtetësisë për fëmijët e emigrantëve të paligjshëm të lindur në SHBA, u kundërshtua menjëherë në një gjykatë në New Hampshire, dhe 22 shtete demokratike i janë bashkuar tashmë kësaj padie.
Jo pak përplasje mund të ketë edhe me subvencionet për programet e integrimit të emigrantëve. Nga ana tjetër, hapat drastikë të Trump për të rregulluar migracionin mund të godasin tregun e punës, kryesisht sektorët terciarë dhe bujqësorë, të cilët janë gjithmonë të uritur për punëtorë me kosto të ulët dhe me aftësi të ulëta.
Mungesa e fuqisë punëtore në bujqësi, do të rrisë çmimet e ushqimeve, dhe do të shkaktojë pakënaqësi tek konsumatorët dhe prodhuesit amerikanë. Në frontin mjedisor, Trump po anulon Marrëveshjen e Re të Gjelbër të presidentit Joe Biden. Ai po e tërheq sërish SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, planifikon të rrisë prodhimin e naftës dhe të eliminojë subvencionet për blerjet e makinave elektrike.
Elon Musk dhe Tesla, nuk do të dëmtohen nga heqja e subvencioneve për makinat elektrike, pasi kompania e tij ka zënë tashmë një pjesë të konsiderueshme të tregut. Por në këtë treg kanë hyrë shumë lojtarë të rinj, dhe nëse ata do të vareshin nga mbështetja federale, anulimi i subvencioneve do të ishte vetëm në duart e Musk.
Sa i përket naftës, rifillimi i nxjerrjes masive të naftës në Alaskës, mund të tronditë tregun. Nëse çmimet bien, prodhimi i naftës argjilore do të vuajë për shkak të kostove më të larta të prodhimit. Përveç kësaj, vendet e OPEC+ mund të rrisin prodhimin dhe të ulin më tej çmimet në kundërpërgjigje të masave të Trump.
Një karakteristikë tjetër e Trumpit si udhëheqës, është magjepsja e tij me teknologjitë më të fundit, siç janë edhe kriptomonedha. Ai është mësuar me strategjitë që bartin me rrezik të lartë. Shembulli i fundit është lëshimi në treg i Trumpcoin, që i solli presidentit miliarda dollarë fitime - të paktën në letër - por u shkaktoi humbje të mëdha investitorëve të kriptove, kur kursi i këmbimit të saj ra me shpejtësi.
Joe Biden ishte një president i qëndrueshëm. Ai nuk bëri kurrë asnjë lëvizje nëse nuk mund të parashikonte dot pasojat e saj. Nga ana tjetër, Trumpit nuk i interesojnë aspak pasojat afatgjata të veprimeve të tij për vendin apo popullin e tij. Në fjalimin e tij të lamtumirës, Biden paralajmëroi se afrimi i miliarderëve të teknologjisë me administratën Trump ishte një ndër shenjat se “në SHBA po ngrihet një oligarki”.
Në fakt, këta biznesmenë kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të tregut, diktojnë rregullat në këto tregje dhe kontrollojnë mediat me ndikim, nga platformat sociale si Facebook-u i Mark Zuckerberg dhe X-i i Elon Musk deri tek media tradicionale.
Kështu kreu i Amazon, Jeff Bezos, zotëron edhe gazetën The Washington Post. Të gjithë këta biznesmenë ishin betuar për besnikëri ndaj Trump që përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Përfshirja e Musk në qeverinë e Trump, përbën një kthesë të fortë.
Dikur sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave në politikën amerikane ishte i përfshirë në strukturën e tij dypartiake. Sot, është shfaqur një forcë e re lëvizëse në formën e miliarderëve të teknologjisë, të pavarur nga establishmenti politik.
Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i Musk (DOGE), është në thelb një element i qeverisë që nuk jep llogari para votuesve. Por njëherazi DOGE ka një ndikim të madh mbi votuesit përmes politikës, biznesit dhe medias. Nëse oligarkizimi bëhet problem për vendin, demokratët mund të shfrytëzojnë pakënaqësinë e pashmangshme të votuesve.
Në këtë rast, në fushatën e ardhshme zgjedhore duhet të presim një ndryshim të politikës ndaj oligarkëve të teknologjisë. Në lidhje me politikën e jashtme, Trump ka rishpikur ekspansionizmin, bazuar në imazhin e Amerikës mbi fuqinë e madhe. Çështja kryesore është se si vizioni i madhështisë së Trump, do të përshtatet në rendin ekzistues ndërkombëtar. Politika e jashtme e Trump, nuk ka gjasa të gjejë shumë fansa në Amerikën Latine, ndoshta vetëm në Rusi. SHBA-ja po kërkon që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5-6 për qind të PBB-s, në një kohë që ekonomitë më të mëdha të aleancës, mezi po përpiqen të arrijnë normën 2 për qind.
Trump ka nisur tashmë një politikë që favorizon marrëdhëniet dypalëshe në vend të atyre shumëpalëshe. Rasti i parë ka të bëjë me Kanalin e Panamasë. Trump po i bën presion edhe Danimarkës për Grenlandën. Në përgjithësi, politika e tij i ngjan një përpjekjeje për të rikthyer epokën kur bota qeverisej nga fuqitë e mëdha.
Por diçka e tillë do të kërkonte përpjekje masive në fusha të ndryshme, dhe konkretisht të gjitha burimet e Departamentit të Shtetit. Dhe plani i Trump paralajmëron një tension edhe më të lartë diplomatik. Synimet e tij të deklaruara, duket se janë të pamundura për t’u arritur brenda një mandati presidencial.
Sistemi i qeverisjes globale, mund të riformohet vetëm përmes krizave të mëdha. Një krizë e tillë ishte Lufta e Dytë Botërore, mbi rrënojat e së cilës u krijua OKB-ja. Trump ka mundësinë të provokojë një krizë të ngjashme, të paktën në aspektin e tensionit, në mos po edhe të përplasjes të armatosur.
Nuk mund të përjashtojmë mundësinë që politika e jashtme e Trump, luftërat e tij tregtare dhe personaliteti i tij i pa kompromis, do të sjellin koalicione të reja globale dhe jo një reformë të rendit kolektiv. Kjo mund të ofrojë shansin e përsosur për Jugun Global për të nxjerrë në pah veten.
Po ashtu, presidenti amerikan mund ta shtyjë pa dashje Evropën në negociata më aktive me liderët e Indisë, Brazilit dhe vendeve kryesore afrikane. Në këtë mënyrë, Trump mund të shndërrohet nga një shkatërrues i rendit global, në krijuesin e themeleve për ndërtimin e diçkaje të re, një agjent i shkatërrimii krijues sipas Joseph Schumpeter, apo përçarës krijues, sipas linjës së vizionarëve të teknologjisë si Musk dhe Bezos.
Shënim: Evgeny Roshchin, politolog në Qendrën Universitare për Vlerat Njerëzore, Universiteti Princeton, SHBA.
Lini një Përgjigje