
Problemi më i madh i Kurtit, nuk do të jetë qeveria e ardhshme, që gjasat tregojnë se mund ta krijojë gjithsesi, por politika e tij karshi ndryshimit shumë ekstrem të situatës ndërkombëtare...
Është e qartë tashmë se zgjedhjet e sotme në Kosovë, nuk kanë për të prodhuar një rezultat politik, por një rrezik politik.
I cili është parë që në nisje të fushatës zgjedhore, ndoshta nga më absurdet që kanë ndodhur ndonjëherë.
Përveç mungesës reale të temave madhore që do të duhet të shtroheshin në debat, kemi parë një polarizim të madh, si dhe një përplasje absurde, që do të thellojë edhe më shumë hendekun politik të vendit.
Hendek, që siç edhe në katërvjeçarin që po lëmë pas, shkaktoi mungesën e një konsensusi të domosdoshëm nacional për problemet madhore të pazgjidhura të shtetit.
Nga ana tjetër, kemi parë një hiperaktivizim të sistemit të vjetër, nëpërmjet 'depp state' të tij, për të goditur e baltosur Albin Kurtin e Vetëvendosjen.
Është absurde që liderët e opozitës: Abdixhiku, Krasniqi apo Hamza, kanë një sjellje 'politic correct' me qeverinë dhe mazhorancën, kurse oligarkët kanë dalë në linjën e parë, duke njollosur poshtë brezit njeriun që drejton sot Kosovën.
Është e dukshme se liderët e opozitës në këtë fushatë nuk kanë qenë ata që garojnë për postin e kryeministrit, por Devollët e Klan Kosovës, Lluka i Dukagjinit, apo Baton Haxhiu e Berat Buzhala. Shto këtu dhe një media që financohet nga Tirana, që është edhe televizion edhe portal online.
Çfarë ju duhet këtyre oligarkëve që të hyjnë në rreshtin e parë të sulmit, kur nuk është as detyrë e tyre, por edhe prishje e rregullit normal të funksionimit demokratik?
Nëse Devollët apo Baton Haxhiu, siç e kanë bërë të ditur, janë të mërzitur me performancën e opozitës përkundrejt Albin Kurtit, ata thjesht duhet ta thonë e të ushqejnë një debat të hapur e konstruktiv për këtë gjë.
Protagonizmi i tyre, përveçse një deformim, tregon edhe një problem të madh, pasi duket që shefat e vërtetë të opozitës janë Devollët, Lluka apo Buzhala e Haxhiu, jo politikanët e opozitës.
Ramush Haradinaj, para pak ditëve e tha hapur në një intervistë në T7 se një ndërtimtar i Dukagjinit, i kishte dhënë shpresa të mëdha. pasi do të mblidhte vota më shume se në 2021.
Albin Kurti, pasi ka parë këtë situatë, duket ka vepruar dinakërisht shkathët, duke vënë përballë vetes jo opozitën, por sistemin e vjetër me oligarkët, që i kanë dalë përballë, pasi nuk kanë arritur të krijojnë marrëveshje me ta.
Kurti, e ka fituar tashmë një betejë, pasi në 4 vjet ai nuk është parë asnjëherë me të fortë, të fuqishëm, miliarderë, që dikur kanë kontrolluar politikën e liderëve të vjetër. Madje disa ishin edhe në qeveri, presidencë e institucione. Kështu Behgjet Pacolli, Ramiz Kelmendi ishin emra që vendosnin politikat e qeverisë në interes të biznesit të tyre, duke marrë tenderë dhe vendosur taksa sipas qejfit.
Kurti, me shkathtësi ka ndjekur një fushatë të tipit “alla Trump”, i vetëm kundër të gjithëve, ç’ka i ka sjellë një favor të rëndësishëm në diskurs, duke mobilizuar masën e tij, por edhe duke frikësuar kundërshtarët, të cilët i ka nxjerrë nga shinat.
Megjithatë, problemi më i madh i Kurtit, nuk do të jetë qeveria e ardhshme, që gjasat tregojnë se mund ta krijojë gjithsesi, por politika e tij karshi ndryshimit shumë ekstrem të situatës ndërkombëtare.
Ndoshta sonte, apo së paku nesër, Albin Kurti do të duhet t’i dërgojë një mesazh të rëndësishëm kancelarive të mëdha Perëndimore si SHBA, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Një mesazh që duhet t’i tregojë se qeveria e Kosovës është partner i besueshëm i tyre dhe të bëjë menjëherë publike një 'road map' të shkurtër se si e koncepton rikthimin e partneritetit normal.
Ndërkaq, Albin Kurti, duhet që menjëherë, nga e nesërmja në darkë të ndërmarrë një tur të shpejtë nga Tirana në Berlin, Paris, Romë e Londër, por dhe Uashington, apo edhe më tej për të lëvizur sa më shpet. Të vendosë në punë të gjitha strukturat diplomatike, si dhe të shpallë ndryshime të thella qeveritare, duke sjellë në krye njerëz të aftë dhe me vizion, e jo personazhe që janë specialistë të sharjeve e gafave. Duke nisur nga Donika Gërvalla.
Duhen sinjale të forta, ndryshe Kosova është në rrezik të madh, ndaj hapi i dytë është një bisedë e hapur dhe e sinqertë me krerët e opozitës për një hap drejt kompromisit të madh, më pas një politikë krejt tjetër me pakicat, duke nisur nga serbët e Kosovës. Pa lënë prapa edhe biznesin e oligarkët. Me të cilët të behet një dialog transparent dhe normal. Pasi janë grupe interesi me rëndësi për vendin, sado që mund të mos i duash.
Përndryshe kaosi dhe palëvizshmëria do ta lërë vendin shumë prapa; pa aleatë, investime, e natyrisht edhe pa shpresë. Nuk do ketë më as interes e as rëndësi se cila forcë do të vijë në pushtet. Fundosja do të jetë fatale! /Pamfleti
Lini një Përgjigje