
Sot jemi në një sistem pastërtisht fashist, ku rreth Edi Ramës e Sali Berishës nuk ka politikanë, por thjeshtë besnikë që janë gati të vriten për të...
Në një parti të madhe, një figurë e re nuk mund të dalë nga rrjetet sociale. Një lider i ri, në të gjithë historinë botërore, ose del nga sqetulla e kryetarit, ose nga sqetulla e kundërshtarit të kryetarit.
Sali Berisha, që përveçse ka pushtet kontrolli në partinë e tij, ka edhe eksperiencën e mjaftueshme për të kuptuar se ku shkon pushteti.
Në korrik të vitit 2021, pasi ishte shpallur Non- Grata nga SHBA, Sali Berisha përkrahu publikisht Lulzim Bashën për kryetar në Kuvendin e PD-së.
Berisha, nëse do ta kishte kundërshtuar Lulzim Bashën, PD do të përjetonte një ndarje normale krahësh, e gjasat ishin që të kishim një betejë të fortë mes palëve që do të ishin konturuar në llogoret e tyre. Aty realisht mund të farkëtohej një opozitë e re energjike që do të kishte prodhuar një ekip më të fortë politik.
Por, me dinakëri Sali Berisha mbështeti Bashën, edhe pse e dinte, siç e thotë dhe sot, kishte prova se nuk e kishte pas vetes.
Nga ana tjetër, njerëzve afër tij u tha gjithashtu të mbështesin Lulzim Bashën, sepse mund ta rrëzojnë kur të duan.
Të gjithë politikanët e rinj në PD, e mbështetën Bashën, e më pas, kur Sali Berisha u përplas me të, ju kundërvunë Lulit.
Me naivitet, menduan, se duke mbështetur doktorin, do përfitonin nga boshllëku që mund të siguronte tabula rasa e tij dhe do të zëvendësonin të larguarit.
Pikërisht me këtë mënyrë, i dhanë jo vetëm PD-së, jo vetëm opozitës, por gjithë shqiptarëve, sinjalin se për të ecur përpara duhet të jemi më “ata që kanë kalanë”.
Një ide skllavëruese, e cila nuk ka ndihmuar dhe nuk i ka sjellë asnjë dobi grupeve, partive, individëve apo edhe popujve. Përkundrazi ata që kanë qenë sfidantë janë nderuar dhe respektuar përjetësisht.
A nuk ishte Gjergj Kastrioti për kohën e tij një “aventurier” që ju kundërvu fuqisë më të madhe të kohës? Por i siguroi vetes dhe emrit të tij përjetësinë, dhe shqiptarëve të palindur akoma, ngritjen e kombit dhe shtetit që askush nuk e çonte ndërmend.
A nuk u konsideruan rilindasit tanë njësoj, të çmendur e delirantë. Thuajse kishin të gjithçka; para, pushtet, pasuri e të gjitha të mirat. Thuajse të gjithë ishin me poste e katandi, që nga vëllezërit Frashëri, Noli, Konica, Fishta e Ndre Mjeda, apo edhe Pashko Vasa. Sulltanët e vezirët i joshnin duke i thënë që “rrini ç’keni mos u kruani me të madhin, ju i keni të gjitha”. E ata zgjodhën të merren me “shqiptarët e tyre të mjerë” që atëherë nuk ishin as 800 mijë e ishin analfabetë në shumicë e të mbytur nga përçarja e sëmundjet. Sot rilindasit janë njëjtë si dishepujt e Jezu Krishtit.
Përkrahja e Berishës pasi u shpall Non-Grata, vrau të gjitha mundësitë për një garë normale brenda opozitës, siç i ka vrarë edhe brenda PS-së, e gjithë reshtimt pro Edi Ramës sa herë dikush është përplasur me të.
Të gjithë ata që janë rreshtuar kundër Saimir Tahirit, Arben Ahmetajt apo Erion Veliajt, i kanë bërë varrin vetes. E kjo shkon pikërisht në radhë të parë tek senatorët e PS, të cilët nuk kanë ç’humbin.
Ata që zgjedhin të mbajnë shefin e vjetër i bëjnë gropën vetes, pasi nuk njohin politikën, ku aksioma më e rëndësishme është se armiku mbahet më afër se miku, i cili nuk vyen për gjësend.
Është ndryshe shërbyesi, i cili përdorët për punët e përditshme të çdo ore, duke u kthyer kështu në një gjymtyrë, në një mjet pune, ku i ka humbur qenia një njeri që arsyeton.
Në politikë vlen kauza, beteja, debati e përplasja, ndryshe zgjidh të jetosh ditën e qetë, ku maksimumi është menaxhimi i familjes tënde.
Sot jemi në një sistem pastërtisht fashist, ku rreth Edi Ramës e Sali Berishës nuk ka politikanë, por thjeshtë besnikë që janë gati të vriten për të. Ka raste ku në politikë je gati të vritesh për një mbret apo për një komandant. Mark Antoni, ishte gati të vritej për Çezarin dhe romakët i besuan fjalimit të tij pas vrasjes së pabesë të gjeneralit të madh në senat nga Bruti dhe Kasi.
Beteja e Mark Antonit ishte luftë e zemrës e mendjes dhe instiktit njerëzor. E Mark Antoni nuk se fitoi nga ajo betejë pasi në krye të Romës erdhi Oktaviani, dinak e i pashpirt. Por në fund të fundit vdiq në krahët e Kleopatrës me gjithë kënaqësinë e shpirtit. Po këta të çmendur sot në PD, vërtetë mendojnë se do vdesin në krahët e Doktorit, i cili ka ndot edhe të rrijë me ta.
Berisha, si një primitiv klasik i beson familjes dhe fisit, të tjerët thjesht i përdor, e në fund, siç kanë treguar kohërat i shtrydh e i asgjëson. Njëjtë vepron edhe Edi Rama. Ndaj dhe nuk ka mundësi që të ketë një njeri për të zëvendësuar apo rinovuar klasën politike, pasi nuk ka këllqet e Mark Antonit, që në fund nuk zgjodhi pushtetin, por vdekjen me Kleopatrën. E sot është i përjetshëm!/Pamfleti
Lini një Përgjigje