TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Shkurt 2025, 10:15

Hileja e paktit të fshehtë të Edi Ramës me Greqinë

Shkruar nga Pamfleti

 Hileja e paktit të fshehtë të Edi Ramës me Greqinë

A do të lejojë Athina zyrtare që edhe qytetarët e Greqisë të kenë të drejtën e vetëdeklarimit të kombësisë?

Kush mendoi se prania e Qirjako Miçotaqis si zot shtëpie në funeralin e Janullatosit në mes të Tiranës, apo deklarata e tij se Anastasi ishte ‘fener i helezimit’, ishte ekstremi i ofensivës greke, e ka gabim.

‘Kali i Trojës’ më shumë se në një vegël qorre si Fredi Beleri apo një “henelist par exellence” si Hirësia e tij, qëndron tek një zullum, që mazhoranca socialiste së bashku me Sali Berishën e kanë miratuar në Kuvend.

Për ligjin e minoriteteve qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë një vendim që është më skandaloz se vet ligji.

Sipas vendimit, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga zona ku banon është i lirë të shprehë dëshirën se kujt kombësie apo minoriteti i përket.

Vendimi përcakton edhe një komision nga minitria e Brendshme që mund të verifikojë procesin, por ky komision nuk ka të drejtë që të rrëzojë vetëdeklarimin. I cili legalizon një standard ‘ex offizio’, ku gjithësecili mund të deklarojë kombësinë e tij, edhe pse ka dokumente të pakontenstueshme të gjendjes civile që tregojnë origjinën e çdo qytetari. Ku ka lindur, prindërit, por edhe kombësinë e tyre.

Ky vendim i qeverisë Rama, hap një precedent të rrezikshëm që duket se nuk do të zbatohet në zgjedhjet e 11 majit, por më vonë.

Gjasat janë se në zgjedhjet e ardhshme bashkiake, ne të kemi fakt të kryer kur me një lobim të Athinës zyrtare, banorët e bashkisë së Himarës për shembull por jo vetëm, të vetdeklarohen grekë. Pasi vendimi e thotë të qartë që në këtë rast rajoni del nga territoret zyrtare dhe4 shteti shqiptar i njeh si zonë minoritare.

Territore që Tirana zytare ka çeduar duke i dhënë minoritetit bashkinë e Dropullit dhe bashkinë e Finiqit si zona minoritare.

Por me vendimin e ri, rrezikohet që kufiri i minoritetit të rritet edhe më tej. Bashkia e Himarës, duket se është sheshi i ardhshëm i betejës së Athinës, por gjasat janë që nuk do të mbarojë me kaq. Pasi Greqia ka pasur e ka orekse edhe në Juglindje të vendit.

Gjithsesi vetëdeklarimi si armë politike e Athinës nuk ka arritur një triumf, sidomos me atë që është pretenduar që të gjithë “homogjenët” të quhen grekë. Që nuk ka ndodhur në gjithë këto vite në Greqi. Thuajse të gjithë emigrantët, edhe pse të vaftisur, janë deklaruar shqiptarë.

Rreziku qëndron në bashkinë e Himarës, ku ka gjasa që me një operaçion më të komplikuar të rikthehet errësira e rastit Bollano, ku të mos merren për bazë regjistrat e popullsisë por vetëdeklarimet. Po të kujt? Kjo është evazive në vendim, dhe ka shumë mundësi spekulative. Athina nuk mashtrohet kollaj nga Edi Rama pa marrë garanci. Megjithatë këtu mbetet vullneti i banorëve të bregut, për të cilët askush nuk mund të jetë avokat.

E meqë po flasim për një standard që po vendos Tirana, po Athina a do të lejojë që edhe qytetarët e Greqisë të kenë të drejtën e vetëdeklarimit? Se ndryshe nuk shkon…/Pamfleti

pakti hileja edi rama greqia

Lini një Përgjigje

Editorial