
Kryeqyteti belg ka hyrë në një epokë të “Perëndimit të Egër” (Wild West”, ku mbizotëron logjika e “secili për veten”, dhe ku njerëzit përpiqen të mbrohen sa më mirë që munden, pa u mbështetur tek “autoritetet” e dështuara.
Kur presidenti amerikan Donald Trump e krahasoi Brukselin, kryeqytetin e Belgjikës por edhe selinë e BE me “ferrin” në vitin 2016, deklarata e tij bëri shumë bujë, sidomos në Evropë. Ajo u prit me një përzierje të përbuzjes, injorancës dhe mohimit të realitetit, i cili është tipik për një “elitë” të caktuar të Bashkimit Evropian.
Trump i bëri komentet në kuadrin e debateve mbi emigracionin dhe sigurinë, duke vënë në dukje se Brukseli kishte ndryshuar për keq gjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të një fluksi të pakontrolluar dhe të parregullt të emigrantëve. Dhe nëse në atë kohë faktet e vërtetonin se ai kishte të drejtë, këtë vit mund të thuhet se “libanizimi” i Brukselit tregon se deklarata e tij ishte largpamëse.
Shkalla e krimit është në rritje kudo në Bruksel, veçanërisht në një zonë në qendër të vëmendjes për përleshjet e shpeshta me armë: Bruksel-Midi (Saint-Gilles, Forest, Anderlecht). E përditshmja L’Echo raporton se midis viteve 2022-2023 grabitjet me armë rritën me 23 për qind, dhe ato pa armatosura me 34 për qind.
Kjo zonë përmban 5 nga 15 “vatrat e nxehta” të trafikut të drogës në Bruksel. Madje ato janë aq të nxehta, saqë edhe policia ngurron të hyjë në to. Prandaj nuk është për t’u habitur që zona Bruksel-Midi, vuan nga një mungesë serioze oficerësh policie (20 për qind e vendeve janë të lira) kryesisht për shkak të vështirësive të mëdha në rekrutim dhe mungesës së motivimit për shkak të kriminalitetit të lartë, i cili tremb çdo lloj aspiranti.
A mos po flasim për Mexico City? Jo, për Brukselin. Në vitin 2023, të shtënat e lidhura me bandat shkaktuan 7 të vdekur dhe 131 të plagosur. “Ndoshta diçka serioze po ndodh në Bruksel. Është një hipotezë që po e marrim seriozisht në konsideratë. Brukseli është një qendër e madhe urbane, e cila tërheq njerëzit dhe nuk ka strukturën më efikase të policisë. Është i vetmi qytet në botë me 6 forca policie lokale dhe një forcë policie federale, e cila nuk është garanci për një menaxhim të mirë. Shpërndarja e burimeve e bën sigurinë të shtrenjtë dhe thuajse jo ekzistente”- theksoi në një deklaratë prokuroria.
Kriminologët kanë theksuar se as këto statistika nuk mjaftojnë për të përshkruar situatën e krimit në Bruksel. Vincent Seron, kriminolog në Universitetin Lièges, dhe Dieter Burssens, kriminolog në Institutin Kombëtar belg të Studimeve Kriminale dhe Kriminologjisë, thonë se statistikat e policisë, marrin parasysh vetëm krimet e raportuara tek forcat e rendit.
Por policia nuk mund të jetë kudo, të dëshmojë gjithçka dhe të regjistrojë çdo veprim kriminal. Për më tepër, jo të gjitha viktimat paraqesin ankesë, veçanërisht kur besojnë se “nuk do sjellë asnjë dobi”, duke pasur parasysh nivelin e përgjithshëm të mosndëshkimit që mbizotëron në Bruksel.
Kryeqyteti belg ka hyrë në një epokë të “Perëndimit të Egër” (Wild West”, ku mbizotëron logjika e “secili për veten”, dhe ku njerëzit përpiqen të mbrohen sa më mirë që munden, pa u mbështetur tek “autoritetet” e dështuara.
Jo më pak alarmante është edhe situata financiare. Borxhi publik i rajonit është rritur në vetëm 6 vjet, nga 3.4 miliardë euro në vitin 2018 në 14.5 miliardë euro vitin e kaluar. Po vitin e kaluar, të ardhurat e qeverisë rajonale arritën në 5.69 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 6.99 miliardë euro, me një deficit mbi 20 për qind.
Borxhi bruto pritet të rritet nga 14.5 miliardë euro në vitin 2024, në afro 22 miliardë euro në vitin 2029, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 8.83 për qind. Pra rajoni i Brukselit është i falimentuar. Gjatë mbledhjes së fundit të parlamentit rajonal, u raportua se kostot e administratës u rritën me pothuajse 50 për qind, nga 1.2 miliardë euro në 1.8 miliardë euro.
Dhe këto statistika nuk janë të disponueshme nga Instituti i Statistikave dhe Analizës, por u raportuan dhe denoncuan nga politikani liberal flamand, Frédéric De Gucht, president i partisë Open Vld Brussels. Në këto kushte, Brukseli detyrohet të mbështetet në ndërhyrjen e qeverisë federale belge për të siguruar financimin e tij.
Një problem tjetër është migracioni. Në vitin 2024, Belgjika pranoi mbi 3.200 kërkesa për azil vetëm nga aplikantët palestinezë, dhe 40.000 kërkesa për azil në përgjithësi. Dhe Komisioneri i Përgjithshëm për Refugjatët dhe Personat Pa Shtetësi (CGRA) u jep azil 9 nga 10 aplikantëve.
Që nga zgjedhjet e 9 qershorit 2024, rajoni i Brukselit ka shfaqur njëfarë paaftësie për të formuar një qeveri funksionale. Pa hyrë në detajet e rrjetit institucional belg, formimi i një qeverie në Bruksel presupozon një shumicë në të dyja grupet gjuhësore, atë frëngjisht-folës dhe atë holandisht-folës, brenda parlamentit rajonal.
Por këto dy grupe jo vetëm që nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje mes tyre, por tani nuk munden as të sigurojnë shumicën as brenda radhëve të tyre. Po ashtu, vlen të theksohet roli që po luajnë tani islamikët, si përmes partisë së tyre politike, ashtu edhe përmes depërtimit të tyre brenda partive të së majtës ekstreme.
Që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në rrugët dhe mediat e Brukselit është normalizuar një diskurs i shfrenuar islamik dhe urrejtës ndaj hebrenjve, gjithnjë e më pak të fshehur pas pretekstit të “luftës ndaj Sionizmit”. Pra kryeqyteti i Bashkimit Evropian po shembet para syve tanë./Përshtati "Pamfleti", nga “Opinione.it”
Lini një Përgjigje