TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Shkurt 2025, 12:09

Petalet e brigatistëve të çmendur të Edi Ramës

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Petalet e brigatistëve të çmendur të Edi Ramës

Lëvizja brigatiste e skizofrenëve të dhunshëm, që i tundin gishtin çdokujt që prek “trëndafilin”. I cili sipas tyre është Edi Rama, ndërsa ata vetë janë petalet që e mbajnë “lulen e bukur”, së cilës mjeshtri Isuf Myzyri i ka kënduar njëherë e një kohë në bodrumet me çingije të haneve të Qafë Kërrabës.

Edi Rama, me të ardhur në krye të Partisë Socialiste vendosi që ta sfumojë deri në asgjësim FRESSH-in-Forumin e Rinisë Eeurosocialiste. I cili edhe pse me problemet e defektet e tij, ishte një lob, një fraksion, një zë gati paralel për vite e vite brenda së majtës shqiptare.

Një zë, që menjëherë u rikthye në një sallon pushteti falë menaxhimit të Pandeli Majkos e Ilir Metës me keq, por që në fund të fundit ishte një model politik perëndimor.

Ku partitë nuk janë të organizuara nga një armatë delesh që i shërbejnë njëshit, por nga lobe, fraksione dhe grupime që luftojnë për të arritur qëllimet e tyre nëpërmjet debatit, përplasjes e në fund, votimit.

Rama, me një dinakëri djallëzore e shndërroi FRESSH-n nga një organizatë paralele, në një zyrë shtesë e kryetarit të PS-së. Duke e banalizuar atë në emërimin e njerëzve nga rruga që i zgjidhte me audicion, tip talent- show, ku në këtë komedi vendosi si gjyqtar alla X-Faktor edhe Pandi Majkon. Për të ardhur fundjavën që lamë pas, kur e asgjësoi totalisht Rininë Eurosocialiste Shqiptare.

Dhe drama ishte se në takimin e së shtunës, merrnin pjesë themelues, si dhe ish-drejtues të FRESSH-it, sot deputetë të PS-së, si: Pandeli Majko, Lavdrim Krashi, apo edhe Erion Braçe.

Të cilëve a nuk ju dridh qerpiku fare që krijesa apo shtëpia politike që i rriti, u rrënua gërmadhash nga Babloku i Ymer Lalës.

Prej dy ditësh, mjaft opinionistë, kryesisht të së djathtës apo edhe të pa lineuar, i kanë hyrë me çekiç në kokë ca djemve që gërthisnin si të çartur në samitin e Rinisë së Bablokut.

Nga këta komente, ku janë bërë helaq të shkretët djem, që duket se flisnin pas nja dy gotave me raki mani, Edi Rama, me shumë gjasë shkrihet gazit.

Pasi, ai e ka hartuar këtë skenar pikërisht për këtë qëllim, që opinioni të sulmonte të rinjtë si problemi i një shoqërie që po shkon drejt idhujtarisë.

Perceptim që është krejt jo i vërtetë në fakt. Shqiptarët nuk janë idhujtarë, shumica shikojnë punët e familjet e tyre dhe kanë mendime të pavarura për çfarë ndodh. Shumicës nuk ja ndjen për veset e djallëzitë e Edi Ramës, problemi është tek hapësira e ngushtë për të dalë e për të promovuar zërat e kualifikuar dhe të ditur.

“Kuvendi Rinor Kombëtar” që tam-tamet e Edi Ramës, arritën që ta bënin për të gjithë fundjavën si ngjarjen kryesore, duke futur në kurth analistë e opinionistë, ishte në realitet një kob i madh politik.

I cili, do të duhej të analizohej pikërisht në thelbin e tij, e jo në formën apo fasadat ku e shtyu Babloku diskutimin e opinionit. Në atë të ashtuquajtur Kuvend, ne pamë formën e përmbajtjen e një lëvizje politike, të cilën Edi Rama, pasi e ka mbajtur “të fshehtë” në 12 vjet po e nxjerr hapur.

Lëvizjen brigatiste të skizofrenëve të dhunshëm, që i tundin gishtin çdokujt që prek “trëndafilin”. I cili sipas tyre është Edi Rama, ndërsa ata vetë janë petalet që e mbajnë “lulen e bukur”, së cilës mjeshtri Isuf Myzyri i ka kënduar njëherë e një kohë në bodrumet me çingije të haneve të Qafë Kërrabës.

Ata djem që çirreshin gjithë nerva para mikrofonit, nuk janë thjesht patronazhista që folën atë që u mori mendja apo doli nga shpirti i tyre i trazuar. Jo, ata janë trushplarë të dalë nga prova mjeshtrash që i kanë mësuar të recitojnë përpara auditorit.

Edi Rama, u ngrit në këmbë për t’i brohoritur, si për t’i thënë të gjithë socialistëve “elitarë” që janë kthyer në politikanë të kastruar, se këta bisha të çartura do të jenë e ardhja e deputetëve dhe qeveritarëve të rinj të “Shqipërisë 2030”.

Një strategji e stërnjohur parapolitike që me brigadat e “Fascio di combatimento” që krijoi Benito Musolini fill pas Luftës së Parë Botërore, për të ardhur e mbajtur pushtetin e tij despotik e gjakatar.

Deri tani, Edi Rama e ka mbajtur këtë frymë brigatiste me bandat që lidhi aleancë që herët, me të fortët e territorit që nga lalat, qifet, niçet, çelajt, lucët e tomët, të cilëve ju dha pushtet e para për të kërcënuar e ruajtur me forcë perimetrin e kufirin e livadhit të pushtetit, siç bëjnë bishat që shënojnë kufirin me të nxjerrat e tyre.

Por sot Edi Rama, tregoi se ka përgatitur brigatat e tij, këmishzinjtë që janë më të dalldisur se të fortët “biznesmenë” që bredhin me “Gucci” e “Adidas”. Brigadistët e Ramës nuk duan shumë para, mjaftohen me një “sufllaqe” patronizhisti dhe janë gati të bëjnë gjëmën.

Do t’ja shohim edhe më tej zërin këtyre “petaleve” që në fushatë do të zëvendësojnë deputetët apo ministrat.

“Petalet” janë arma perfekte e Bablokut: nuk rrezikojnë për SPAK, nuk kanë salltanete, nuk u bien telefonat dhe janë gati të hyjnë në zjarr për partinë, nënkupto Edi Ramën.

Të cilët do t’i shohim avash- avash në parlament, qeveri, e në të gjithë administratën, ku nuk do të kenë zë tjetër në kokë që u çukit, veçse podkastit të udhëheqësit të madh, për të cilin janë gati të hyjnë në zjarr.

Nuk ka më debate, nuk ka më fraksione e ambicje pasardhësi, por vetëm mllef për të goditur e sakatosur çdokënd që mërzit e trazon 'Il Duce-n' e gjatë me mjekër.

I cili e kopjoi duke e prefeksionuar brigatizmin e Sali Berishës, i cili megjithatë, të çmendurit e tij i kishte e i ka primitivë, bashibozukë të dehur që friksojnë por nuk janë të disiplinuar si “fashot” e Bablokut. Të cilët nuk janë më 55 vjeçarë me zë të ngjirur, por fringo të rinj që janë gati të marrin ‘gjak në vetull’. E nuk është çudi që Rama është bërë një i afërt me lëvizjet ekstreme europiane si postfashistët e Melonit apo ekstremistët e Orbanit, si dhe anadollakët e Erdoganit.

Sepse thellë-thellë, këtë program ka pasur që herët, që pa ardhur në pushtet. Ta kthejë Partinë Socialiste si në romanin e George Orwell, ku vetë të kthehej në Derrin Napolon-top-bore…/Pamfleti

petalet e brigatistëve edi rama

Lini një Përgjigje