TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Shkurt 2025, 10:02

A do ta sjellin ndryshimin zgjedhjet e së dielës në Kosovë?

Shkruar nga Alon Ben-Meir

A do ta sjellin ndryshimin zgjedhjet e së dielës në Kosovë?

Zgjedhjet e të dielës pritet të jenë shumë konkurruese, duke reflektuar mjedisin e fragmentuar politik në Kosovë...

Në çdo palë zgjedhje parlamentare në Kosovë, shumica e zgjedhësve shpresojnë se do të nisë një kapitull i ri, i cili do të sjellë një perspektivë më të mirë ekonomike dhe siguri. Duke pasur parasysh atmosferën aktuale politike në Kosovë, publiku duket i ndarë. Një shumicë relative dëshiron ta shohë kryeministrin Albin Kurti sërish në krye të vendit.

Por në të njëjtën kohë, ata duan një përparim më konkret në një sërë çështjesh të brendshme dhe përparim të prekshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Se sa do të realizohet kjo, do të duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve, kur publiku të shohë se cila parti do të formojë një qeveri koalicioni, e cila do t’i japë përgjigje nevojave dhe pritshmërive të publikut.

Zgjedhjet e të dielës pritet të jenë shumë konkurruese, duke reflektuar mjedisin e fragmentuar politik në Kosovë. Në këto zgjedhje konkurrojnë 28 subjekte të ndryshme politike, përfshirë 20 parti, 5 koalicione, 2 nisma civile dhe 1 kandidat i pavarur. Konkurrentët kryesorë janë Vetëvendosja e Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Memli Krasniqi, i cili nga sondazhet del se po ka rifituar jo pak terren në disa komuna.

Meqë fushata zgjedhore filloi më herët se zakonisht, ajo është ndikuar edhe më shumë nga atmosfera e tensionuar mes partive politike serbe dhe atyre shqiptare. Rezultati i zgjedhjeve ka të ngjarë të diktohet jo vetëm nga shqetësimet e brendshme të vendit, por edhe nga marrëdhëniet midis këtyre partive.

Ka shqetësime se Serbia mund të përpiqet ta prishë procesin zgjedhor, veçanërisht në zonat me shumicë serbe etnike. Beogradi mund të inkurajojë bojkotin e votuesve dhe përhapjen e informacioneve të rreme, por nuk ka prova të forta të kësaj ndërhyrje.

Partia e kryeministrit Kurti është e favorizuar të dalë sërish e para, megjithatë mund të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera që të formojë qeverinë e ardhshme. Peizazhi politik mund të ndryshojë, edhe pse kjo mund të mos mjaftojë për t’ia mohuar atij mandatin e dytë.

Brenda Kosovës, Kurti ka arritur disa suksese gjatë mandatit të tij. Kosova pati rritje ekonomike, papunësia u zvogëlua, u rrit paga minimale; teksa lufta kundër krimit të organizuar është ende një punë në progres. Në administratën publike, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të reformuar shërbimet civile dhe për të përmirësuar pagat.

Në fushën e mbrojtjes, Kurti e rriti buxhetin për trajnime dhe blerjen e pajisjeve ushtarake. Por ka pasur edhe disa dështime të rëndësishme. Sa i përket ekonomisë, asnjë investitor i huaj nuk ka ardhur në Kosovë gjatë 4 viteve të fundit, kryesisht për shkak të deklaratave të përsëritura të Kurtit se Serbia synon të rinisë luftën ndaj Kosovës.

Kjo i ka dekurajuar shumë investitorë. Ndërsa importet janë rritur, eksportet kanë rënë, duke krijuar një deficit tregtar prej 5 miliardë euro. Ndërkohë, inflacioni është rritur dhe mallrat e konsumit janë bërë shumë të shtrenjta për t’u blerë nga të varfrit. Papunësia është 10.7 për qind.

Gjatë 4 viteve të fundit, mbi 150.000 njerëz janë larguar nga Kosova. Vetëm në një vit, rreth 100 mjekë dhe infermierë emigruan nga Kosova në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Sistemi shëndetësor mbetet joefektiv, pasi shumë qytetarë kërkojnë shërbime shëndetësore në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Turqi dhe vende të tjera të BE-së.

Ndërkohë, janë shqetësuese vonesat në zbatimin e një strategjie kombëtare për të luftuar korrupsionin, teksa nepotizmi në qeveri mbetet i pakontrolluar. Nga ana tjetër, ka shqetësime mbi mjedisin. UNICEF-i raportoi së fundmi se ajri në Kosovë është 25 herë më i ndotur mbi kufirin e lejuar, duke e bërë të rrezikshëm, sidomos për fëmijët.

Rekordet e Kurtit në politikën e jashtme janë të përziera. Ai është përqendruar shumë mbi marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Por Marrëveshja e Ohrit e sponsorizuar nga BE-ja mbetet ende e pa zbatuar. Tensioni midis Kosovës dhe Serbisë është akom i lartë, ndërsa Kosova ka shënuar një përparim të kufizuar në marrëdhëniet me vendet e tjera evropiane, që janë thelbësore për konsolidimin e pavarësisë së vendit.

Pavarësisht rolit të domosdoshëm të BE-së në negociatat Prishtinë-Beograd, ndikimi i saj mbi të dyja vendet është i kufizuar, sidomos për shkak se BE-ja nuk mund të ofrojë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit. Diplomati danez Peter Sorensen, i cili do të bëhet përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Serbi-Kosovë që rifillon më 25 shkurt, pritet të shpallë një strategji të re që do të synojë rezultate praktike, në vend se të vazhdojë të përfshihet në diskutime joserioze.

Por suksesi i tij, do të varet nga aftësia për të nxitur besimin midis palëve dhe për të inkurajuar kompromise reciproke të dobishme. Ai i ka të gjitha kredencialet për të ndërmjetësuar çështje komplekse. Por pavarësisht se çfarë propozon Sorensen, Serbia dhe Kosova duhet të jenë të gatshme të angazhohen me njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive.

Pyetja kryesore është: Si mund të bien dakord të dyja palët për ndonjë gjë, kur çështja qendrore mbetet njohja reciproke, të cilën Serbia e kundërshton me vendosmëri? Unë gjykoj se duhet të merren masat e mëposhtme për të hedhur disa hapa konkretë drejt njohjes reciproke.

Së pari, qeveria e re e Kosovës duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me BE-në. Të dyja palët duhet të bien dakord për çdo çështje, veçanërisht në lidhje me dialogun Serbi-Kosovë dhe të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë.

Së dyti, qeveria e re duhet të respektojë marrëveshjen e mëparshme, dhe të pranojë ngritjen e  Asociacionit të Komunave Serbe për aq kohë ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Së treti, lidhjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të përmirësohen përmes tregtisë, shkëmbimeve kulturore, përpjekjeve të përbashkëta për të adresuar problemet mjedisore, shpërndarjes së ujit, rritjes së turizmit etj.

Së katërti, Kosova duhet të bëjë çdo përpjekje për të fituar njohjen nga 5 vendet anëtarë të BE-së, Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia. Njohja është një parakusht për anëtarësimin  ardhshëm në bllok.

Së pesti, Kosova duhet të fitojë mbështetjen e administratës Trump, duke treguar gatishmëri për të bashkëpunuar, sidomos në lidhje me sigurinë dhe reduktimin e tensionit me komunat e banuara kryesisht nga serbët. Brenda vendit, qeveria e re nuk duhet të fiksohet aq shumë tek Serbia por në disa fronte të brendshme.

Si eliminimin e korrupsionit, dhënien fund të nepotizmit, duke e bërë vendin tërheqëse për investitorët e huaj (që do të ndihmojë në krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës me paga më të larta), përmirësimin e dukshëm të sistemin shëndetësor, dhe nisjen e një lufte agresive kundër krimit të organizuar.

Nëse Kurti fiton sërish dhe formon qeverinë e re, ai duhet të mësojë nga përvoja e tij 4-vjeçare. Pyetja është: A do të jetë ai në lartësinë e sfidave të mëdha që ka përpara Kosova?/Pamfleti nga“Emerging Europe”

zgjedhjet e 9 shkurtit kosova ndryshimi

Lini një Përgjigje