TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Shkurt 2025, 13:01

Evropa po përballet me një poshtërim të madh politik

Shkruar nga Paolo Rossetti

 

Evropa po përballet me një poshtërim të madh politik
Pamje nga takimi në Riad /

Vetëm riarmatosja e shpëton Evropën nga kërcënimi rus

Bashkimi Evropian doli me “kocka të thyera” nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. Ajo jo vetëm u la jashtë negociatave të paqes dhe iu refuzua kërkesa që Kievi të bëhet në të ardhmen pjesë e NATO-s, por u tregua e paaftë për të dhënë një përgjigje. Edhe përpjekja e Macron për të bërë bashkë disa liderë evropianë duket jo realiste.

Evropa po përballet me një poshtërim të madh politik
Maurizio Boni /

Për Maurizio Bonin, gjeneral i Korpusit të Ushtrisë Italiane dhe analist në institutin “Analisi Difesa”, i pranishëm edhe në Konferencën e Mynihut, është e qartë se fati i Kievit do të vendoset vetëm nga Uashingtoni dhe Moska. Gjithsesi, BE-ja do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes nga frika e rusëve, edhe pse sipas tij nuk ka arsye për t’u frikësuar nga ekspansionizmi i Putinit.

Cili ishte lajmi kryesor nga Konferenca e Mynihut: përjashtimi i BE-së nga negociatat për Ukrainën apo paaftësia e saj për të krijuar një rol për vete? 

I dërguari special i Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, përsëriti se Evropa nuk do të jetë pjesë e negociatave. Kjo edhe pasi të gjithë liderët politikë evropianë që folën në Mynih, përfshirë Zelensky-n, theksuan se Evropa dhe Ukraina duhet të jenë pjesë e tryezës.

Dëgjova më vëmendje fjalimin e 20 udhëheqësve dhe krijova përshtypjen e një dialogu surreal, krejtësisht të shkëputur nga realiteti. Pasi të gjithë kërkuan një rol të BE-së në negociata, dushi i ftohtë erdhi nga zëvendës/presidenti i SHBA-së J.D.Vance.

Mesazhi i SHBA-së ishte pothuajse brutal… 

Deklaratat e Vance e habitën audiencën. Më pas erdhi njoftimi se BE-ja është jashtë negociatave. Sipas mediave, Uashingtoni u kishte dërguar një pyetësor kryeqyteteve evropiane për të mësuar se si Evropa mund të kontribuonte në garancitë e sigurisë për Kievin. Me sa duket Evropa nuk ishte në gjendje të përgjigjej, ndaj u la jashtë.

Cilat janë arsyet që e penguan një përgjigje të shpejtë? 

Evropianëve iu kërkua që të garantonin sigurinë e ukrainasve, shoqëruar me një kontribut të paqartë dhe të papërcaktuar të SHBA-së. Pra është e qartë, që nuk kishte kohë për të bërë propozime të tilla. Në çdo rast, krizën e shkaktoi SHBA-ja. Linja e veprimit ka ndryshuar ndjeshëm, dhe evropianët kanë mbetur pa përgjigje sepse ato nuk mund të zhvillohen vetëm në kontekstin perëndimor, pra pa marrë parasysh nevojat e palës tjetër, Rusisë.

Cilat ishin temat kryesore të Konferencës, përveç negociatave mbi Ukrainën?

Nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidentja e Komision Evroian Ursula on der Leyen, tek Zelensky, tek Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, Ministri i Mbrojtjes Pistorius, tek Scholz dhe Rutte, tek panelistët, të gjithë e vunë theksin tek nevoja për të shpenzuar shumë më tepër për mbrojtjen. Presidenti gjerman, përsëriti se çfarëdolloj qeverie që do të dalë nga zgjedhjet e 23 shkurtit do ta sigurojë këtë prirje. Para luftës, Gjermania shpenzonte 37 miliardë euro, tani shifra ka arritur në 87 miliardë.

A do të shpenzojë edhe më shumë tani?

2 për qind e PBB-së është objektivi minimal. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka thënë se nuk mjafton, sepse boshllëqet e kapaciteteve të Aleancës Atlantike janë shumë të mëdha. Ndaj duhet shpenzuar shumë më tepër.

Von der Leyen e prezantoi nismën e lehtësimit të taksave për vendet që do të investojnë burime të konsiderueshme në mbrojtje, dhe përfshiu Bankën Evropiane për Zhvillim (pra grupet e mëdha bankare), e cila do të investojë edhe në mbrojtje.

Pra në fund të fundit, Evropa do të shpenzojë para duke blerë armë nga SHBA?

Jo domosdoshmërisht. Por është logjike që një pjesë e mirë e kontratave do jetë për materialet përtej Atlantikut. Gjithsesi, Gjermania është një nga vendet me kontratat më të mëdha të mbrojtjes në BE. Kompania Rheinmetall është një gjigante në këtë industri, dhe gjermanët do të jenë përfituesit me të mëdhenj të kontratave.

A mund të jetë industria e luftës forca shtytëse që Gjermania të dalë nga kriza ekonomike ku gjendet aktualisht? 

Mbrojtja është vetëm një nga sektorët. Do të na duhet të shohim se çfarë do të ndodhë në sektorin e makinave. Për më tepër industria gjermane harxhon shumë energji, dhe ashtu si në Itali, kostot e saj kanë një ndikim të madh. Megjithatë, sektori i industrisë së mbrojtjes ka marrë hov. Edhe Italia synon të blerë një sistem gjerman të mbrojtjes ajrore.

Si po justifikohet nevoja për riarmatim? 

Duke thënë se duhet të ruhemi nga ekspansionizmi rus, edhe pse kjo është një narrativë e paqëndrueshme. Me Moskën ka disa probleme që janë shfaqur gjatë luftës, prandaj duhet të shpenzojmë më shumë për armë.

Rutte dhe Vance e kanë bërë të qartë: secili nga vendet e NATO-s duhet të shpenzojë më shumë për të bërë më shumë vetë, sepse Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më në gjendje të mbajnë mbi supe barrën e mbrojtjes së Evropës.

Megjithatë, Trump bëri deklarata të tjera shqetësuese në lidhje me armët…

Ai i propozoi Rusisë dhe Kinës që të përgjysmojnë buxhetet e mbrojtjes të tre vendeve. Një tjetër sinjal i rëndësishëm, për të cilin nuk e dimë se çfarë rezultatesh mund të ketë.

Ndërkohë Macron po mbledh forcat me liderët e Gjermaninë, Italinë, Britaninë e Madhe dhe Polonisë… 

Paqja në Ukrainë do të përcaktohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Unë mendoj se evropianët do të përballen me një poshtërim të madh politik.

Çfarë do të bëjë tani Evropa? A është gati e pamundur të parashikohet?

Kjo është pyetja që po i bëjnë vetes tani liderët evropianë. Por për momentin ata nuk kanë një përgjigje./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

evropa poshtërim politik

Lini një Përgjigje

Editorial