Mandati i kryeministres italiane Giorgia Meloni, që nisi në tetorin e vitit 2022, ka hyrë në një fazë të re. Ndërsa dyshja Donald Trump-Elon Musk, po e trondit ne themele demokracinë amerikane, në Romë ekziston frika e një zhvendosjeje drejt autoritarizmit, me konflikte gjithnjë e më serioze midis institucioneve, dhe një sistemi kontrollesh dhe balancash që ndodhet nën sulmin e shumicës qeverisëse.
Njëkohësisht, Meloni ka një mbështetje akoma më të fortë, duke e paraqitur veten si një nga figurat kryesore të një plejade nacionaliste dhe reaksionare globale, përfaqësuesit e të cilit, nga Buenos Aires në Berlin, mendojnë se kanë erërat e historisë në favorin e tyre.
Të dhënat e një ankete të kryer nga instituti i sondazheve Youtrend dhe publikuar më 31 janar, partia Fratelli d’Italia (FdI), trashëgimtare e Lëvizjes Sociale Italiane, e cila u themelua nga eksponentë të diktaturës fashiste, ka 30 për qind të preferencave së italianëve.
Pra më shumë se 26 përqindëshi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, dhe 29 për qind në zgjedhjet e Parlamentit Evropian vitin e kaluar. Koalicioni i drejtuar nga Meloni, i cili përmban elementë të ekstremit të djathtë dhe të qendrës së djathtë, merr më shumë se 49 për qind të votave.
Pra nuk jemi përballë një lëvizjeje proteste, por një pjesë të konsiderueshme të elektoratit po tregon mbështetjen e qartë për një figurë politike dhe projektin e saj. Deri në vitin 2022, Meloni mund të përshkruhej si “populiste” ose “kundër sistemit”, si partia britanike pro-Brexit, si Donald Trump në vitin 2016 apo drejtuesit e Tubimit Kombëtar në Francë.
Megjithatë, tani ajo është pjesë e sistemit. Dhe institucionet e vjetra republikane italiane priren që të paraqiten si pengesa të mëdha nga partia e saj. Parlamenti është në vështirësi.
Sipas fondacionit Openpolis, qeveria po dikton ritmin e punës, duke miratuar po aq dekrete speciale sa edhe kohën e emergjencës së shkaktuar nga pandemia. Për më tepër, ekzekutivi italian është në luftë të hapur me gjyqësorin, për të cilin thotë se po pengon “zgjidhjet inovative” mbi politikën e migracionit, siç është fillimi i vështirë i funksionimit të qendrave italiane të emigrantëve në Shqipëri.
Padi kundër gazetarëve
Në qendër të përplasjes midis institucioneve, është lirimi dhe riatdhesimi i urdhëruar nga autoritetet italiane i kreut të policisë gjyqësore libiane, subjekt i një urdhër-arresti për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë.
Meloni, që refuzoi të jepte një shpjegim në parlament për vendimet e marra nga qeveria mbi këtë çështje, u njoftua zyrtarisht nga kryeprokurori i Romës, Francesco Lo Voi, se ka nisur një hetim mbi rolin e saj në këtë skandal.
Nga ana tjetër, prokuroria e Perugias hapi një hetim kundër Lo Voit, pasi mori një ankesë nga departamenti që koordinon agjencitë e inteligjencës, diçka tjetër e pazakonshme. Pra duket se është vënë në pikëpyetje sistemi i kontrolleve dhe balancave.
Meloni jep konferenca shtypi vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe ministrat e saj i kanë shtuar paditë për shpifje ndaj gazetarëve. Kësaj sjellje i shtohet edhe skandali Paragon. Kompania izraelite me këtë emër, i shiti qeverisë italiane një softuer spiun që hakeroi telefonat e dy punonjësve humanitarë të përfshirë në shpëtimin e emigrantëve në Detin Mesdhe dhe të një gazetari nga Fanpage, gazeta online që zbuloi antisemitizmin dhe shfaqjen e trashëgimive fashiste brenda organizatës “Gioventù nazionale (Rinia Kombëtare), forumi rinor i Fratelli d’Italia.
Kryeministria tha se këta persona nuk ishin nën vëzhgimin e shërbimeve sekrete, por Paragon, që krenohet me respektimin e rregullave demokratike, njoftoi se e kishte anuluar kontratën me Romën. Meloni e ruan pozicionin e saj në kurriz të dobësimit të përgjithshëm të institucioneve demokratike.
Nëse projektet dhe reformat e mëdha të mandatit të saj do të ngecin në fund, për këtë mund të fajësojë gjithmonë kundërshtarët e brendshëm, dhe më shpesh gjyqtarët, duke i akuzuar ata se po punojnë kundër interesave të “kombit”, një term i ripërtërirë në fjalorin politik italian nga udhëheqësja e të djathtës ekstreme.
Meloni, që ka qejf të personalizojë aksionin e saj politik, duke i ftuar votuesit që ta thërrasin me emër, ka krijuar një narrativë efektive, bazuar tek një vizion plebishitar mbi demokracisn. Ajo ka arritur të projektojë imazhin e një drejtueseje serioze, familjare, të një nëne beqare të fiksuar pas punës, dhe që i shërben një vendi që supozohet se po bëhet sërish madhështor.
Aktivizimi i saj në skenën ndërkombëtare, tregon historinë e një Italie që më në fund, dhe në një kohë rekord, ka zënë vendin që meriton në një grupim të ri ”kombesh”, në të cilin ligji ndërkombëtar dhe projekti evropian zënë vendin e dytë.
Rikthimi tek energjia bërthamore
E lidhur ngushtë me lobin e fermerëve, Meloni e lartëson patriotizmin e prodhuesve vendas kundër rregulloreve mbi-kombëtare të Brukselit. Pavarësisht rritjes së kufizuar ekonomike dhe sistemit të dështuar shëndetësor, ajo frymëzon ëndrrat për projekte infrastrukturore në shkallë të gjerë, që shpesh hasin në kundërshtime në Itali dhe më pas bllokohen.
Meloni ka rindezur dëshirën për t’u kthyer tek energjinë bërthamore, e cila ishte braktisur pas një referendumi, dhe premton ta bëjë Italinë një qendër kryesore të furnizimit të Evropës me hidrokarburet nga Afrika.
Njëherazi, ajo po promovon një hapësirë kombëtare imagjinare, në harmoni me vizionet e mikut të saj Elon Musk. Meloni, cila e quan veten konservatore, pretendon se po harton një kurs për të ardhmen.
Nuk ka rëndësi nëse rezultatet konkrete, do të kërkojnë shumë kohë për t’u konkretizuar. Gjithçka do të jetë në rregull, për sa kohë që ky vizion politik do vazhdojë të ndikojë mbi votuesit, dhe opozita e përçarë të mos formulojë një të ri./Përshtati Pamfleti nga “Le Monde”
Lini një Përgjigje