Dy partitë kryesore kanë marrë një vendim, që deri vonë ishte i paimagjinueshëm: heqjen e tavanit të borxhit publik për të financuar infrastrukturën dhe mbrojtjen...
Ka raste kur historia e një vendi merr kthesa të papritura. Një nga këto momente mund të jetë edhe 4 marsi 2025. Në orën 19:00, udhëheqësit e CDU-së dhe SPD-së (dy partitë që morën më shumë vota në zgjedhjet e fundit) prezantuan në parlament pikat kyçe të një manovre financiare që nuk ishte parë kurrë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore: heqjen e tavanit maksimal të borxhit publik, dhe miratimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për modernizimin e infrastrukturës gjatë 10 viteve të ardhshme.
Në programin me të cilin Friedrich Merz fitoi zgjedhjet e 23 shkurtit, nuk kishte asgjë të tillë. Gjatë fushatës elektorale, lideri i CDU-së (Bashkimit Kristiandemokrat), foli për uljen e taksave dhe modernizimin e ushtrisë, por iu shmang pyetjes thelbësore: ku do t’i gjente paratë?
Shumë ekonomistë kishin arritur në përfundimin, se financimi i këtyre projekteve afatshkurtra do të ishte i pamundur pa rritjen e borxhit publik. Por shumë mbështetës të partisë dhe aleates të saj bavareze, CSU, ishin ende të bindur se tavani i borxhit ishte i drejtë, dhe vënia në pikëpyetje e tij mund t’i kushtonte shumë vota Merzit.
Prandaj, as që u përmend gjatë fushatës zgjedhore. Javët e fundit Ministria e Financave ka llogaritur se sa para do të jenë në arkën e qeverisë së re. Përfundimi është se ato nuk do të jenë në gjendje të financojnë as shpenzimet e parashikuara në buxhet, dhe aq më pak riarmatimin e Evropës, që po kërkohet pas dobësimit të marrëdhënieve transatlantike.
Prandaj, zgjidhja e enigmës së financimit është kthyer në një çështje kyçe për koalicionin e ri. Vetëm në këtë mënyrë, ai mund t’i rikthehet diskutimit për çështje të tilla si paga minimale apo emigracioni.
Kur ishte kreu i koalicionit me SPD-në, të Gjelbërit dhe liberalët e FDP, kancelari socialdemokrat Olaf Scholz ia doli të siguronte një deficit buxhetor prej 60 miliardë dollarësh për qeverinë e tij, i cili më vonë u gjykua i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese pas një apelimi nga CDU.
Por tani vetë CDU, po i jep qeverisë së saj një fond 10 herë më të madh. Por kohët po ndryshojnë. Sepse ishte e qartë se nuk kishte para për dhurata elektorale edhe para se amerikanët të tërhiqeshin nga mbështetja e aleatëve të tyre. Në këtë kuptim, pakti i 4 marsit është edhe më i jashtëzakonshëm.
Sipas marrëveshjes, disponueshmëria e fondeve për infrastrukturën duhet të shënohet në kushtetutë në formën e të ashtuquajturës “trashëgimi e veçantë”, që të mundet të kërkohen kredi gjatë 10 viteve të ardhshme.
Kjo shumë cilësohet si e përshtatshme nga shumë ekonomistë, duke pasur parasysh gjendjen e rrugëve, shkollave dhe urave në Gjermani. Për më tepër, do të lirohen frenat ndaj borxhit: shpenzimet e mbrojtjes mbi 1 për qind të PBB-së, nuk do të llogariten më, dhe landet do të jenë në gjendje të marrin hua fonde shtesë për buxhetet e tyre lokale.
Reagimet nuk kanë munguar. Berenberg Bank foli për një “bazukë”, Deutsche Bank për një “ndryshim paradigme” fiskale. Fakti që është propozuar nga CDU, partia që e luftoi për vite me radhë, ngjan jo pak ironik. Por në politikë, dallimi midis të djathtës dhe të majtës nuk është aq i rëndësishëm sa ai midis qeverisë dhe opozitës.
Në çdo rast, historia na tregon se shtetet reagojnë ndaj kërcënimeve ushtarake duke hyrë në borxhe. Këtë e tregon edhe një studim i ri i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore). Kjo edhe sepse zakonisht marrja e borxhit kërkon më pak kapital politik se shkurtimi i shpenzimeve apo rritja e taksave.
Nga ana tjetër, industria e luftës krijon vende pune, kryesisht të paguara mirë. Tani që Gjermania kërcënohet nga de-industrializimi, ideja e ndërtimit të tankeve në Wolfsburg në vend të makinës Wolkswagen, u duket logjike shumë politikanëve.
Ethan Ilzetzki, ekonomist në Shkollën Ekonomike të Londrës, llogarit se PBB-ja evropiane mund të rritet 0.9-1.5 për qind në vit nëse shtetet e Bashkimit Evropian rrisin shpenzimet ushtarake nga 2 në 3.5 për qind të PBB-së.
Por asgjë nuk është falas. Borxhet duhet të shlyhen dhe mund të rriten normat e interesit. Për më tepër, kur burimet ekonomike si puna, përdoren në prodhimin e një malli, ato s’mund të përdoren për asgjë tjetër.
Çështja është më pak e ndërlikuar nëse shpenzimet për shkolla, rrugë dhe ura, ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve ekonomike të një vendi, dhe rrjedhimisht në mundësinë për të prodhuar më shumë. Nga ana tjetër një tank, nuk është produktiv.
Ai qëndron ose i parkuar në kazermë ose përdoret në luftë. Për më tepër, paratë e shpenzuara për armë, nuk janë më të disponueshme për pensione, arsim apo kërkime shkencore. Kur John Maynard Keynes teorizoi mundësinë e financimit të shpenzimeve publike me borxhe, ai donte t’i nxiste qeveritë të investonin më shumë para në projekte civile.
Në vend që të investohet në “luftë dhe shkatërrim”, i shkroi ai presidentit të SHBA Franklin Delano Roosevelt në dhjetor 1933, paratë publike duhet të promovojnë “paqen dhe prosperitetin”. Më pak se 7 vjet më vonë, Adolf Hitleri pushtoi Poloninë. Ëndrra e paqes u zhduk dhe kejnsianizmi u bë luftarak. Shumica e partive të qendrës, janë tani të bindura se Donald Trump dhe Vladimir Putin, nuk po u lënë evropianëve zgjidhje tjetër veçse të riarmatosin ushtritë e tyre për t'u mbrojtur nga aspiratat imperialiste nga Lindja, dhe ndoshta së shpejti edhe nga Perëndimi.
Thënë në terma ekonomikë, është rritur çmimi i sigurisë, pasi ka kosto të reja. Natyrisht, ato mund të shtyhen pjesërisht për të ardhmen, duke krijuar më shumë borxhe (kjo mund të justifikohet duke thënë se edhe brezat e ardhshëm do të përfitojnë nga mbajtja e Gjermanisë një shtet sovran).
Por kjo nuk do t’i zhdukë ato. Në Gjermani raporti ndërmjet borxhit publik dhe PBB-së është shumë i ulët, pak më shumë se 60 për qind. Nga këndvështrimi i firmëtarëve të marrëveshjes së 4 marsit, shtimi me disa për qind nuk përbën problem.
Në rastin më të keq, ata mund të rrisin taksat ose të shkurtojnë shpenzimet brenda disa vitesh. Por ka edhe çështje që mbeten për t’u sqaruar. A ka punë të mjaftueshme për të ndërtuar tanke, shkolla dhe kilometra autostradë, në mënyrë që paratë e shpenzuara të mos prodhojnë inflacion?
Si mund të parandalojmë që miliarda euro të ngecin në ingranazhet e burokracisë dhe buxhetet e fryra? Por nuk do të ishte hera e parë që fondet publike nuk arrijnë në destinacionin e tyre. Javët e ardhshme, CDU dhe SPD do të duhet të përballen me këto çështje si dhe me shumë të panjohura të tjera, përfshirë koston e lartë të energjisë. /Pamfleti nga “Die Zeit”
Lini një Përgjigje