TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Mars 2025, 15:03

Uzurpimi i Bashkisë së Tiranës, Rama njësoj si Erdogani!

Shkruar nga Pamfleti
Uzurpimi i Bashkisë së Tiranës, Rama njësoj si Erdogani!
Rama si Erdogani

Ashtu siç Erdogan arrestoi kryebashkiakun e Stambollit, Rama “eliminoi” Veliajn dhe futi duart në Bashkinë e Tiranës...

Koincidencë apo jo, Edi Rama dhe Rexhep Taip Erdogan në të njëjtën kohë goditën krerët e bashkive më të mëdha në Shqipëri dhe në Turqi.

Edi Rama, pasi e dërgoi drejt prangave Erion Veliajn, vendosi të marrë nën kontroll Bashkinë e Tiranës me metoda tipike erdoganiste. Në të njëjtën kohë, vëllai i tij turk, i vuri prangat kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, duke mos lejuar që ai të kandidojë në zgjedhjet presidenciale. Me pak fjalë, si Rama si Erdogani “eliminuan” ata që u rrezikonin karriget.

Erion Veliaj prej vitesh është cilësuar si personi që mund të marrë kreun e PS. Ndërsa Imamoglu shihej si personi i vetëm që mund ta mundë Eroganin në zgjedhje. Ai e mundi tre herë në garën për Bashkinë e Stambollit.

Duke u kthyer te realiteti ynë, ajo që ndodhi në Bashkinë e Tiranës nuk është asgjë më shumë se një tregues, që Edi Rama ka pasur frikë nga Erion Veliaj (dhe vijon të ketë). 

Ky i fundit ja dërgoi selamin se ai edhe pas hekurave ka ende forcë. Shkarkimi i Anuela Ristanit nga kryebashkiake ishte tregues i qartë se lufta ka nisur. Lotët që derdhi Rama kur u arrestua Veliaj, dolën që ishin lot krokodili. Që atë ditë, ai vuri në zbatim planin e tij ogurzi, për të marrë nën kontroll Bashkinë e Tiranës, nga frika se besnikët e Lalit do të sabotonin zgjedhjet.

Hyrje-daljet e përshtatshme në bashki sollën edhe emërimin e Anuela Ristanit kryetare në detyrë. Pra na doli, se Veliaj e paska pasur gjithmonë nëpër këmbë njeriun e Ramës dhe u desh rrëzimi i tij për ta ngritur në detyrë.

Veliaj e kuptoi se u përdor gjithë këto ditë dhe të gjithë e braktisën. Për këtë arsye vendosi të veprojë duke larguar Anuela Ristanin dhe duke emëruar Sara Goxhajn. Rama me urgjencë shkoi në bashki dhe kërcënoi hapur të gjithë besnikët e kryetarit, teksa nuk është çudi që të ketë kërcënuar dhe vetë Veliajn.

Bashkia hyri në kolaps, pasi ligjërisht kryetare ishte Sara Goxhaj, pasi ligji njeh firmë dhe vulë. Kjo e çmendi Ramën dhe Veliaj vendosi të bëjë një hap pas, duke mos krijuar konflikt në një kohë që jemi pak para zgjedhjeve.

Mirëpo hakmarrja e Ramës është e njëjtë si ajo e Erdoganit. Pa u tharë mirë vula dhe firma për lënien në detyrë të Ristanit, kjo e fundit, me urdhër nga Babloku shkarkoi dy prej njerëzve më të besuar të Veliajt, Sara Goxhajn dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi. Shkarkimi i tyre ishte një “puç” i pastër, por dhe një tregues se Ristani nuk është gjë tjetër, por një manekinë e Ramës në Bashki.

Përveç kësaj, Rama ka kërcënuar me shkarkime dhe degdisje të gjithë ata që i dalin në krahë Veliajt. Pra njësoj si Erdogani. Gojët e liga thonë se aq shumë është afeksionuar Rama nga Erdogani, sa nuk përjashtohet mundësia ta kthejë vendin në një Republikë Presidenciale dhe të jetë vetë Ali dhe vetë Kadi.

Por pyetja që shtrohet është: A i ka bërë mirë llogaritë Rama? Vërtet mendon Babloku se ja mbylli gojën Veliajt? Po deputetët që flaku jashtë listave të mbyllura çfarë do të bëjnë pas zgjedhjeve? Fitili është ndezur, do presim dhe të shohim. /Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial