Ai akt administrativ që Erion Veliaj ka firmosur nga qelia nuk është gjë tjetër veçse shpallja e luftës së hapur me Edi Ramën. Por kush pret që Lali Eri të fundosë PS-në në zgjedhje për t’ja dhënë fitoren aforfe Berishës, së paku është naiv.
Veliaj është në një situatë të rëndë ngaqë është në burg, dhe si njeri në situatë të vështirë edhe mund të tërhiqet nga dëshpërimi e të bëjë dëm sa mund të bëjë për atë që i ka ndodhur.
Në fakt, ky skenar është për telenovela, Erion Veliaj, së paku çfarë ka treguar deri tani, duket se nuk ka pranuar kushtet e Edi Ramës për t'u dorëzuar.
Madje sipas asaj që duket deri tani ësht gati edhe për një përballje me të madhin fare, vetëm se nuk ka ndërmend të hapë luftë brenda PS. Kjo edhe mund të ndodhte, pasi nuk se ka ndonjë problem, kemi parë edhe në të shkuarën edhe sot, se një politikan përdor të gjithë arsenalin që zotëron për të pasur një efikasitet në luftën e tij. Veliaj, e konsideron veten ende një lojtar poltik, natyrisht brenda PS.
Ajo që ndodhi në 48 orët e fundit, ka qenë një lojë nervash për t’i treguar Edi Ramës që mund t’ja përmbysë fushatën, por dhe më shumë se kaq vetëm me një firmë të vetme.
Në realitet, ajo që Veliaj bëri me delegimin e kompetencave një nënkryetare që Rama nuk e priste, ka shtaktuar një uragan të vërtetë politik. Aq sa që Babloku i Ymër Lalës, ka ikur nga fiqiri për 24 orë. Ka shpikur beteja abstrakte e absurde, duke montuar video pa lidhje vetëm e vetëm për të mos marrë kosto nga një firmë e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Po pse ka ndodhur e gjitha kjo?
Ka ndodhur sepse Rama ka insistuar që Erion Veliajt të japë dorëheqjen formale përpara 11 majit. Akt që Veliaj nuk e ka pranuar, e siç mësohet nuk do ta pranojë deri në fund. Ai ka sfiduar kryeministrin ta shkarkojë, gjë që ishte shumë afër natën e mbrëmshme, por në fund i ka thirrur mendjes se nuk ka të bëjë as me kryebashkiakun e Lushnjës e as me Lefter Allën e Bulqizës, madje as me Safet Gjicin e shkretë që e hëngri nga një kurth seksual në zyrën e tij.
Përveç thashethemeve pafund, Veliaj me aktin e tij, i ka hedhur zaret Edi Ramës, se është gati të përplaset politikisht me të. Situata është acaruar aq shumë, sa Rama, ka kërkuar që të ndërmjetësojë me njerëz të ndryshëm, vetëm e vetëm që të mos i sjellë një dëm politik në fushatën elektorale.
E pikërisht pas një serie ndërmjetësimesh, Veliaj, ka vendosur që të kthehet në pikën 1, pra për të lënë nënkryetaren Ristani si të komanduar. Por e gjitha kjo është vetëm një pretekst. E gjitha ka nisur nga loja nën brez e Edi Ramës, për të bllokuar kryebashkiakun të takojë familjarë e bashkëpunëtorë në paraburgim.
Kur Sali Berisha përmendte Ulsi Manjën si njeriun që ka përgjuar Veliajn, duket se nuk kemi të bëjmë thjesht me ekzagjerimet e zakonshme të doktorit, por me një informacion që ai e zotëron.
Ka një lojë të madhe të Ramës me Veliajn jo sot, por që prej më shumë se një viti. Madje ka një të dhënë interesante, që në momentin kur Rama mori në qeveri Arbian Maznikun, pikërisht të nesërmen u depozitua në SPAK denoncimi i Nesti Angonit. Për të cilin shumë gazetarë sot, kanë thënë me shpoti se ai është Nesti.
Është e qartë se kemi të bëjmë me një luftë të ftohtë të vjetër ndërmjet Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Dilema e kësaj lufte ende është një mister: ka nisur se ka dashur ta bëjë kurban, apo e ka ndaluar që të jetë njeriu që natyrshëm mund ta zëvendësojë në krye të PS-së.
Fakt është që Rama e ka lëshuar Erion Veliajn prej kohësh dhe kjo duket ashiqare. Por Veliaj, i tregoi shefit të tij, që ka “shumë mall ta takojë”. Për të firmosur edhe shkresa të tjera, por jo si ajo që trazoi Bablokun e Imer Lalës që prej 18 marsit./Pamfleti
Lini një Përgjigje