TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Mars 2025, 11:32

Rusia dhe SHBA duan që ta “finlandizojnë” botën

Shkruar nga Andreas Kluth

 

Rusia dhe SHBA duan që ta “finlandizojnë” botën
Donald Trump dhe Vladimir Putin /

Finlandizimi dhe NATO-izimi kanë pak kuptim për amerikanët e zakonshëm, të cilët mund t’i imagjinojnë gjeneralët dhe admiralët duke kaluar më shumë kohë në sauna...

Si president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden përdorte vazhdimisht një frazë të veçantë që tregonte 2 nga mënyrat e shumta sesi ai kontrastonte me pasardhësin e tij, Donald Trump: presidenti i 46-të ishte një komunikues i keq, por një strateg i mirë gjeopolitik; i 47-ti ishte i kundërt.

Biden u shpreh se presidenti rus Vladimir Putin donte “finlandizimin e NATO-s”, por në vend të kësaj mori “NATO-izimin e Finlandës”. Finlandizimi dhe NATO-izimi kanë pak kuptim për amerikanët e zakonshëm, të cilët mund t’i imagjinojnë gjeneralët dhe admiralët duke kaluar më shumë kohë në sauna.

Ju nuk do të dëgjoni një oratori kaq të ngurtë nga Donald Trump, i cili preferon fjalët e mprehta. Biden dështoi t’ia komunikonte si duhet votuesve strategjinë e tij kryesore. Megjithatë strategjia që po përpiqej të reklamonte Biden ishte një sukses, që tani po zhbëhet nga Trump.

Termi “finlandizim” u krijua nga studiuesit gjermano-perëndimorë gjatë Luftës së Ftohtë. Ai i referohej përvojës së Finlandës, e cila kishte luftuar dy herë kundër Bashkimit Sovjetik pushtues. Një herë gjatë Luftës së Dimrit të vitit 1939, dhe pastaj si aleate e Gjermanisë naziste midis viteve 1941-1944. Përmes një armëpushimi të hidhur, ajo i dha Moskës rreth 10 për qind të territorit të saj dhe ra dakord të zhvendoste finlandezët etnikë që jetonin atje. Megjithatë mbeti një komb i pavarur.

Marrëveshja e quajtur më vonë “finlandizim”, nisi në vitin 1948 me një traktat midis Helsinkit dhe Moskës. Për privilegjin e të mbeturit një vend sovran, Finlanda ra dakord të respektonte politikën e jashtme sovjetike dhe të shmangte lidhjet më të ngushta me NATO-n, SHBA-në dhe Evropën Perëndimore.

Ky raport nisi të zbehej vetëm pas Luftës së Ftohtë, përmes disa hapave që sot ëndërrojnë t’i ndërmarrin edhe ukrainasit. Në vitin 1995, Finlanda u bëj pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe gjatë mandatit të Biden në vitin 2023, në kundërpërgjigje të agresionit të Putinit ndaj Ukrainës, hyri në NATO.

Kohë më parë, termi “finlandizim” fitoi edhe kuptimin e tij më të përgjithshëm. Edhe pse fenomeni ishte i mundur vetëm sepse Finlanda ishte shumë e guximshme dhe e fortë për t’u mposhtur (por ende shumë e dobët për të fituar), fjala mori një ngarkesë negative dhe i referohej çdo situate në të cilën një vend më i dobët heq dorë nga një pjesë e sovranitetit të tij, për të qetësuar një fuqi më të fortë.

Në këtë kuptim, “finlandizimi” merr zakonisht formën e neutralitetit të pavullnetshëm ose mos-angazhimit dhe përuljes ndaj dominuesit. Mongolia, të cilën Moska dhe Pekini e konsiderojnë një shtet tampon midis tyre, cilësohet si e “finlandizuar”.

Kështu quhet edhe disa nga vendet e tjera të Azisë Qendrore. Tajvani ka debatuar nëse “finlandizimi” do të ishte një qasja më e përshtatshme për të frenuar sulmin e Kinës. Plani fillestar i Putinit për Ukrainën, ishte pushtimi dhe nënshtrimi i saj i drejtpërdrejtë.

Por kur ukrainasit trima, si finlandezët në vitin 1939, ia mohuan Moskës atë triumf, Putin u detyrua të zvogëlojë ambiciet e tij. Që ai të tolerojë ekzistencën e vazhdueshme të Ukrainës, vendi të bëhet një tokë e askujt, pra përgjithmonë jashtë NATO-s, e çmilitarizuar dhe i përulur ndaj Kremlinit.

Me pak fjalë të finlandizohet. Ai ka vizione të ngjashme edhe për Moldavinë, Gjeorgjinë (jashtë NATO-s) dhe madje edhe Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë (në NATO). Por kërcënimi i Putinit shtrihet edhe më tej. Ai dëshiron të shpërbëjë, jo vetëm Ukrainën, por të gjithë aleancën perëndimore.

Duke shkelur kufijtë e Ukrainës, ai ka hedhur poshtë të gjithë rendin ndërkombëtar “të bazuar në rregulla”, i cili bazohet tek ligjet dhe parimi i sovranitetit kombëtar, siç përcaktohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Pra, kur Biden tha se Putin e NATO-izoi Finlandën, nënkuptonte më shumë sesa vetëm hyrjen e Finlandës në aleancë.

Ai synonte se thoshte se Rusia kishte dështuar në një kuptim më të gjerë, sepse me ndihmën amerikane, evropiane, madje edhe aziatike, Ukraina po mbrohej dhe po i afrohej gjithnjë e më shumë Perëndimit. Dhe që Perëndimi ishte më i bashkuar dhe i vendosur për të mbrojtur jo vetëm Ukrainën, por vetë idenë e sovranitetit kombëtar.

Trump synon që t’i zhbëjë këto arritje. Ai e ka përbuzur prej kohësh NATO-n, duke hedhur dyshime mbi klauzolën e mbrojtjes reciproke, dhe dobësuar efektin e saj parandalues ​​ndaj Rusisë. Ai i përçmon aleatët - si për shembull Danimarkën, të cilës synon ti marrë Grenlandën - dhe e ka lavdëruar Putinin si një njeri të fortë.

Poshtëroi presidentin ukrainas në Zyrën Ovale, dhe në emër të negociatave të paqes duket i pavëmendshëm për një armëpushim që mund të përbënte një kapitullim të Ukrainës. Madje Trump duket i prirur të bëjë disa nga “finlandizimet” e tij. E si mund të quhen ndryshe synimet e tij ndaj Kanadanë në veri apo Panamasë në jug?

Biden e kuptonte vlerën e aleancave dhe rendit ndërkombëtar, ndërsa Trump jo. Biden ishte i dobët në shpjegimin e kërcënimeve të huaja për amerikanët, ndërsa Trump di të joshë me shumë votues. Por edhe kur shpallet me një zë të butë dhe joshës, politika e braktisjes së miqve dhe idealit të sovranitetit, dhe afrimit me tiranitë dhe agresionin, është një strategji e tmerrshme./Pamfleti nga “Bloomberg”

rusia shba bota finlandizimi

Lini një Përgjigje

Editorial