Pak ditë para se Veliaj të arrestohej, Imamoglu erdhi në Tiranë dhe mbajti një samit të kryebashkiakëve, duke përkrahur homologun e tij të Tiranës, dhe duke shprehur solidaritet ndaj tij...
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit ishte një zhvillim i bujshëm, pasi Ekrem Imamoglu është edhe njeriu që mund të sfidojë sulltanin e Ankarasë.
Imamoglu, u arrestua dy vjet përpara zgjedhjeve presidenciale, siç ka ndodhur edhe në vitin 2020, kur një tjetër problem gjyqësor e pamundësoi të kandidonte përballë Erdoganit.
Kryebashkiaku i Stambollit, është njeriu real që mund të marrë postin e Sulltanit, pasi është politikani më popullor, por edhe me një influencë të rëndësishme ndërkombëtare, e me një rrjet të shtrirë në të gjitha vendet ku Turqia ka lidhjet e saj të forta.
Bosnjë-Hercegovina, vendi më me ndikim turk që është aleati më i rëndësishëm i Turqisë në Ballkan, që ka edhe pjesën politike religjoze: partia e djalit të Alia Izetbegoviçit, si edhe partitë laike. E kjo botë e Sarajevës është e ndarë me dy kahët e politikës turke.
Ndërkohë që Erdogan dhe partia e tij ka influencë tek partitë dhe politikanët me të cilët mban lidhje, kryebashkiaku i Stambollit krijoi për pak vite, rrjetin e tij politik në Ballkan.
Në Shqipëri, Ekrem Imamoglu, arriti të bënte aleat të ngushtë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Madje, pak ditë para se Veliaj të arrestohej, Imamoglu erdhi në Tiranë dhe mbajti një samit të kryebashkiakëve, duke përkrahur homologun e tij të Tiranës, dhe duke shprehur solidaritet ndaj tij.
Siç mësohet, ajo vizitë në Tiranë dhe samiti me të gjithë kryebashkiakët e rajonit ka çmendur Sulltanin, i cili ka telefonuar Edi Ramën për të shprehur gjithë pezmin e tij. Përveç se me Erionin, Erdogan është mërzitur edhe me Presidentin Begaj, i cili i rezervoi një pritje të posaçme dhe kuptimplotë kreut të bashkisë së Stambollit, Imamoglu dhe kryebashkiakëve të tjerë.
Po ç’ndodhi më pas?
Vetëm pak ditë, fare pak ditë pas këtij takimi, Eron Veliaj u arrestua, e shumë shpejt të njëjtin fat pati edhe Imamoglu, kur 300 policë mbërritën në shtëpinë e tij në një nga lagjet më të njohura të Stambollit laik.
A mund të jetë kjo thjesht një rastësi?
Sipas asaj që ka ndodhur, nuk duket të jetë kështu.
Le t’i kthehemi rastit ‘Veliaj’. Sado që Edi Rama, pas arrestimit të tij, tentoi ta mbrojë, duke folur dy- tre ditë për këtë çështje, më pas jo vetëm ka heshtur, por ka ndaluar çdo drejtues e politikan socialist të mbështesë kryebashkiakun e Tiranës. Madje, dërgoi në komunikimin në grupin e deputetëve një “fatva” ku dënoi publikisht Etjen Xhafajn.
Ndërkaq, ajo që është më e rëndësishmja, nuk është performanca e Kryeministrit në mbështetjen e Erion Veliajt në betejën e tij gjyqësore, por lufta e hapur dhe e pabarabartë politike që po i bën atij Edi Rama.
Kjo luftë ka nisur herët, ndërkohë që këto ditë, kur Veliaj ka komunikuar me shkresa nga burgu për të caktuar një nënkryetare të komanduar, Edi Rama veproi egërsisht duke terrorizuar të gjithë zyrtarët e bashkisë Tiranë.
Akti i Veliajt sipas të gjitha gjasave ka qenë një provokacion, një matje pulsi, për të parë si do të sillet tashmë kundërshtari më i egër i tij, i cili është edhe njeriu që e futi në politikë.
Veliaj, ka vendosur që të mos tërhiqet dhe po zbaton kompetencat e tij ligjore, të cilat, edhe nëse kontestohen nga Rama apo njerëzit e tij në Bashki, ata do të duhet të ishin të matura dhe të argumentuara. Por nuk ka ndodhur kjo; Rama ka vepruar egërsisht, jo thjesht për të ndalur Veliajn, por për të trembur përkrahësit e tij në bashki dhe në Partinë Socialiste.
Përplasja apo lufta e Edi Ramës ndaj Erion Veliajt ka qenë më shumë politike sesa një depistim pas nisjes së hetimeve të SPAK ndaj kreut të bashkisë së Tiranës.
Kryeministri, ka prej një viti që ia ka prerë Veliajt fuqitë dhe drejtimet e tij politike. Në fillim i hoqi angazhimin në bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës si drejtues politik, më pas i solli Spiropalin nga Shkodra, futi Ogerta Manastirliun e në fund siluroi Blendi Gonxhen në Kombinat.
Ndërkaq, menjëherë sapo Veliaj u arrestua, i hyri në bashki, duke marrë kontrollin e çdo zyre atje, duke mos lejuar kryebashkiakun të ushtrojë influencën, gjë që i takon me ligj, pikërisht pasi ka fituar zgjedhjet dhe është betuar.
Rama, nuk guxon ta shkarkojë me vendim qeverie, pasi është jashtë kontekstit ligjor, e mund të sfidohet në Kushtetuese apo në një gjykatë të zakonshme.
Të gjitha rastet, kur qeveria ka bërë shkarkimet e kryebashkiakëve të arrestuar, apo atyre që u kanë plasur skandale, kjo ka ndodhur me dorëheqje.
Të cilët, Rama publikisht nuk ja ka kërkuar Veliajt, por duket që privatisht, kjo ka ndodhur. Kryebashkiaku nuk ka pranuar që të nëpërkëmbet prej fillimit, e ka bërë të ditur se nuk do të dorëzohet, por do të bëjë betejën e tij.
Kjo përplasje e Ramës me Veliajn nuk ka ndodhur sot, por prej disa kohësh, kur relacionet e tyre janë ftohur. Janë të njohura batutat histerike të lyerjes së shkallëve apo edhe varjes në pemë, që siç treguan zhvillimet nuk ishin dhe aq shaka.
Kjo përplasje vijoi derisa u arrit para një viti, ku çdo leje ndërtimi e bashkisë rrëzohej nga KKT-ja me firmën e Edi Ramës.
Në ditën kur u mbajt një miting në sheshin ‘Skënderbej’, janë miratuar nga KKT një numër i madh kullash në të gjithë Shqipërinë; nga Tirana në vendet bregdetare.
E gjithë kjo strategji sulmi ndaj Veliajt, nuk duket gjë tjetër veçse me një objektiv: për të penguar kryebashkiakun që në një moment të mundëshëm të jetë pasardhësi i Edi Ramës.
Nxjerrja jashtë fushe, siç bën për të dytën herë Erdogan me Imamoglu, synon pikërisht dobësimin, deri në heqje dorë nga “lufta për pasardhësin”./Pamfleti
Lini një Përgjigje