TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Mars 2025, 10:07

A do t’i bashkohet Trump klubit të të fortëve?

Shkruar nga Paul Wood

 A do t’i bashkohet Trump klubit të të fortëve?

Tani shtetet e vogla duhet t’i frikësohen një bote pa rregulla, ku siç thotë Tukididi: “Të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet!”...

Klubi më ekskluziv në botë, ai i presidentëve të përjetshëm, po zgjerohet. Tashmë ai përfshin Vladimir Putinin e Rusisë, Xi Jinping të Kinës, Lukashenkon e Bjellorusisë, Sisin e Egjiptit dhe Kimin e Koresë së Veriut. Pastaj janë edhe sundimtarët e tjerë të përhershëm, Mohammmed Bin Salman i Arabisë Saudite dhe pjesa tjetër e monarkive të Gjirit, pa harruar Khamenein e Iranit dhe disa liderë afrikanë.

Tani këtij klubi po përpiqet t’i bashkohet edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ai ka sajuar akuza për terrorizëm dhe korrupsion kundër njeriut që mund ta mundë në zgjedhjet e ardhshme, kreun e bashkisë së Stambollit.

Edhe presidenti i SHBA-së, Donald J.Trump i admiron hapur autokratë të tillë dhe dëshiron qartazi të jetë vetë një i tillë. Kjo është epoka e udhëheqësve autoritarë, dhe për këtë arsye bota është sot shumë më e rrezikuar. Trump mendon shpesh për një mandat të tretë si president.

Ky mund të jetë diversioni i zakonshëm i Trump, megjithatë ai i është rikthyer vazhdimisht kësaj teme. Madje ish-kryestrategu i Trump, Steve Banon - dhe ideologu kryesor i MAGA - thotë se shefi i tij i vjetër do të kandidojë dhe fitojë edhe në zgjedhjet e 2028-ës.

Dhe kur pyet për “problemin e vogël” të Kushtetutës së SHBA-së dhe Amendamentit XXII, që përcakton në total vetëm 2 mandate dhe maksimumi 8 vjet si president, ai buzëqeshi duke thënë: “Ne jemi duke punuar edhe për këtë. Mendoj se do të kemi disa alternativa”.

Po ku e ka fjalën ai? Bannon shpreson për një riorganizim të politikës amerikane, diçka që ndodh njëherë në një brez, siç ndodhi kur Roosevelt fitoi në vitin 1932. Ai fitoi 4 mandate - i vetmi president i SHBA që pati më shumë se dy - por kjo ndodhi për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe para miratimit të Amendamentit XXII-të.

Ndoshta Bannon mendon se ky i fundit mund të shfuqizohet, nëse lëvizja MAGA forcohet mjaftueshëm. Mbështetësit e tjerë të Trump, besojnë se udhëheqësi i tyre mund të refuzojë të largohet nga detyra. I besuari i Trump, Roger Stone, më tha gjatë fushatës së 2020-ës, se ai mund të nxirrte ushtrinë në rrugë, në rast se do të kishte kaos pas zgjedhjeve të konstestuara nga njëra palë.

Ky mund të jetë fundi i demokracisë amerikane. Ish-kryetar i shefave të përbashkët të ushtrisë së SHBA-së, gjenerali Mark Milley, ka thënë se Trump është një “fashist deri në palcë... njeriu më i rrezikshëm për këtë vend”. Grupimi “Keep Our Republic” (Mbro Republikën Tonë),  thotë se propozimet e Bannon duhet të merren seriozisht. Një nga drejtuesit e tij, Mark Medish, më tha se presidenca ka krijuar fuqi sekrete gjatë Luftës së Ftohtë por edhe pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Dhe një personazh i keq si Trump mund ta shfrytëzojë luftën ose ndonjë emergjencë tjetër kombëtare për të shpallur ligjin ushtarak. Kjo lëvizje nuk do të pengohej domosdoshmërisht nga Gjykata e Lartë, e cila kohët e fundit i garantoi një imunitet pothuajse të pakufizuar presidencial për të gjitha krimet gjatë kohës që është në detyrë.

Vladimir Putin, është modeli se si të thyhen rregullat ndryshohen ato për të qëndruar në pushtet. Në vitin 2008, ai ndërroi vendin e punës me kryeministrin e tij, Dmitry Medvedev, por vazhdoi t’i drejtonte gjërat nga posti më i ulët. Pas 4 vitesh u kthye sërish president.

Edhe Trump mund të mendojë të njëjtën skemë. Ai mund të zgjidhet zëvendëspresident, t’i drejtojë gjërat nga ku post për një farë kohe si një lider i padiskutueshëm i MAGA-s, dhe pastaj të marrë sërish presidencën.

Kushtetuta e SHBA-së, nuk është shumë e qartë nëse kjo mund të ndodhë, por ndoshta kalimi nga posti i zëvendëspresidentit në postin e lartë nuk do të llogaritet si një mandat i plotë. Trump e admiron Putin, mbi të gjitha sepse ai është i pasur, ndoshta më i pasuri në botë.

Michael Cohen, ish-avokati personal i Trump, shkruan në kujtimet e tij se Trump i tha në një moment: “E imagjinon dot të kontrollosh 25 për qind të pasurisë së një vendi. A nuk do të ishte e mahnitshme?”. Si grupim, autokratët - bashkë me Trumpin e çuditshëm - janë inatçorë, mbajnë shumë mëri, megalomanë, sentimentalë dhe mizorë. Por rreziku më i madh qëndron në planet madhështore dhe tek dëshira e tyre për të siguruar vendin e tyre në histori duke rivizatuar hartën e botës. Putin ka në shënjestër Ukrainën; Xi Tajvanin, ndërsa Trump…Grenlandën. Danezët po e marrin seriozisht kërcënimin e Trump për të aneksuar Grenlandën.

Rasmus Jarlov, zëdhënësi i partisë konservatore Danezët për Grenlandën, më tha se nuk do të dorëzohen kurrë. Ai nuk mendon se SHBA do t’i pushtojë ushtarakisht, por thjesht do të shtojë presionin.

“Ne e dimë se ata nuk kanë turp që t’i ngacmojnë aleatët. I gjithë vendi është shumë i zemëruar. Është një mungesë e madhe respekti dhe e pamoralshme, duke pasur parasysh miqësinë dhe aleancën e vjetër që kemi pasur me amerikanët”- shtoi ai.

A është ky fundi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla? Gjeneralët e Trump u përpoqën t’i shpjegonin atij konceptin në një takim të zhvilluar në një bunker në Pentagon në fillim të mandatit të tij të parë. Por ai i quajti budallenj, kalamaj dhe humbës, duke shtuar: “Unë nuk do të shkoja në luftë me ju!”.

Trump beson në sloganin “Amerika e Para”, ndaj ne duhet të supozojmë se ai nuk dëshiron të nisë një luftë tjetër të madhe me një pushtim të kushtueshëm. Pra jo Irak apo një Afganistan të ri. Por kërcënimi i tij ndaj Danimarkës, Kanadasë dhe Panamasë, forcon pozitat e grabitqarëve të vërtetë: Putinit dhe (pavarësisht bisedave për një aleancë të SHBA me Rusinë) Xi-së.

Gideon Rachman i Financial Times ka shpikur një term për këtë moment: neoimperializëm, epoka e re e perandorisë. Tani shtetet e vogla duhet t’i frikësohen në një bote pa rregulla, ku siç thotë Tukididi: “Të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet!”./Në shqip: Pamfleti

trump klubi i të fortëve

Lini një Përgjigje

Editorial