Babloku po bën atë që di të bëjë më mirë: po bashkëpunon me krimin, me llumin e biznesit dhe formula që ka zgjedhur është: me jep një votë, të jap një kullë...
Zyrtarisht kësaj fushate zgjedhore i ka dalë era, ende pa filluar. Të dy krahët e politikës shqiptare, janë, jo për të qarë hallin, por në nivelin me ordiner që historia e Shqipërisë ka parë ndonjëherë.
Me një duzinë bashkëpunëtorësh të afërt në burg, tanimë pa rrugëdalje dhe pa një variant zyrtar për atë që po iu ndodh njerëzve të tij, Edi Rama është fshehur pas bufit të kënetës. Babloku bën sikur tallet e madje e ka zgjedhur këtë si lajtmotivin zyrtar të fushatës së tij, por në fakt toka nën këmbë i është dridhur dhe e ardhmja e tij dhe atyre që i kanë mbetur, është ende shumë e pasigurt. Bufi dëgjohet në mëngjes, drekë e darkë.
Përballë tij, Sali Berisha, i vdekuri i ringjallur i politikës shqiptare, pa një program të saktë, pa një filozofi e as, të paktën, një kauze politike të hajrit, rri vigjilent në pritje të postimeve të Ramës për t'ju përgjigjur. Kaq është politika e djathtë sot: flakë për flakë talljeve të Ramës, duke harruar atë çfarë një opozitë duhet të bëjë për të ardhur në pushtet. Një sjellje akoma më shumë e vajtueshme po të mendosh që Edi Rama ka aq shumë pika ku mund të goditet politikisht, sa po të kishim pasur një opozitë normale, ky pushtet torture do të kishte rënë me kohë. Boll të merrej me njerëzit që Edi Rama i ka në burg. Por jo, i vdekuri i pakallur i PD vetëm i kthen përgjigje batutave të Ramës.
Ama, Rama është tronditur dhe pushteti i tij nuk duket më aq i konsoliduar sa ndihej pak muaj më parë. Me një tufë megallomanësh përreth, që u duket vetja të paprekshëm dhe të pavdekshëm, Bablokut i është dashur të mendojë një strategji për të ndenjur në pushtet. Për suksese ai nuk flet dot më, doktrina e anëtarësimit në BE është shumë e dobët, rritja ekonomike është përrallë me mbret, prandaj për të fituar mandatin e katërt, Babloku po bën atë që di të bëjë më mirë: po bashkëpunon me krimin dhe me llumin e biznesit dhe formula që ka zgjedhur është: me jep një votë, të jap një kullë. Jo më kot viti i kaluar u mbyll me me një duzine lejesh, të dhëna kryesisht eksponentëve të krimit që pas zgjedhjeve të 11 Majit do të lëvrijnë edhe më lirisht në rrugët e Shqipërisë.
Vetëm gjatë 2024 KKT ka miratuar pothuaj 2 milion metër katror sipërfaqe ndërtimi. 60% më shumë se viti 2023, kundrejt vlerave që i kalojnë 500 milion euro. Shifrat janë denjësisht konkurruese me 118 leje të tjera për kulla të dhëna këtë vit në gjithë Shqipërinë, 16 nga të cilat në Tiranë, me më shumë se 25 kate secila.
Lejet e ndërtimit janë ndarë ndër emra, jo vetëm "investitorësh strategjik", por edhe eksponentë me dosje në shqyrtim e gati për t’u hedhur prangat nga Drejtësia. Këta të fundit janë shpëtimi i vërtetë i Edi Ramës, fija ku po mbahet për të marrë edhe nje mandat e për ti dhënë kohë vetes, për t’i shpëtuar burgut. Mbizotërojnë bandat e Elbasanit, Durrësit dhe Tiranës që pasi i kanë mbushur hundët Bablokut i kanë premtuar edhe pushtetin e mandatit të katërt.
Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse "ekspertët" afër pushtetit dalin e mbrojnë tezën se "flluska e ndërtimeve" nuk do të plasë kurrë në Shqipëri dhe se ndërtimi është investimi më solid dhe i ndershëm në vend. Një përrallë që nuk e beson më as bufi i kënetës. Edhe ai buf mbi të cilin Edi Rama por ngre filozofinë e kësaj fushate dhe që në fund do kthehet të tërheqë përfundimisht në kënetë edhe të zotin./Pamfleti
Lini një Përgjigje