TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Prill 2025, 10:27

Evropa e Bashkuar: ‘streha’ e fundit e Demokracisë në botë

Shkruar nga Pierre Haski*

 Evropa e Bashkuar: ‘streha’ e fundit e Demokracisë në

Urrejtja e presidentit të SHBA-së ndaj BE-së është një realitet që ne kemi refuzuar ta pranojmë, por që më në fund ka sjellë një ndërgjegjësim të shëndetshëm në gjithë kontinentin...                              

Formula u propozua nga sociologu francez Dominique Méda në faqet e të përditshmes së njohur Le Monde: “Sot, Bashkimi Evropian duket befas si një prani e njohur, siguruese dhe mbrojtëse”.
Është një nga paradokset e mëdha, dhe ndoshta e vetmja risi e kësaj epoke problematike, që nxit sadopak shpresë: në një botë ku dominojnë “grabitqarët”, sa për të përdorur shprehjen  e Giuliano da Empoli në librin e tij të fundit të botuar në Francë, Evropa është tashmë pothuajse streha e fundit e shtetit ligjor, e respektimit të normave ndërkombëtare dhe e mirësjelljes.

Me gjithë gabimet e tij, blloku duket këto kohë i pasur me cilësi, të cilat gradualisht po zhduken gjetkë.

Por si mund t’i ruajmë këto karakteristika pozitive?

Dhe mbi të gjitha, si mund ta bëjmë atë një model të përshtatshëm për të parandaluar rikthimin e marrëdhënieve të fuqisë dhe brutalitetit drejt të cilit bota po ecën me shpejtësi?

Spektakli tronditës i presidencës së Donald Trump, po nxjerr në pah meritat e një Evrope që shpesh na pëlqen ta kritikojmë, duke nënvizuar zhgënjimet që na shkakton ajo here pas here. Urrejtja e presidentit të SHBA-së ndaj BE-së është një realitet që

ne kemi refuzuar ta pranojmë, por që më në fund ka sjellë një ndërgjegjësim të shëndetshëm në gjithë kontinentin.

Sigurisht, nuk mund të mohohet se ka edhe kufizime. Për shembull Evropa s’ka unanimitet të plotë për shkak të presidentit hungarez Viktor Orbán, i cili tregon vazhdimisht vlerësimin e tij për autokratët.

Për më tepër, partitë politike evropiane të mbështetura nga Trump, J.D.Vance, Elon Musk dhe miqtë e tyre, janë tani në prag të ngjitjes në pushtet dhe po përpiqen të fshehin kontradiktën e madhe midis patriotizmit dhe simpatisë së tyre për grabitqarët e Moskës dhe Uashingtonit.

Edhe pse i kam ndjekur për dekada me radhë çështjet evropiane, që nga koha e lavdishme e Jacques Delors në krye të Komisionit Evropian, rrallëherë kam vënë re një ndjenjë të tillë urgjence dhe reagimi ekzistencial, me ndjenjën se blloku nuk ka më luksin që të gabojë.

Armiqësia e Uashingtonit ndaj Brukselit, i ka rrënjët tek një vizion i botës që është i papajtueshëm me atë evropian, duke u nisur nga interpretimi i ndryshëm i marrëdhënies midis ligjit dhe përdorimit të forcës, dhe rolit të shtetit në ekonomi.

Ky është momenti i duhur për të vepruar, sepse vonesat e akumuluara në teknologji, mbrojtjen e përbashkët dhe aftësinë për t’u mbrojtur nga agresioni tregtar ose financiar e dobësojnë kontinentin në një kohë kur po shtohen rreziqet.

Dhe këto vonesa nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit, por është ngushëlluese të theksohet se hapat e parë kanë qenë inkurajuese. Po kështu, ne mund të mirëpresim kthimin e Britanisë së Madhe, e lënduar nga ftohtësia që po tregon ndaj saj Uashingtoni, në një afërsi më të madhe me aleatët e saj gjeografikë evropianë.

Evropa përballet me shumë rreziqe, duke filluar që me mbijetesën e saj përballë një administrate amerikane, e cila ëndërron të çmontojë politikat e përbashkëta (kryesisht rregullat dixhitale dhe politikat tregtare), me shpresën e kthimit në vasale të saj të shteteve individuale.

Por Evropa duhet të përgatitet edhe për botën e së nesërmes, sepse tashmë është e sigurt që nuk do të kthehemi më kurrë në statuskuonë e mëparshme.

Rendi i ri botëror, do të ndërtohet mbi rrënojat e atij që lindi në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë kuptim, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të jetë në gjendje të ulet tryezën ku do të merren vendimet më të rëndësishme. Por që ta bëjë këtë, do t’i duhet t’i mbijetojë kaosit aktual, duke mbrojtur liritë dhe duke ripërtërirë një model që po tregon shenja të qarta konsumimi.

Gjithsesi Dominique Meda ka të drejtë: përballë kërcënimeve në rritje të kësaj bote, BE-ja duket më e sigurt. Që ta kuptonim këtë u desh Donald Trump dhe teprimet e tij./Në shqip: Pamfleti

evropa e bashkuar streha e fundit e demokracisë

Lini një Përgjigje

Editorial