TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Prill 2025, 10:58

Ilir, ik sa nuk është vonë!

Shkruar nga Pamfleti

 

Ilir, ik sa nuk është vonë!
Ilir Proda /

Zoti Ministër! Çfarë duhet të ndodhë më tepër në këtë vend që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të shkarkohet?

Nëse do të kërkosh sukseset e policisë shqiptare në muajt e fundit, mjafton të shohësh fytyrën e përgjumur të Drejtorit të Përgjithshëm. Zoti Drejtor duket se e ka kthyer zyrën në dhomë pritjeje ku koha kalon, ndërsa kriminelët vazhdojnë lirshëm shëtitjet e tyre të përnatshme.

Shqipëria po rrëshqet çdo ditë e më shumë në spiralen e dhunës dhe bandat kriminale nuk po "hanë vetëm kokat e tyre", siç preferonte të thoshte Kryeministri, por po marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Kjo u dëshmua tragjikisht edhe mbrëmjen e kaluar, ku gabimi i kriminelëve në identifikimin e shënjestrës shkaktoi plagosjen e rëndë të katër personave, përfshirë dy fëmijë të mitur.

Ngjarjet e djeshme nuk janë aspak të papritura, pasi policia i ka të gjithë këta persona të skeduar për konfliktet dhe hakmarrjet mes tyre. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë strategji reale për luftën ndaj krimit, ndërkohë që njerëzit vriten ditën për diell si në një vend në luftë. Çfarë duhet të ndodhë më tepër në këtë vend që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të dorëhiqet? Ngjarjet e fundit kriminale, nga atentatet në mes të ditës deri te goditjet mafioze, tregojnë qartë se uniformat blu janë shndërruar në veshje festive, vetëm për t'u shfaqur në parada e ceremoni. Drejtori ynë, me një indiferencë të admirueshme, i ngjan një arbitri që vëzhgon lojën e bandave, ndoshta duke vendosur edhe ndonjë bast simbolik mbi rezultatin.

Çuditërisht, krimi po lulëzon pikërisht aty ku Drejtori ynë është më "vigjilent". E si mund të ndodhë ndryshe, kur drejtuesi i sigurisë publike më shumë se sa të ndjekë kriminelët, preferon t’u bëjë shoqëri, të jetë pjesë e miqësive të tyre të "shëndetshme" dhe të shijojë "stabilitetin" që i sigurojnë bandat kriminale?

Në fakt, suksesi i vetëm i këtij drejtori duket të jetë aftësia për të qëndruar në detyrë pa bërë absolutisht asgjë. Një arritje e pazakontë në administratën publike shqiptare, ku zakonisht edhe ata që bëjnë diçka, shkarkohen shpejt.

Mbase Drejtorit i duhen kujtuar disa fakte bazike: uniforma blu nuk është një kostum gjumi, zyra e drejtorit nuk është hotel, dhe detyra e tij nuk është të numërojë orët që kalojnë, por bandat që eliminohen. Përndryshe, le t’i bashkohet haptazi skuadrës së miqve të tij kriminalë. Të paktën kështu, do të jetë i sinqertë deri në fund!/Pamfleti

ilir proda krimi ngjarje kriminale

Lini një Përgjigje

Editorial