Arroganca e kryeministrit shqiptar në skenën ndërkombëtare më shumë se një bezdisje diplomatike, e kthen atë në një figurë komike që nuk e merr askush seriozisht…
Në një Konferencën Ndërkombëtare të zhvilluar sot, me titullin pretencioz "Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri", kryeministri Edi Rama duket se ka zgjedhur përsëri skenën diplomatike për të demonstruar arrogancën e tij, të maskuar nën humorin e dobët dhe ironinë e panevojshme.
"Jemi i vetmi vend në botë që falënderojmë ambasadorët", - thotë Kryeministri, duke harruar se falënderimi është minimum etik, një detyrim i thjeshtë që ia kemi borxh secilit, dhe aq më tepër atyre që po ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit.
Në vend që të tregohej mirënjohës ndaj ndihmës ndërkombëtare, Rama preferoi të ironizojë haptazi Francën, duke e etiketuar si një "shtet të varfër", duke u shprehur se francezët "mend na japin, por paratë do të duhet t'i gjejmë vetë". Një tentativë e qartë për të qenë "interesant", por që në të vërtetë veçse ekspozoi një cinizëm bajat dhe një mungesë serioze respekti e mirënjohjeje ndaj partnerëve.
Duket se Rama e ka ngatërruar dinjitetin me fodullëkun, duke besuar se krenaria nacionale demonstrohet përmes arrogancës dhe përçmimit të atyre që e mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Duke ngritur kokën si ‘kaposhi’ në arenën ndërkombëtare, ai duket sikur harron se Shqipëria vazhdon të jetë një vend që ka nevojë për ndihmën, bashkëpunimin dhe solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar.
Sjellja e kryeministrit nuk është aspak e denjë për një lider që synon të ndërtojë një imazh pozitiv ndërkombëtar. Përkundrazi, ai duket se po shndërrohet në karikaturën e vetvetes, duke shkaktuar një bezdisje diplomatike dhe duke humbur kështu respektin e aleatëve dhe partnerëve.
Në një moment kur Shqipëria duhet të forcojë marrëdhëniet e saj diplomatike, Rama zgjedh të sillet si një "kaposh" provincial, duke e konsideruar arrogancën si virtyt dhe ironinë e cinizmin si mençuri. Por historia diplomatike ka dëshmuar vazhdimisht se respekti dhe modestia janë atributet më të forta të liderëve të vërtetë.
Mbase ka ardhur koha që Rama të kuptojë se protagonizmi i tij diplomatik nuk duhet të ndërtohet mbi ironinë dhe fodullëkun, por mbi përgjegjësinë dhe seriozitetin e duhur për një vend që synon integrimin europian./Pamfleti
Lini një Përgjigje