TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë12 Gusht 2024, 11:04

Të paktën Non-Gratat të ishin origjinale!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Të paktën Non-Gratat të ishin origjinale!

Nga Uashingtoni po fryjnë erëra të reja...

Lista e Non- gratave të reja, që pritet të prezantohen në “sfilatën” diplomatike të të  ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn këtë shtator, nuk është marrë dhe aq seriozisht prej miletit që ka rrethuar ata që vjedhin e sundojnë duke rrëshqitur si peshq nga shtatori në shtator.

Prej Adriatik Llallës e këtej, prej Alexandër Arvizu e këtej, katër kryeprokurorë shqiptaro-amerikano-kinezë dhe pesë ambasadorë ose të ngarkuar me punë, kinëzo-afrikano-amerikano-shqiptar, nuk kanë bërë as edhe një punë, as me arrestimin e Non- Gratave, as me hetimin e 4 Klaneve Mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale, as me sajimin e strehëve ku mund të “piqej” një mendim apo besim, se Non-Gratat e reja do të jenë origjinale dhe për personat origjinal të krimit.

Se këto Non-Gratat që kemi deri sot, nuk janë prodhuar në Amerikë, por në zyrat e Mafies dhe të FBI-së, që një kohë, kishin dalë bashkë të kapin ç’të kapin, të shtrijnë zonat e influencës ekonomike kudo, nga Kina në Beograd, nga Moska në Amerikë, apo nga Turqia në Dubai.

Pas fotografisë së Olsi Ramës, në sistemin TIMS, edhe pse nuk del emri i vëllait të kryeministrit që udhëton 18 herë me makinën e drogës së grupit të Xibrakës, gjurmë krimi ka, apo jemi gabim?!

Në është kështu, siç edhe hetimet në Hanovër janë bio, Olsi Rama, nuk ka asnjë logjikë të mos jetë në krye të listës së Non-Gratave të shtatorit, sa kohë akuzat dhe pasuritë e tij janë aq të trasha, sa duhet të kërkosh gropa tek Altin Dumani, për të fshehur dosjet dëng.

Po na sollët kopjo të Non-gratës së Saliut, pra të blera me taksat tona, Edi Rama do të bëhet Recep Tayyip Erdoğan dhe Sali Berisha Sllobodan Millosheviç.

Se Babloku nuk e ka për gjë të hapë llaf se Saliu u hakmor dhe bleu tek FBI Non-Grata ruso-kineze.

Sa për firma e vula, edhe kur i zoografisë Sekretari Amerikan i Shtetit, fshatarët i shohin si njolla të zeza në mjegullën e qerpikëve të veseve që bëjnë rrotullimin e 34-t në vitin e 34-t,  rreth vetvetes.

Pra, qark i thurur me vegime të çthurura 

Sot, vetëm hija e ambasadores Yuri Kim sillet si fantazmë sa tek ballkoni i Sali Berishës, sa tek dy anijet e energjisë së rinovueshme të zhytura në ujërat e korrupsionit dhe terrin e kohës që ha 2916 dollarë në orë, prej afro dy vitesh.

Këta të FBI-së dhe këta të Qeverisë, kanë mjaftueshëm punë të fshehin skandalet nga populli i shkretë që është i bindur se Edi Ramës askush nuk i reziston më shumë se gjashtë muaj për ta bërë për veten ose si veten.

Në dyshim për çdo sjellje të personave që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe paraqesin kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, edhe pas Urdhrit Ekzekutiv të President Joe Biden të 26 qershorit të vitit  2001 lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të karikohemi për çdo gjë dhe për asgjë.

Mund të shkërmoqet kështjella e korrupsionit, por mund edhe të ngrihet një kat më lart.

Erërat nga Uashingtoni vërtetë janë kundër, por specialistët e ekspeditave kriminale nuk dorëzohen deri në frymën e fundit.

Edhe rrugës për në burg demonstrojnë forcë zakoni.

Orientojnë ngarkesat e karvanëve për atje ku drejtësia pastron njollat e zeza.

A nuk po i pastron Altin Dumani Ilir Metën, Ilir Beqjen, Frida Krifcën, Fatmir Mediun, Olsi Ramën, Olta Xhaçkën, Engjëll Agaçin dhe këdo Mafies i intereson të mbajë ende afër.

Të tërë bëjnë sikur punojnë. 

Edhe pse e ngarkuara e re me punë, ka marrë përsipër ca punë edhe brenda ambasadës, edhe brenda fisit të mafies, si me thënë, do kemi pastrim territori, do të mjaftonte edhe një shërbim ndryshe deri sot, të paktën Non- Gratat të ishin origjinale, prodhuar në Amerikë, se pastaj fshatarët e dinë atë këngën “N’ato maje rripa-rripa...”/Pamfleti

 

non grata origjinale

Lini një Përgjigje

Dosja e zezë