TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Mars 2025, 10:20

Parlamenti i ri, shpata e Demokleut mbi SPAK

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 Parlamenti i ri, shpata e Demokleut mbi SPAK

Ilir Meta, një deputet i ardhshëm është betuar nga burgu se do ta zhdukë të parin Altin Dumanin...

Ankthi kolektiv, se mos SPAK-u nuk do të arrestojë ‘Peshqit e Mëdhenj’ të korrupsionit para zgjedhjeve të 11 majit, pasi ata i janë “fshehur” drejtësisë në listat e kandidatëve për deputet, për t’u bërë ata drejtësia, është refreni i kësaj pranvere.

Prapaskena e 3 Klaneve Mafioze, është një thikë pas shpine kohës së gjysmë shpresës, nga gjysëm të sigurtët në rrugën e hajdutërisë.

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë mbushur listat e kandidatëve për deputetë me persona që më shumë njihen nga dosjet penale sesa nga pasaportat dhe identitetet e shumta, se ju e dini, kemi nga ata me disa emra.

Që t’i marrim emër për emër nuk do kishte fare interes, por ajo që duam të themi, nëse SPAK-u nuk i merr dosje për dosje e t’i prangosë para 11 majit, e sigurt se imuniteti i ligjvënësve kriminelë, do të jetë më i fortë se çdo akuzë, provë apo ligj në letër.

Mbreti, nëse punët i shkojnë mirë, e do Parlamentin e ri si shpatën e Demokleut mbi SPAK-un.

Sot, shpata e drejtësisë është e varur mbi kokën e tij, dhe qimet e kalit që ka ikur janë aq të holla, sa vetëm 11 maji mund ta spostojë mbi kokat e oborrtarëve që edhe ata jetojnë me frikën e armiqësive.

Ilir Meta, një deputet i ardhshëm është betuar nga burgu se do ta zhdukë të parin Altin Dumanin.

Janë shumë emra kriminelësh që presin të bëhen ligjprodhues.

Pra, në dosjet kriminale janë aq shumë, sa nuk i zë një shkrim normal, por ama fshatarët tanë numërojnë me saktësi milionat e dollarëve të vjedhur, dhe dinë etiketat e secilës hallkë të qarkut të mbyllur kriminal, nga ato të Edit, Ilirit, Saliut, Tosit, Olsit, Flamurit, Ulsiut, Shkëlzenit, Oltës, Fridës, Linditës, Engjëllit, Ogertës, Fatmirit, McGonigalit të vogël, Aleksandrit të madh, USAID-it e çdo ustallari të nevojshëm përkohësisht, që mafia synon ta lidhë tek mullari i Parlamentit me litar kërpi, plot kokërriza, që po t’u kruhet kurrizi, u rri gati për t’ua kruar partia, e pastaj dihet fati, bëhen viktima interesash.       

Nëse deri sot, drejtësia tkurrej pak nga ndonjë zarf i fryrë pagese apo kod politik pengese, por ndonjë tymçe e lëshonte sa për të thënë se terreni ka ca rrezik e nuk mund të vidhet pa kapur ndonjë fatzi, përzierja e frikshme e prodhimeve politike pas 11 majit, mundet të shndërrojë hajdutët në ligjvënës, ligjvënësit në gjykatës e prokurorë dhe prokuroritë e gjykatat në shërbim të hajdutëve.

Jo pa qëllim, arkitektin e reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, Babloku e ka lënë diku në një qoshe liste, afër mëndsh jashtë parelamentit.

Formula është krejt e thjeshtë kësaj here.

Mafia ka synim që hajdutët e mëdhenj t’i bëjë deputetë, e SPAK-ut t’i tregojë rrugën me forcën e kartonit kinez.

Nese ndonjëri nuk bindet, Parlamenti i ri, shpata e Demokleut mbi SPAK, mund t’i presë kokat e oborrtarëve një nga një.

Ky është synimi i 3 Klaneve Mafioze që ende janë të fortë e rrezikojnë të jenë pas 11 majit edhe më të rrezikshëm, nëse këto ditë SPAK-u nuk merr guxim të shpërthejë furtunë në listat plot hajdutë të kandidatëve për deputetë./Pamfleti

parlamenti i ri shpata e demokleut spak

Lini një Përgjigje