Vdekja apo ringjallja e Pirros, është në riskun e fundit të Georgia Melonit, a do të mundet ajo të rivëndosë marrëveshje mes Hajdutit të Tiranës dhe Uashingtonit, apo do të thellohen mosmarrëveshjet, e pastaj të shkruajmë pas ca ditësh, “fitore si ajo e Bablokut” mos ardhim kurrë më!
“Kali” i Donald Trump, ka qëlluar me shkelma Edi Ramën, bash në festimin e fitores së radhës.
Pirroja i Surrelit, që kur ishte fëmijë, ka korrur fitore të mëdha me humbje edhe më të mëdha, e gjithmonë ka qëndruar në pushtet, duke hutuar edhe heronjtë e hetimeve heterogjene të planetit Tokë.
Me një ushtri të vogël dhe 20 tigra, eci nëpër histori, deri sa një kalë e goditi në vend të keq.
Edhe pse nuk ka vdekur ende, krushkat Olta, Frida, Klotilda e Lindita, gjithë ditën po këndojnë këngën e bukur të Qamilit të Vogël për Rexhën nga fshati Stubëll afër Medvegjës që e pati vrarë kali ditën e dasmës, pasi ende Noizy nuk ka bërë një këngë më prekëse për Pirron e Surrelit, që shpëtoi të paktën me kokë.
Por të ndjekim vargjet e krushkave të PS-së.
O po vin krushqit rrethit malit
Rexha i nanës n’grazhd të kalit
Qou Rexho qou djalo,
qou sokoli i nanës o
Sot ma dogje zemrën o.
Rama dhe Raxha janë futur bukur në vargje.
E përbashkëta e Pirros me Rexhën është se të dy u vranë nga “kali”, të dy në grazhd, e veçanta është se Pirroja ynë e pati mirë me shumë gra, mbretëroi gjatë, ishte i dhunshëm, fitoi shumë beteja e humbi më shumë ushtarë në paqe se në luftë, duke eklipsuar jo vetën Rexhën, por edhe Pirron e Epirit, trim i njohur gjithandej.
Sot, nëpër sakrificat për pushtet të Pirros së PS-së, të lara me lotë e dollarë, Mbreti më jetëgjatë dhe më i gjatë i këtij shekulli, shtryll shaminë mbi emrat e ministrave, politikanëve, pushtetarëve, biznesmenëve, drogmenëve, vrasësve, piratëve e gangsterëve, buçave e zagarëve, pra miqësisë së tij, që ose ja kanë vrarë Ervin Salianji, Belind Këlliçi Fredi Beleri e Nuredin Dumani, ose ja ka zënë rob SPAK-u.
Sot, Pirroja i shtrirë për të mos u çuar kurrë më, u bë dinak.
I ledhatoi bishtin “armikut” të padrejtësive Altin Dumanit, një tjetër hero i Aleks Sorosit, duke thëne se është luftëtar i mirë, i besuar i tij, se i ka dhënë edhe një shpatë të presë majtas e djathtas, edhe kush t’i dalë përpara po që po, pasi mbrapa rri ky, më i pabesi qysh prej vitit 280 para Krishtit, aty ku ne morëm spirancën e kësaj semantike, me dialekt nga fshati ynë, sot më i famshmi në botë për dredhi e hajdutëri.
Betejat e rinisë nuk i kishte kaq të vështira sa të pleqërisë Pirroja ynë.
Aty nga viti 1996 i shekullit të kaluar, e ndihmoi Mbreti Fatos i Sirakuzës së Shqipërisë, për ta ofruar si monark të kauzës së Ramiz Alisë në ministrinë e kulturës, si ekspert i ikonave të kontrabandës dhe që që i shton paratë pa djersë e pa punë.
Nuk e ndau për gjatë pushtetin me Fatosin, por e vrau politikisht, i mori partinë dhe sot është sundimtar i vetëm.
Shekuj më parë, aty nga viti ’17 i pas 2000-së, kur e uroi për fitoren e dytë agjenti i FBI-së Charles McGonigal, Pirroja u përgjigj se “edhe një fitore si kjo e dhe unë nuk do të kthehem më tek Aleks Soros”.
Që atë kohë, në mitologjinë e diplomacisë, hyrë shprehja e famshme “si fitorja e Pirros”.
Por ama, sado të lush me fjalët, Pirro pa Romë nuk paska.
Tani që Pirroja nuk duket se do e mbajë për gjatë pushtimin, se kali amerikan e ka qëlluar në vend të keq, sytë i ka nga Italia, ku një Zanë në malin Mont Blanc këndon melodi amerikane sa po çmënd gjithë dynjanë.
Vdekja apo ringjallja e Pirros, është në riskun e fundit të Georgia Melonit, a do të mundet ajo të rivëndosë marrëveshje mes Hajdutit të Tiranës dhe Uashingtonit, apo do të thellohen mosmarrëveshjet, e pastaj të shkruajmë pas ca ditësh, “fitore si ajo e Bablokut” mos ardhim kurrë më!
Lini një Përgjigje