TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 6 Mars 2025, 11:05

Prej 3 vitesh SPAK-GJKKO, lojë për të pushuar çështjen e Fatmir Mediut; gjyqi është shtyrë 26 herë

Shkruar nga Pamfleti

Prej 3 vitesh SPAK-GJKKO, lojë për të pushuar

Për 88 raste me të njëjtën akuzë “Shpërdorim detyre” si e ish-ministrit Fatmir Mediu, SPAK e GJKKO kanë finalizuar proceset hetimore e gjyqësore brenda 5-6 muajve...

Në datën 4 mars 2025, Gjykata e Posaçme shtyu për në datën 18 mars, seancën gjyqësore për të pandehurin Fatmir Mediu, me justifikimin se prokurorët e çështjes, Arben Kraja e Klodian Braho ishin në procese të tjera gjyqësore të planifikuara më parë, kur dhe seanca për Gërdecin ishte e planifikuar që para 2 javësh.

Është e pritshme, që seanca gjyqësore ndaj Fatmir Mediut, të shtyhet edhe me 18 mars, me justifikimet “refren” se mungon prokurori, gjyqtari, avokati apo eksperti, siç janë shtyrë seancat më 13 janar, më 28 janar e 12 shkurt.

Procesi për Fatmir Mediun, ka filluar si ri-hetim në muajin janar 2021, ndërsa gjykimi i tij ka filluar në muajin shkurt 2023, por vazhdon zvarritet e nuk po mbyllet si proces, sepse prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët i shtyjnë qëllimisht seancat.

Dy vite e zgjati SPAK, ri-hetimin për akuzën “Shpërdorim detyre”, kur provat i ka shkresa zyrtare që ai e ka shpërdoruar hapur detyrën, duke miratuar dhe favarizuar ngritjen e fabrikës së Gërdecit dhe furnizimin e saj me muncione që demontoheshin.

Ndërsa gjykata i ka shtyrë 26 herë seancat gjyqësore, në bashkëpunim e pazare me prokurorët, avokatët, ekspertët, madje dhe me vetë Fatmir Mediun e disa dëshmitarë që kanë qenë vartës të ish-ministrit Fatmir Mediut e janë në favor të tij.

P.sh., seanca gjyqësore e datës 28 janar 2025, u shty me mashtrimin, se se i pandehuri Fatmir Mediu kishte shkuar në SHBA për trajtime mjekësore, ndërsa herët e tjera, janë përdorur mashtrime e marifete të çdo lloji për ta zvarritur si proces.

Arsyet e shtyrjes së të gjitha seancave, janë sajuar aq trashë nga SPAK e GJKKO në pazar me avokatët, sa kanë krijuar bindjen, se është një lojë e përbashkët për të zvarritur gjykimin deri në pushim të çështjes, për të shpëtuar nga dënimi ish-ministrin Fatmir Mediu.

Nga Sali Berisha e Edi Rama, u tentua që vepra penale për të cilën po gjykohet Fatmir Mediu, të përfshihej në amnistinë penale të muajit prill 2024, por nuk e lejuan partnerët.

Prandaj po përdoret marifeti i zvarritjes pa fund të procesit gjyqësor me shtyrje seancash me qëllim  pushimin e çështjes, si e vetmja mundësi për ta shpëtuar nga dënimi, ndërsa Fatmir Mediu vazhdon të jetë deputet prej 17 vitesh pas tragjedisë së Gërdecit.

Përballë kësaj loje, nuk po vepron Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i lartë i Prokurorisë dhe as Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, për të bërë hetimin adminisrativ.

E madje duhet të bëjnë pezullim nga detyra e kallëzim penal, për prokurorët dhe gjyqtarët që po zvarrisin qëllimisht procesin gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, për ngjarjen ku janë vrarë 26 njerëz.

Ndërsa për 88 raste me të njëjtën akuzë “Shpërdorim detyre” si e ish-ministrit Fatmir Mediu, SPAK e GJKKO kanë finalizuar proceset hetimore e gjyqësore brenda 5-6 muajve; por shenjë për t’i vënë kapak pazaresh krimit të Gërdecit, është fakti se nuk është marrë i pandehur Shkëlzen Berisha./Pamfleti

fatmir mediu spak gjkko gjyqi

Lini një Përgjigje

Dosja e zezë