
Predikuesi i vlerave të hajdutërisë, nga podiumi i pasanikëve nga hiçi, edhe pse një Don Kishot i kohëve moderne, vazhdon beson të pabesueshmen, pushtetin e përjetshëm.
Me sloganin ngacmues “Deputeti që duam”, tani pas 12 viteve pushtet, ku shumicën e atyre që “duam”, siç përsërit Babloku, i ka ose në burg, ose të akuzuar, vazhdon të vizatojë mbi dekor një perlë të rrallë, se pas fundit të zi të Aleks Soros dhe agjencisë amerikane të menaxhimit të ndihmave humanitare për vendet e tjera (USAID), ky ka gjithë mundësitë të nisë një fillim të mirë.
Kërkon fitoren e katërt, për të skalitur me daltën e pushtetit të përjetshëm idenë, se kështu i do fshati ynë padronët, se një kryeministër që vjedh, mashtron, që shokët i shtrydh si limon e pastaj i dënon me burg, e vlerëson më mirë se kushdo tjetër drejtësinë.
Tenderave politikë dhe ekonomikë ua ka marrë dorën, pemëve të kopshtit ua numëron çdo ditë kokrrat, votave u vë përballë murrlanin e mafies, dhe vetëm tingujve që fërshëllejnë si lavdërim, u gjen vend në listat e klientelizmit “deputeti që duam”.
E ka shpërndarë erën e pushtetit cep më cep ku kultivohet hashashi, ngado Titaniku çan dallgët e përplaset me ajsbergët e korrupsionit.
Të privilegjuarit, hajdutët, antiamerikanët, petalet e luleve të vyshkura të Rilindjes, janë shpërndarë si vepra arti të Mikelanxhelos së Surrelit, nëpër stilin e veshjes së demokracisë me hipnoza dhe pasqyra magjike, ku secili duhet ta shohë veten të gëzuar e të lumtur, njëlloj si këta që po t’i pyesësh, ku e morët gjithë këtë pasuri, i këpute në kryq, nuk kanë fjalë as këta, as avokatët që paguhen më shumë se në Londër, Romë, Paris apo Uashington.
Këta “deputetët që duam”, në listat e pagabueshme të Bablokut të Mafies, e kanë të shkruar historinë që para fillimit të punës.
Nëse do të fitojnë, do të bëhen të pasur deri në çmenduri, pastaj, po kaq çmendurisht, do të bien njëri pas tjetrit në burg, e Babloku, do të mund të vazhdojë të fshehë grushtin e fortë pas fjalëve të buta.
Kështu ka vepruar që në rini të tij ky.
I ka bërë mullar dollarët, fosile miqtë si McGonigalin, ministra e bashkëpunëtorë, gjeneralin e Guardia Di Finanzas Fabricio Lisi, e gjithë lisat e fuqishëm të korrupsionit global, duke u bërë bindës për fshatarët, se më mirë me të e fukara, se sa pa të e i pasur, me lirikat, që sa kohë nuk i prishin humorin e sundimit, mund të kapin ç’të kapin.
Predikuesi i vlerave të hajdutërisë, nga podiumi i pasanikëve nga hiçi, edhe pse një Don Kishot i kohëve moderne, vazhdon beson të pabesueshmen, pushtetin e përjetshëm.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe leximit të mesazhit që vjen nga përtej Oqeanit, bixhozi i Bablokut të epokës së artë të skandaleve dhe antiamerikanizmit, besojmë të jetë akti i fundit në skenën e kalbur të hajdutërisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje