Nga Lushnja në Sarandë e deri në Poliçan, qeveria po shpërndan dhjetëra hektarë tokë dhe licenca energjie për njerëz të lidhur me kryeministrin Edi Rama. Pas bumit të “energjisë së gjelbër” fshihet një skemë klienteliste ku kompani pa histori në energji, me kapital simbolik dhe ortakë të afërt me pushtetin, po marrin leje 49-vjeçare për miliona euro investime.
Ndërtimi i parqeve fotovoltaike në Shqipëri është kthyer në biznesin më fitimprurës të viteve të fundit. Nën sloganin e “energjisë së pastër” dhe tranzicionit të gjelbër, qeveria po shpërndan me ritme të frikshme toka publike, licenca dhe favore për kompani të lidhura me njerëz të afërt të pushtetit.
Nga jugu në veri, emrat që po shfaqen pas parqeve fotovoltaike nuk janë kompani të njohura ndërkombëtare të energjisë, por biznesmenë, ortakë dhe klientë politikë të qeverisë Rama. Skema është e njëjtë: krijohen kompani me kapital minimal, marrin licenca për impiante energjie apo status strategjik dhe më pas tokat publike dhe lejet shndërrohen në asete miliona euro.
Vetëm në mbledhjen e fundit të qeverisë janë miratuar tre vendime të rëndësishme për ndërtimin e centraleve fotovoltaike në Lushnjë, Sarandë dhe Poliçan. Në letër duken investime private në energji të rinovueshme. Por pas kompanive fshihen emra të lidhur drejtpërdrejt me rrethin e ngushtë të kryeministrit Edi Rama.
Një nga përfituesit kryesorë është kompania “3X ENERGY”, e cila ka marrë miratimin për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 70 MW në Savër të Lushnjës, me afat operimi 49-vjeçar. Vendimi është firmosur nga qeveria dhe i jep kompanisë të drejtën të kontrollojë për dekada një nga projektet më të mëdha energjetike në zonë.
Pas kësaj kompanie qendrojnë Agim Xhindoli dhe Adrian Dule. Ky i fundit zotëron vetëm 10% të aksioneve, por konsiderohet një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës. Adrian Dule është i njohur publikisht si personi i cili i vë në dispozicion Ramës studion për të bërë poçe balte.
Por lidhjet nuk mbarojnë këtu. I njëjti emër, Agim Xhindoli, rezulton i përfshirë edhe në kompaninë “PARK SOL ENERGY”, e cila ka marrë nga qeveria të drejtën për ndërtimin e një tjetër parku fotovoltaik me kapacitet 50 MW në Sarandë, po me afat operimi 49-vjeçar.
Pra, brenda së njëjtës ditë, qeveria ka shpërndarë dy projekte të mëdha energjetike për kompani të lidhura me të njëjtët emra dhe me njerëz të afërt të kryeministrit.
Por një tjetër rast edhe më i fortë lidhet me kompaninë “X One”, e cila ka marrë miratimin për ndërtimin e një centrali fotovoltaik 54 MW në Poliçan.
Në pamje të parë, “X One” duket si një kompani e zakonshme. Por historia e saj tregon se si funksionon skema e klientelizmit në sektorin energjetik.
“X One” është krijuar më 21 maj 2021 nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, me një kapital simbolik prej vetëm 10 mijë euro. Dy ortakët zotëronin nga 50% secili. Por gjithçka ndryshon më 23 shkurt 2024, kur 26% e aksioneve i shiten për vetëm 2600 euro Ilir Trebickës.
Trebicka konsiderohet një nga biznesmenët më të afërt me Edi Ramën dhe është përmendur shpesh si përfitues i pronave publike, lejeve të ndërtimit dhe projekteve strategjike. Pas hyrjes së tij në kompani, “X One” nis të marrë një seri favorizimesh nga qeveria.
Vetëm pesë muaj pas hyrjes së Trebickës në kompani, më 23 korrik 2024, qeveria i jep “X One” plot 137 hektarë tokë shtetërore në zonën Baqel-Kodhel të Lezhës për fermë dhe resort turistik me status “Investitor Strategjik”.
Më pas, në nëntor 2024, një tjetër kompani e lidhur me Ylli Ujkën dhe Ilir Trebickën, “Grand Park Skyline”, merr leje për ndërtimin e tre kullave gjigande mbi 147 mijë metra katrorë tokë shtetërore pranë Gardës së Republikës në Tiranë.
Tani e njëjta kompani shpërblehet edhe me park fotovoltaik në Poliçan.
Në thelb, skema duket e qartë: njerëz të lidhur me pushtetin futen ortakë në kompani të vogla dhe menjëherë pas kësaj nisin të përfitojnë toka publike, leje ndërtimi, status strategjik dhe projekte energjetike shumë milionëshe.
Por lista e përfituesve nuk ndalet këtu.
Në mbledhje të tjera të qeverisë kanë marrë licenca apo miratime edhe kompani të tjera të lidhura me emra të njohur biznesi: “TEKNO FIRE” e Gramoz Çejkut, “KRONOS KONSTRUKSION” e Vasil Jovanit apo “SOLEN ENERGY” e Agron Kovaçit.
Në të njëjtën kohë, Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë mbi 64 licenca për impiante fotovoltaike deri në prill 2025. Pjesa më e madhe janë projekte të vogla nën 2 MW, të cilat përfitojnë automatikisht çmim të garantuar të blerjes së energjisë prej 95.04 euro/MWh.
Në teori, kjo skemë u krijua për të nxitur investimet në energji të rinovueshme. Në praktikë, ajo është kthyer në një treg licencash ku kompani pa asnjë eksperiencë reale marrin leje vetëm për t’i rishitur më pas me fitim operatorëve më të mëdhenj.
Pra, nuk kemi të bëjmë me zhvillim real energjetik, por me trafikim licencash dhe spekulim financiar.
Në shumë raste, kompanitë që marrin licenca nuk kanë as staf teknik, as histori në energji dhe as kapacitete financiare. Ato ekzistojnë vetëm si mjete për të marrë lejen dhe për ta kthyer atë në aset tregtar.
Dëshmia më e fortë e pazareve me fotovoltaikët janë rasti i Amantia Xhafaj e Ditjon Baboçit, vajza dhe dhëndri i ish-ministrit e deputetit Fatmir Xhafaj.
“Pamfleti” zbuloi pak ditë më parë se vajza dhe dhëndri i Fatmir Xhafajt, kanë regjistruar në emër të kompanisë “Dion Energji” në kadastër, sipërfaqen 50 mijë m2 tokë bregdetare në fshatin Grykë-Topojë te zona e plazhit të Semanit në Fier.
Kompania “DION Energji” sh.p.k. është 50% në pronësi të vajzës e dhëndrit të Fatmir Xhafajt dhe 50% në pronësi të ndërtuesit Artan Sako, vëllait të ish-kryegardistit Gramoz Sako, aktualisht kryebashkiak i Tepelenës, të cilët kanë ndërtuar pallatin e Linda Ramës dhe kanë marrë rreth 170 milionë Euro tenderë në rreth 13 vite të pushtetit të Edi Ramës.
Nëpërmjet “DION Energji” sh.p.k., çifti Amantia Xhafaj e Ditjon Baboçi dhe ortaku i tyre Artan Sako, kanë marrë koncesionin për investimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e Parkut Fotovoltaik në Topojë të Fierit, që ndodhet në bregdetin e plazhit të Semanit.
Një tjetër emër i përfolur në sektor është Agim Zeqo, i konsideruar si një nga të preferuarit e qeverisë. Sipas burimeve në treg, Zeqo ka siguruar disa licenca për projekte fotovoltaike 2 MW, të cilat nuk ekzistojnë realisht në terren dhe pritet të shiten tek operatorë të tjerë.
Edhe Nikolin Jaka, përmes kompanisë “Alb Sun Energy”, rezulton përfitues i skemës. Kompania është krijuar me kapital minimal prej vetëm 100 lekësh, por ka marrë licencë për projekte fotovoltaike dhe sipërfaqe publike me qira. Në mungesë të eksperiencës dhe kapaciteteve reale, miratimi i këtyre projekteve ngre pikëpyetje serioze mbi standardet që ndjek ERE.
Ndërsa qytetarëve u kërkohet të paguajnë energjinë gjithnjë e më shtrenjtë, qeveria po ndërton një industri të re klienteliste mbi tokat publike dhe energjinë e rinovueshme. Me vendime të firmosura në mbledhje qeverie, dhjetëra hektarë tokë po kalojnë në duart e kompanive të lidhura me pushtetin, me kontrata që zgjasin deri në 49 vite.
Në vend të një tregu të hapur dhe konkurrues, sektori i energjisë fotovoltaike po kthehet në një klub të mbyllur oligarkësh, ortakësh politikë dhe biznesmenësh të afërt me qeverinë.
Dhe pyetja që mbetet është: a po përdoret tranzicioni energjetik si justifikim për të shpërndarë pasuritë publike te klientët e pushtetit? /Pamfleti
Vendi do te duhej te kishte aq inxhinierë sa te demaskon kete kamiflazh te grabitjes se pronave ghija me pretekstin e parqeve fotovoltaike. Asnje projekt fotovoltaik nuk gjeneron te ardhura te mëdha per te përmbushur ambiciet e hajduteve Rama