PS dhe PD fuqizojnë komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj; SPAK mbetet jashtë raportimit në seancë plenare…
Parlamenti po hyn në një fazë të re dakordësish mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa marrëveshja për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit po shihet si shumë më tepër sesa një kompromis teknik.
Pas votimit me konsensus të rezolutës për integrimin europian vetëm pak ditë më parë, PS dhe PD kanë arritur tashmë një marrëveshje të dytë të rëndësishme politike. Por këtë herë, në qendër të ndryshimeve është një strukturë që lidhet drejtpërdrejt me Fatmir Xhafajn, një nga figurat më të sulmuara ndër vite nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike.
Për vite me radhë, Berisha e akuzoi Xhafajn si simbol të “narkoshtetit”, duke e lidhur vazhdimisht me çështjen e vëllait të tij, Geron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik droge. Në protestat e opozitës dëgjoheshin thirrjet “Fatmir Xhafaj ik”, ndërsa ish-kryeministri e quante publikisht “vëllai i trafikantit” dhe kërkonte largimin e tij nga qeveria.
Sot, ironikisht, demokratët po bashkojnë votat me socialistët për të fuqizuar pikërisht komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Ndryshimet e reja i japin kompetenca të zgjeruara Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i cili nga një komision periferik po kthehet në një nyje kontrolli për raportimet dhe monitorimin institucional në Kuvend.
Sipas draftit final, të gjitha raportet e institucioneve kalojnë fillimisht në komisionet përkatëse, por më pas projektrezolutat përfundimtare do të filtrohen dhe miratohen nga Komisioni për Nismat Qytetare, i cili merr kështu një rol koordinues dhe mbikëqyrës mbi institucionet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj.
Ky është pikërisht komisioni që po shihet si “komisioni i Xhafajt”, në një moment kur ish-ministri i Drejtësisë duket se po rikthehet gradualisht në qendër të arkitekturës parlamentare të PS-së.
Fillimisht, Fatmir Xhafaj u la në plan të dytë nga Edi Rama pas reformës në drejtësi dhe tensioneve të brendshme politike. Më pas iu besua drejtimi i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, një strukturë që u paralajmërua me shumë bujë, por që praktikisht prodhoi pak rezultate konkrete.
Tani, përmes ndryshimeve në Rregullore, Rama duket se po i jep Xhafajt një tjetër instrument institucional, këtë herë me kompetenca më të gjera në mbikëqyrjen parlamentare dhe koordinimin e raporteve të institucioneve.
Një nga elementët më të fortë të marrëveshjes lidhet pikërisht me raportimin e institucioneve në Kuvend. Drafti i ri kufizon ndjeshëm institucionet që raportojnë në seancë plenare vetëm te ato që Kushtetuta i përmend shprehimisht: Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, KLP, KLGJ, ILD dhe KLSH. SPAK nuk përfshihet në këtë listë.
Kjo do të thotë se Struktura e Posaçme Antikorrupsion mbetet jashtë raportimit direkt në sallën plenare të Kuvendit, një zhvillim që po interpretohet politikisht në disa drejtime: si shmangie e përplasjes direkte politike me SPAK-un, por edhe si sinjal i një ristrukturimi të ri institucional në raportin mes politikës dhe drejtësisë.
Në qarqet politike po shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet se dakordësitë e fundit mes PS dhe PD nuk lidhen vetëm me funksionimin parlamentar apo integrimin europian, por mund të jenë preludi i një marrëveshjeje më të gjerë.
Në sfond mbetet ideja e Edi Ramës për ndryshime kushtetuese, reduktimin e numrit të deputetëve dhe rishikimin e sistemit politik. Por me ndryshimet e reja në Rregullore, po hapet një tjetër pistë: mundësia e prekjes së institucioneve kushtetuese dhe madje e vetë reformës në drejtësi.
Paralelisht, në politikë prej kohësh flitet për një plan të mundshëm për “rishikimin” e reformës në drejtësi, veçanërisht në pjesën që lidhet me funksionimin e institucioneve të reja të dala nga reforma e vitit 2016.
Për momentin, askush nuk flet hapur për një marrëveshje Rama-Berisha. Por fakti që brenda pak ditësh PS dhe PD kanë gjetur konsensus për integrimin europian dhe tani për Rregulloren e Kuvendit, po ushqen bindjen se pazaret politike mund të mos ndalen vetëm te Kushtetuta. /Pamfleti
dy Golithave do u iki koka se shpejti hahahha