
Paga nga 400 mijë euro deri në 1 mln euro...
Pas gati 20 vitesh, më në fund shteti shqiptar u kujtua për vjedhjen gjigande të Bankers Petroleum. Që në vitin 2004, kjo kompani ka deklaruar vetëm humbje dhe nuk ka derdhur asnjë taksë në shtet. Por handikapi qëndron te fakti se krerët e kësaj kompanie kanë pasur rroga të çmendura.
Sipas listës që ka siguruar “Pamfleti”, kjo kompani në 20 vite ka ndërruar plot 23 drejtorë. Pra thuajse çdo vit vihej në krye dikush tjetër dhe kushdo që vinte i jepte vetes pagën që dëshironte. Lidhur me shifrat ato janë të frikshme, ndërkohë që kanë ndryshuar nga viti në vit.
Për shembull, sipas të dhënave të vitit 2014, Bankers ka pasur në atë kohë fondin më të lartë të pagave në vend, me një shifër prej 3.8 miliardë lekësh në vit, duke përfshirë dhe shpërblimet. Paga mesatare për punonjës ishte rreth 557 mijë lekë (4000) euro në muaj. Por, kjo mesatare rritet ndjeshëm nga pagat e larta të të huajve.
Sipas të dhënave në bilanc, nga rreth 3.8 miliardë lekë që është totali i pagave të deklaruara dhe paguara për vitin 2014, gati 2.9 miliardë lekë, apo rreth 76% e fondit ka shkuar për personelin e huaj dhe rreth 930 milionë lekë për atë vendas. Për personelin shqiptar, paga mesatare rezulton rreth 1200 euro në muaj, ndërsa për atë të huaj arrin 35 mijë euro në muaj mesatarisht, apo mbi 400 mijë euro në vit. Por krerët e Bankers Petroleum kanë pasur paga edhe deri 1 milion dollarë në vit (80 mijë USD/muaj, apo 10 milionë lekë/muaj).
Në atë kohë, është raportuar se 70 persona kanë paga mbi 10 milionë (të vjetra) në muaj. Nga këta 70 persona, vetëm 2 ishin shqiptarë. Ndërkohë, 20 drejtues të tjerë të kompanisë kanë pasur paga mbi 50 milionë lekë (të vjetra) në muaj. Kurse 3 drejtues të lartë të kompanisë kanë pasur rrogë stratosferike në shifrën e pabesueshme të 100 milionë lekëve në muaj.
Sipas një statistike të tatimeve, në Shqipëri vetëm rreth 100 vetë gjithsej kanë paga mbi 10 milionë lekë në muaj. Nga këta persona, mbi 70 i përkasin kompanisë Bankers!
Ky trend u konfirmua dhe me rrjedhjen e databazës së pagave në vitin 2021, ku ishin të njëjtat shifra. Krerët e Bankers ishin ndër më të paguarit. Sipas burimeve, vitet e fundit shifrat janë rritur akoma dhe më shumë pasi drejtori i parafundit kishte rrogë 1 mln euro. Pra, duket qartë se kjo kompani ka qenë një çerdhe abuzimi dhe përfitimi. /Pamfleti


Lini një Përgjigje