Dokumenti zyrtar që nxjerr zbuluar përjashtimet nga TVSH, tatim-fitimi e taksat doganore për kompaninë që i shkaktoi shtetit 5 miliardë euro dëm...

Dokumenti që fundos Sali Berishën: ka falur taksat për “Bankers Petroleum”, edhe pse thotë të kundërtën...
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, që ulërin për çdo gjë – nga një zjarr në ndonjë kopësht, tek shkeljet më të vogla të qeverisë, ka qëndruar pesë ditë në heshtje pas arrestimit të drejtuesve të kompanisë “Bankers Petroleum”. Kjo, megjithëse Prokuroria e Fierit ka lëshuar 14 urdhër-arreste për mashtrim fiskal, pastrim parash dhe evazion në shkallë të gjerë, me një dëm të përllogaritur mbi 5 miliardë euro.
I pyetur nga gazetarët për heshtjen e tij, Berisha zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të mbrojë “Bankers”-in, duke e quajtur një “biznes korrekt që ka kontribuar maksimalisht në buxhetin e shtetit”. Sipas tij, gjatë qeverisjes së PD-së (2006–2013), kjo kompani nuk ka pasur asnjë përfitim apo favorizim fiskal.
Por ky pretendim bie ndesh me dokumentet zyrtare. “Pamfleti” ka siguruar një vendim të Komitetit të Ndihmës Shtetërore, të firmosur më 12 dhjetor 2007, kur Genc Ruli ishte ministër Ekonomie dhe Sali Berisha ishte kryeministër. Vendimi nr. 22 parashikon përjashtimin e “Bankers Petroleum” nga detyrimet për TVSH 20%, tatim-fitimi dhe taksat doganore, për shkak se, sipas qeverisë, “kompania nuk ka nxjerrë fitim” dhe “nuk ka patur prodhim të naftës dhe gazit në ato vite”.

Më konkretisht, në pikën 4 të vendimit thuhet:
“Përjashtimi nga TVSH dhe nga të gjitha taksat doganore bëhet si lehtësi për kompaninë ‘Bankers’, pasi rezulton me humbje dhe nuk ka mbuluar kostot e investimit dhe prodhimit.”
Berisha, në atë kohë, përdori një dekret të miratuar më 1994 për sektorin e hidrokarbureve si bazë për përjashtimin. Madje, në arsyetim, thuhet se “Bankers” nuk kishte zbuluar rezerva të reja nafte dhe nuk kishte prodhim as në puset ekzistuese. Por në të njëjtën kohë, vetë “Bankers” eksportonte dhjetëra mijëra tonë naftë çdo muaj nga Patosi e Ballshi.
Edhe më skandaloze është se, sipas këtij vendimi, qeveria u zotua të mbulonte me para publike TVSH-në dhe detyrimet e tjera të kompanisë, përmes faturave fiktive, duke krijuar një skemë mashtrimi të strukturuar që është zgjatur për më shumë se një dekadë.
Nga viti 2009 deri në 2013, “Bankers” raportonte me të njëjtin model “humbje”, të cilat pranoheshin nga qeveria “Berisha”, pa i bërë asnjë kontroll real. Po kjo skemë është mbajtur në fuqi edhe nga qeveria “Rama”, e cila e trashëgoi dhe e vazhdoi pa asnjë hetim të thelluar për vjedhjen.
Dokumenti i vitit 2007 është një provë e qartë se vetë Sali Berisha ka firmosur lehtësira fiskale për një kompani që sot akuzohet për një nga vjedhjet më të mëdha ndaj shtetit shqiptar. Pyetja që shtrohet është: a do të guxojë Prokuroria të trajtojë këtë vendim si provë zyrtare, që shpjegon zanafillën e një skeme që për 18 vite rresht u tolerua, u financua dhe u mbrojt nga vetë krerët e shtetit?
Tani që drejtuesit e “Bankers” janë pas hekurave, SPAK dhe organet hetimore kanë mundësinë për të nxjerrë të vërtetën: jo vetëm për kompaninë, por edhe për ata që e kanë mbrojtur me çdo mjet. Dhe në krye të kësaj mbrojtjeje – që nga vendimi e deri te mashtrimi publik – është vetë Sali Berisha./Pamfleti
Lini një Përgjigje