
Porti i Peshkimit në Shëngjin i shfrytëzuar nga “Rozafa Sh.p.k” i trafikantit Gjergj Luca, merr shërbim pastrimi me fonde publike, ndonëse mbetjet janë detyrim i kompanisë. Qoka e fundit nga qeveria, pas koncesioneve miliardere e qirasë së doganës në Lezhë...
Me urdhër të Kryeministrit Edi Rama, qeveria ka vendosur sërish t’i japë një tjetër përfitim publik trafikantit të njohur Gjergj Luca. Më 4 korrik 2025, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në Ministrinë e Bujqësisë ka shpallur një ankand publik për pastrimin e mbetjeve në Portin e Peshkimit në Shëngjin, një territor i kontrolluar prej vitesh nga kompania “Rozafa Sh.p.k” në pronësi të Lucës.
Kjo kompani, që jo vetëm ka ekskluzivitetin e shfrytëzimit të portit, por edhe ushtron kontroll total mbi lëvizjen e mjeteve të peshkimit kundrejt pagesave nën dorë, ka detyrim ligjor të pastrojë mbetjet që gjeneron vetë. Sipas kontratës dhe licencës së dhënë për shfrytëzimin e portit, Luca duhet të grumbullojë dhe të evadojë në landfille me shpenzimet e tij të gjitha mbetjet plastike, organike, hidrokarbure dhe çdo mbetje tjetër që lind nga veprimtaria e tij.
Por si gjithmonë, kur bëhet fjalë për Lucën, ligji nuk vlen. Prej vitesh, ai i ka hedhur mbeturinat në port pa asnjë kontroll, duke i grumbulluar në mjedise të hapura e duke ndotur rëndë zonën. Institucionet përgjegjëse; Agjencia e Mjedisit, Inspektorati Shëndetësor, Drejtoria e Portit dhe IMT, nuk guxojnë as ta shikojnë, e lëre më ta gjobisin. Në vend që t’i kërkojnë llogari Lucës, qeveria ka vendosur që mbetjet e tij t’i pastrojë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sipas njoftimit të ankandit, pastrimi do të kryhet dy herë në muaj, gjë që konfirmon se mbetjet do të qëndrojnë kapicë për javë të tëra në port, ndërsa fituesi i ankandit do paguhet nga buxheti i shtetit, dhe jo nga biznesi ndotës. Është një skemë tipike klienteliste, ku paratë publike përdoren për të mbuluar papërgjegjshmërinë e një njeriu që ka ndërtuar perandorinë e tij mbi trafik, koncesione dhe favore politike.
Kjo nuk është qoka e parë që i bëhet Gjergj Lucës. Që nga viti 2016, Babloku i ka dhuruar pesë koncesione për pasuri të ndërmarrjeve e reparteve ushtarake në Elbasan, Librazhd, Gramsh, Përrenjas e Maliq me një vlerë totale 3 miliardë euro. I ka dhënë gjithashtu në shfrytëzim për 30 vjet liqenin e Xarrës dhe zonën bregdetare Kakome-Qefal në Sarandë, pa taksa, pa tatim fitimi dhe me një grant 1 milion euro nga fondet e BE-së për bujqësinë. Prej 11 vitesh, Gjergj Luca përfiton nga dogana e Lezhës edhe një qira mujore 2.500 euro për një zyrë në pronësi të tij.
Për gjithë këtë pasuri të përvetësuar me ligje e vendime të personalizuara nga qeveria, Gjergj Luca nuk ka qenë asnjëherë objekt hetimi real nga SPAK. Përkundrazi, pavarësisht se është subjekt i ligjit anti-mafia për shkak të përfshirjes në trafik droge dhe pastrim parash, ai gëzon paprekshmëri totale. Madje, qeveria vijon t’i hapë rrugën që edhe ndotjen ta kthejë në fitim. Për Lucën, Shqipëria është një çiflig i dhënë me dorë nga pushteti.
Nëse drejtësia do të ishte funksionale, do të mjaftonte vetëm fakti që një kompani private që ka detyrim të pastrojë vetë mbeturinat e veta po i zhduk ato me fonde publike, për të çelur një hetim penal për shpërdorim fondesh dhe mashtrim. Por në këtë vend, ligji është për ata që nuk kanë mik Bablokun. Ndërsa të tjerët, edhe plehrat i kthejnë në miliona./Pamfleti
Lini një Përgjigje