
Tenderi strategjik i RTSH për rrjetin dixhital është kthyer në fushë-betejë korrupsioni mes drejtoreshës Eni Vasili dhe kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, Fatjon Hoxhalli. Llogaritjet e pazareve me xhambazë e oligarkë të teknologjisë, lënë jashtë kompaninë gjermane që mban sistemin aktual. Favoriti? Mafiozi i radarëve, Idlir Karkini...
Brenda kupolës së re të RTSH, ka nisur një përplasje e ashpër për tenderin 12 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital, që përbën afro 40% të buxhetit vjetor të institucionit. Ky tender i rëndësishëm është kthyer në mollë sherri mes dy figurave kyçe të RTSH: drejtoreshës së përgjithshme Eni Vasili dhe kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, Fatjon Hoxhalli.
Në fillim, tenderi ishte shpallur nga ish-drejtoresha e komanduar Aurora Polo, por sapo Eni Vasili mori detyrën, e anuloi menjëherë, duke premtuar rishpalljen e tij brenda afateve ligjore. Por kjo nuk ndodhi. Sot, tenderi mbetet i bllokuar, ndërkohë që palët janë përfshirë në një betejë të heshtur për kontrollin e procesit dhe përfitimin nga ndarja e “llokmave” financiare.
Sipas burimeve të brendshme të “Pamfleti”-t, Eni Vasili, mikesha e Linda Ramës, ka bërë pazar paraprak me kompaninë “CSI” të Genci Skëndajt dhe “Idea-Tel” të Idlir Karkinit, për të siguruar që njëra prej tyre, ose të dyja bashkë, të fitojnë tenderin pa garë, përmes procedurave të kontrolluara. Nga ana tjetër, Fatjon Hoxhalli, ish-këshilltari i Niko Peleshit dhe personi që kontrollon realisht procedurat në RTSH, ka ngritur planin e tij paralel, duke i bllokuar lëvizjet e Vasilit dhe duke ndërmjetësuar për llogari të vet.
Pavarësisht tensioneve, të dy janë të një mendjeje për një pikë: të përjashtojnë nga gara kompaninë gjermane “Rohde&Schwarz”, që aktualisht mirëmban rrjetin dixhital të RTSH-së që prej vitit 2021. E vetmja arsye për përjashtimin e saj? Nuk jep ryshfet dhe nuk hyn në pazare klienteliste.
Favoriti për të marrë tenderin është Idlir Karkini, një emër i njohur për lidhjet me segmentet më të errëta të pushtetit. Ky biznesmen nga Kavaja, i afërt me kryeministrin Edi Rama, njihet si përfitues i tenderëve të ndjeshëm në fushën e sigurisë kombëtare. Më herët ka marrë me urdhër politik tenderin për mirëmbajtjen e radarëve të Forcave të Armatosura në kohën e Mimi Kodhelit, ndërsa në vitin 2016, fitoi nga RTSH një kontratë 8.8 milionë euro për mirëmbajtjen e një rrjeti dixhital që ende nuk ishte ndërtuar.
Sot, ky skenar po përsëritet. Prapaskenat janë po ato: pazare të errëta, përjashtim të kompanive serioze dhe përpjekje për ta shpallur fituese një firmë të parapëlqyer që do të ndajë fitimin me klientët brenda institucionit. RTSH nuk po përpiqet të përmirësojë teknologjinë e transmetimit, por të mbajtë gjallë një zinxhir korruptiv që ka nisur në kohën e Martin Lekës dhe po kulmon tani nën drejtimin e dy figurave të “ngarkuara” nga segmentet më të larta të qeverisë.
Një skandal që duhet të ishte nën hetim nga SPAK. Por për momentin, në RTSH vazhdon kacafytja për tenderin dhe jo për cilësinë. Ndërkohë, shqiptarët paguajnë një taksë për një transmetim publik që është kthyer në një makineri klientelizmi dhe ndarjeje fondesh./Pamfleti
Lini një Përgjigje