TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë25 Qershor 2025, 13:46

Shpresa Breçani, kontabilistja e mafies: si u legalizuan falimentet e krimit me bilance false

Shkruar nga Pamfleti

 Shpresa Breçani, kontabilistja e mafies: si u legalizuan falimentet e

Nga “Belle Air” te ARMO e deri te resortet e oligarkëve, mbesa e Sali Berishës ka ndërtuar perandorinë e pasurisë mbi bilance false, pastrim parash dhe zhdukje borxhesh. Tani, përmbyll formalisht falimentin që vetë e maskoi, pa u hetuar kurrë...

Disa herë, Pamfleti ka publikuar dokumente zyrtare që dëshmojnë se gjatë periudhës së pushtetit të Sali Berishës, mbesa e tij, Shpresa Breçani, ishte ekspertja kontabël e preferuar për pastrimin financiar të kompanive të lidhura me krimin dhe politikën, duke hartuar bilance të falsifikuara dhe duke i nxjerrë ato në mënyrë fiktive me humbje, për të shmangur tatimet, për të fshehur të ardhurat dhe për të përgatitur falimente të kontrolluara.

Por ajo nuk ka munguar as gjatë pushtetit të Edi Ramës. Përkundrazi, Breçani ka qenë ekspertja më e kërkuar për “mbyllje të pastra” për disa nga kompanitë më të diskredituara, përfshirë firmat e bixhozit të lidhura me grupin mafioz “Sacra Corona Unita”, kompaninë “ARMO” të Rezart Taçit, firmën kriminale të Gërdecit, si dhe shumë ndërtues oligarkë dhe trafikantë me aktivitete në Tiranë, Durrës e Lalz.

Së fundmi, me Vendimin nr. 2469, datë 25 prill 2025, Gjykata e Tiranës ka caktuar Shpresa Breçanin si eksperte për të përmbyllur zyrtarisht procedurën e falimentimit të kompanisë “Belle Air”, një kompani që e ka ndalur aktivitetin e saj që më 26 nëntor 2013, tre muaj pas largimit të qeverisë Berisha.

Ish eksperte e kompanisë “Belle Air”, Breçani është personi që hartoi bilance të falsifikuara, duke paraqitur kompaninë me humbje, në mënyrë që të shmangte pagesën e tatimeve dhe detyrimeve ndaj shtetit, aeroportit të Rinasit dhe dhjetëra palëve të treta.

Më 22 janar 2014, Gjykata vendosi kalimin e kompanisë në faliment, duke caktuar fillimisht si eksperte Engjegerta Bebin dhe më pas Laura Qorllazën, por Shpresa Breçani nuk dorëzoi asnjë dokument, duke bllokuar qëllimisht hetimin e brendshëm financiar.

Falë manovrave të saj kontabël, Breçani “sajoi” një humbje të deklaruar prej 120 milionë euro, dhe ndërkohë fshehu 51.7 milionë euro borxhe reale, përfshirë 32 milionë euro borxhe ndaj shtetit shqiptar, të krijuara gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Shuma e përvetësuar përfshin edhe paratë e biletave të 53 mijë pasagjerëve, të cilat u zhdukën nga llogaritë dhe dokumentacioni zyrtar.

Tani, pas 12 vitesh, “Belle Air” ekziston vetëm si emër, por procedura e falimentit po mbyllet nga po ajo që e maskoi me mashtrime. Dhe kjo nuk është një përmbyllje, është një legalizim zyrtar i një krimi financiar.

Vendimi i fundit i Gjykatës detyron Shpresa Breçanin të dorëzojë të gjitha dosjet e kompanisë “Belle Air” në Prokurorinë e Tiranës, për hetim penal të veprimtarisë së saj përpara dhe pas falimentimit. Por kjo nuk mjafton. Kjo është një mundësi që prokuroria të hetojë jo vetëm kompaninë, por edhe vetë Shpresa Breçanin, e cila gjatë dekadave të fundit ka qenë ekspertja financiare kryesore e mafies ekonomike në Shqipëri.

Ajo ka hartuar bilance të falsifikuara dhe ka përgatitur falimente të kontrolluara për kompani që kanë pastruar miliona euro nga trafiku, ndërtimi, bixhozi dhe aferat me qeverinë. E ka bërë këtë për klientë të lidhur me të dy krahët politikë dhe me grupet më të rrezikshme të krimit ekonomik.

Hetimi duhet të nisë nga vetë pasuria personale e Shpresa Breçanit, e cila ka në pronësi:

-Toka, vila dhe apartamente në Tiranë, Durrës, Lalz dhe Vlorë
-Dyqane, hotel dhe resort, të regjistruara në emër të saj ose të njerëzve të afërt
-Transaksione bankare të pajustifikuara, që vijnë nga klientë me rekorde kriminale ose të lidhur me qeverinë
Këto pasuri nuk janë ndërtuar me rroga eksperti, por me çeqet e majme të “shpërblimeve” për bilance false, që kanë ndihmuar krimin të zhdukë gjurmët e tij ekonomike dhe të vjedhë qindra milionë euro nga buxheti i shtetit.

Përballë kësaj dosjeje, prokuroria nuk ka më justifikim për të heshtur. Falimentimi i “Belle Air” është vetëm maja e ajsbergut. Nëse hetimi nuk thellohet, atëherë Shqipëria nuk ka drejtësi, por një sistem që përligj hajdutët me vula dhe u jep kriminelëve bilanc ligjor për vjedhjen e shekullit./Pamfleti

shpresa breçani kontabilistja e mafias

Lini një Përgjigje