Kontrabanda ndodhi nën sytë e SICPA-s; dhe sot, ajo vazhdon të paguhet, ndërsa paratë e kontrabandës përfundojnë në Dubai

Në maj 2025, SPAK shpërtheu një prej hetimeve më të mëdha kundër kontrabandës së cigareve në Shqipëri. Një rrjet i sofistikuar që përfshinte prodhues, shpërndarës dhe zyrtarë doganorë, përdorte një skemë të mirorganizuar për të shmangur çdo detyrim fiskal. Sipas dokumenteve hetimore, produktet e duhanit prodhoheshin në vend, deklaroheshin si eksporte për në vendet e rajonit, por në realitet mbeteshin brenda territorit shqiptar dhe shpërndaheshin ilegalisht, pa paguar akcizë apo TVSH.
Skema ishte e thjeshtë për nga forma, por alarmante për nga përmasat: eksport fiktiv, që i kushtoi shtetit shqiptar mbi 36 milionë euro humbje në vetëm pak muaj. Por ajo që e bën këtë rast edhe më të rëndë, është fakti se ndodhi brenda një infrastrukture që prej vitesh paguhet pikërisht për të ndaluar kontrabandën.
Kjo infrastrukturë ka një emër: SICPA.
Kompania zvicerane SICPA ishte koncesionari zyrtar për prodhimin dhe menaxhimin e pullave fiskale në Shqipëri nga viti 2011 deri në dhjetor 2024. Ajo u prezantua si një zgjidhje teknologjike kundër evazionit dhe u pagua me mbi 110 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë për të garantuar kontrollin e mallrave të akcizës.
Sistemi i saj përfshinte pulla me elementë sigurie, pajisje të vendosura në linjat e prodhimit, platformë dixhitale gjurmimi dhe raportim në kohë reale për çdo shkelje. Me fjalë të tjera, SICPA ishte "radari" i shtetit kundër kontrabandës.
Që nga viti 2011 deri në dhjetor 2024, SICPA ishte koncesionari ekskluziv për prodhimin dhe menaxhimin e pullave fiskale në Shqipëri. Ajo mori përsipër të instalojë teknologji sigurie, të gjurmojë produktet e akcizës dhe të sinjalizojë çdo devijim. Me mbi 110 milionë euro të paguara nga taksat e shqiptarëve, SICPA u prezantua si garanci e pakontestueshme ndaj kontrabandës.
Por pas zbardhjes së këtij rasti, një pyetje qëndron pezull dhe kërkon përgjigje:
Ku ishte SICPA?
A funksionoi sistemi i saj i monitorimit? A u ngrit ndonjë alarm? A pati ndonjë raportim për eksportet që rezultuan fiktive? Nëse po, a u injoruan nga autoritetet? Dhe nëse jo, a kemi të bëjmë me një dështim teknik dhe organizativ që kerkon hetim, jo rinovim?
Për më tepër, në fund të vitit 2024, para se SPAK të shpërthente skandalin, SICPA rikthehet në skenë, këtë herë jo si koncesionar, por si bashkëaksionere në shoqërinë e re shtetërore ALBTrace CO, që ka marrë përsipër prodhimin e pullave fiskale. Shteti shqiptar mban 51% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket një subjekti të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe vetë SICPA zotëron 40% të këtij partneri arab, përmes një strukture të regjistruar në Dubai.
Paratë e paguara për sigurinë tonë fiskale, sot marrin një rrugë të njohur; drejt Emirateve, aty ku nuk është më sekret që disa nga politikanët dhe biznesmenët më të fuqishëm të Shqipërisë kanë krijuar strehë të heshtura për pasuri të padeklaruara, kompani offshore dhe prona milionëshe.
Sicpa operon kryesisht në vende të botës së tretë, kryesisht në Afrikë dhe Amerikën Latine, ku kontrolli institucional është i dobët dhe rezistenca ndaj korrupsionit është minimale. Nga Kongo në Tanzani, nga Uganda në Venezuelë, SICPA ka ndërtuar sisteme të shtrenjta fiskale të cilat në shumë raste janë anashkaluar, kritikuar, ose thjesht nuk kanë funksionuar.
Në prill të vitit 2023, vetë autoritetet federale të Zvicrës e dënuan kompaninë SICPA për mungesë të masave kundër ryshfetit dhe për përfshirje të tërthortë në pagesa të dyshimta ndaj zyrtarëve të huaj në Amerikën Latine. U vendos një gjobë prej 1 milion frangash dhe konfiskim përfitimesh prej 80 milion frangash. Me fjalë të tjera, SICPA është kompani e dënuar në vendin e vet për dështim sistemik në kontrollin e korrupsionit.
Dhe sot, kjo kompani mbetet e lidhur zyrtarisht me sistemin fiskal shqiptar, përmes një strukture të re, por me fuqi reale të njëjtë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje