TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë18 Qershor 2025, 11:08

“Gërdeci”, Pazari i Roskovecit”: Fatmir Mediu, i pandehuri që drejton konferenca!

Shkruar nga Pamfleti

 

“Gërdeci”, Pazari i Roskovecit”: Fatmir Mediu, i
Fatmir Mediu /

Katër vite shtyrje seancash, mungesa të toleruara dhe prokurorë “të sëmurë” në ditën e pretencës; drejtësia për 26 viktima po mbyllet në tavolinë, me skenarin e një shteti që simulon gjyq, por bën amnisti të heshtur...

Me shtyrjen e vazhdueshme të seancave gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për dosjen “Gërdeci”, prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO po konfirmojnë tre praktika të përsëritura klienteliste në trajtimin e zyrtarëve të lartë:

E para është zvarritja e qëllimshme e proceseve, me synimin për të zbehur interesin publik dhe për t’i çuar çështjet drejt mbylljes përmes procedurave formale apo afatesh të tejkaluara ligjore.

E dyta është pazari i nëndheshëm, por i lexueshëm, mes prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të hetuar, që ndodh nën ndikimin e drejtpërdrejtë të qarqeve politike, ekonomike apo të lidhjeve personale.

E treta është pabarazia e trajtimit dhe selektiviteti në gjykimin e të pandehurve, ku disa ish-funksionarë përballen me drejtësi të ashpër, ndërsa të tjerë, edhe për krime të rënda, gjykohen në gjendje të lirë, duke krijuar perceptimin e blerjes së drejtësisë dhe të një sistemi që vetëpranon degradimin e vet.

Në rastin konkret të çështjes “Gërdeci”, ku Fatmir Mediu është zyrtarisht i pandehur për tragjedinë me 26 viktima, shtrohen dy pyetje të drejtpërdrejta: A po e shpërfill ish-ministri vetë drejtësinë, duke mos u paraqitur në seanca për katër vite me radhë? Apo kemi të bëjmë me një pazar të heshtur, të mirëkoordinuar mes Mediut dhe drejtuesve të SPAK e gjyqtarëve të GJKKO, për ta zvarritur pafund procesin deri në pikën e mbylljes së tij pa dënim?

Nëse këto dyshime nuk qëndrojnë, drejtuesit e SPAK dhe GJKKO janë të detyruar të sqarojnë publikisht përse procesi ndaj Fatmir Mediut po zvarritet për katër vite me radhë, me një numër të paprecedentë seancash të shtyra dhe me të njëjtin justifikim: mungesën e të pandehurit. Sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse një i pandehur shmang gjykimin me justifikime subjektive, ai duhet të sillet me forcë në seancë pas herës së tretë. Nëse ai nuk gjendet, gjykimi zhvillohet në mungesë me avokat mbrojtës të caktuar nga gjykata. Nëse mungon edhe avokati, prokurorët janë të detyruar të kërkojnë emërimin kryesisht të një mbrojtësi.

Por në realitet, Fatmir Mediu as nuk është fshehur, as nuk është i sëmurë, as në pamundësi për të marrë pjesë. Madje në të paktën shtatë raste ai është shfaqur publikisht në konferenca mbi sigurinë kombëtare dhe luftën kundër krimit, përkrah drejtuesve të SPAK, GJKKO, SHISH dhe Policisë së Shtetit. Pra, një i pandehur për një dosje të bujshme me 26 viktima, që del në panele për të predikuar barazinë para ligjit, ndërkohë që procesi i tij ligjor shtyhet pa fund nga të njëjtat institucione që duartrokasin fjalimet e tij.

Që prej muajit maj 2021, procesi i njohur si “Gërdeci” ka hyrë në një cikël zvarritjeje të organizuar. Mjafton të përmendim faktin se më 22 maj 2023, prokurorët e SPAK deklaruan zyrtarisht se do të jepnin pretencën ndaj Fatmir Mediut në seancën e 24 majit. Gjykata shpalli mbylljen e hetimit gjyqësor. Por gjithçka u anulua papritur. Seanca u shty me justifikimin se prokurorët ishin sëmurë “befas”, pretenca nuk u lexua dhe që prej atëherë procesi ka hyrë në një fazë ku çdo seancë është një shtyrje, me justifikimin standard se “nuk është paraqitur i pandehuri”.

Ky nuk është më vetëm një skandal procedurial. Ky është një skenar i qëllimshëm për të çuar drejt dështimit një nga proceset më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në epokën e pas-reformës. Shtyrja e seancave, tolerimi i mungesës së të pandehurit, bashkëpunimi i heshtur i gjyqtarëve dhe prokurorëve me një person që duhet të jetë në bankën e të akuzuarve dhe jo në panelet e konferencave, tregojnë qartë se drejtësia ndaj Fatmir Mediut nuk po zbatohet. Ajo po simulohet. Dhe kjo nuk është më çështje teknike. Është komprometim i drejtësisë, bashkëpunim për mosndëshkim dhe pazari më i madh institucional që po ndodh para syve të publikut, në heshtje, por me leje politike./Pamfleti

fatmir mediu pazari i roskovecit gërdeci

Lini një Përgjigje