Ilir Alimehmeti, i flakur nga Berisha dhe i masakruar nga Celibashi, mbetet rasti i fundit i shpresës mes kufomave zgjedhore të 11 majit. Në Tiranë, ku vota klonohet dhe votuesi gjurmohet, edhe mrekullitë kanë nevojë për leje nga dy regjisorët e krimit politik: Rama dhe Berisha...
Doktor Ilir Alimehmeti është rasti i vetëm i mbetur që mund të ringjallë sadopak shpresën në një terren ku vota është zhdukur dhe vullneti i popullit është varrosur me protokoll shtetëror. Mbi varrin masiv të votave të 11 majit, Ilirjan Celibashi, i vetëquajturi arbitër i KQZ-së, i veshur me doreza sterile për të mos lënë gjurmë që nesër ta lidhin me ligjin, sillet si një varrmihës institucional që dëgjon vetëm rënkimin e heshtur të fletëve të votimit të vjedhura dhe mandateve të klonuara.
Në këtë peizazh politik, fshatarët e thjeshtë, viktima të një masakre të përpunuar institucionalisht, shohin nga Tirana me shpresën absurde se ndoshta, mbi varrin e mbuluar me propagandë, ndonjë kufomë do lëvizë. E nëse ka një të gjallë të varrosur, ai është Ilir Alimehmeti, që për çudi nuk u eleminua nga kundërshtari politik, por nga brenda e partisë së tij, nga vetë Sali Berisha.
Mrekullia nisi të marrë trajtë vetëm kur Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ pranoi më në fund të hapë kutitë e Tiranës, të cilat Ilirjan Celibashi i kishte mbajtur të mbyllura, duke refuzuar një të drejtë elementare demokratike, atë të rinumërimit të votës. Shpresa, edhe pse pa frymë, rri pezull mes rinumërimit të vonuar dhe vetëdijes se kjo betejë nuk është vetëm e një kandidati, por është e gjithë atyre që duan ta ringjallin besimin në zgjedhje.
Prej një muaji, skena e Tiranës mbetet vendi i një krimi elektoral, ku vota nuk është as zgjedhje, as përfaqësim, por një fletë pa vlerë e mbushur me gjurmë patronazhistësh dhe algoritme partish. Shkrirja e akullit 34-vjeçar e ka nxjerrë në pah atë që shumëkush e kishte kuptuar, por nuk e kishte pranuar: Edi Rama dhe Sali Berisha nuk konkurrojnë, por bashkëqeverisin një sistem të ndërtuar mbi mashtrimin dhe kontrollin total.
Në këtë realitet të ngjashëm me diktaturat dixhitale, edhe mënyra e klonimit të deputetëve funksionon me sistem: të dhënat e votuesve, preferencat, lidhjet familjare, gjithçka dihet, analizohet dhe menaxhohet. Edhe emigrantët votuan, por jo si një akt i lirë, por si një votë e marrë me shantazh, presion apo thjesht me manipulim teknik.
Gjithçka i ngjan një loje të rrezikshme, të orkestruar nga dy regjisorë të vjetër; Rama dhe Berisha, që e dinë saktësisht kush ndez kamerën, kush do të jetë viktima, dhe kush do të dalë i gjallë. Kjo është një vendngjarje me kufoma elektorale, pa shirit sigurie dhe pa prokurorë të guximshëm.
Para se të ulim perden mbi rastin e Ilir Alimehmetit, mbetet i hapur dyshimi i madh: a ka mbetur gjë e gjallë mes votave të vdekura dhe mandateve të klonuara? /Pamfleti
Lini një Përgjigje